Edhe pse blerja postit politik, siç po përpiqet të bëjë Mike Bloomberg, mund të jetë e padrejtë ose e gabuar, presidenti Donald Trump është një figurë aq alarmante saqë shumë votues duken të gatshëm ta anashkalojnë këtë fakt për Mike Bloomberg, gjë të cilën në të tjera kushte s’do t’ia kishin falur kurrë vetes. Dhe kjo ndoshta është shenja më e qartë se demokracia amerikane është në krizë.
Nga Elizabeth Drew
Zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të këtij viti janë më të rëndësishmet në historinë moderne të vendit. Nëse një Donald Trump gjithnjë e më autoritar, hakmarrës dhe i rrezikshëm fiton edhe një mandat tjetër, kjo gjë do të diktojë atë që do të jetë SHBA-ja për një kohë të gjatë në të ardhmen.
Zgjedhjet e këtij viti nuk do të jenë një luftë tipike mes dy partive që ndryshojnë më shumë në shkallë sesa në natyrën e tyre. Por fillimisht, demokratët duhet të zgjedhin kandidatin e tyre dhe këtë herë kjo garë është jashtëzakonisht e paqëndrueshme.
Përpjekja e tretë e ish-zv/presidentit Joe Biden për të fituar postin e presidentit nuk do të shkojë shumë më mirë sesa dy herët e para. Biden është një figurë shumë popullore, një njeri pozitiv, empatik, dhe që i mungon ligësia. Por ka shumë gjasa që pikat e tij të forta të përcaktojnë edhe disfatën e tij elektorale. Atij i mungon ajo që unë e quaj “tipari prej presidenti” – një lloj dinjiteti dhe një distancim i caktuar që përçon ndjesinë se shpërfillja e tij nga të tjerët do të ishte një lëvizje jo shumë e zgjuar. Atij i mungon edhe një mesazh: duke i kujtuar demokratëve se ai ishte zv/president në kohën e Barak Obamës, ai u tregon votuesve shumë pak ose aspak mbi mënyrën se si ai do të qeveriste.
Në të njëjtën situatë është dhe Elizabeth Warren. Që në fillim, ajo iu përgjigj pyetjeve duke thënë: “E kam një plan për këtë gjë!”. Ajo ka njohuri mbi qeverisjen e brendshme dhe ka zhvilluar një fushatë pasionante. Por ajo dukej se nuk e kuptonte se miratimi i kaq shumë programeve të reja do të ishte i pamundur. Disa nga kolegët e saj të Senatit – përfshirë aleatët – më thanë më herët se ajo nuk do të “dukej mirë”. Ata nuk e pëlqejnë qëndrimin e saj moralist. Warren ka një lloj ftohtësie që s’e ndreqin dot as të gjitha selfit që ajo bën me fansat e saj.
Edhe senatori Bernie Sanders është një viktimë e shumë premtimeve të dhëna. Ai gëzon ende një mbështetje të madhe te votuesit më të rinj. Ndërkohë shumica e votuesve të moshuar pyesin se ku do t’i gjejë ai paratë për të realizuar të gjitha premtimet e tij, përfshirë shkollimin falas në universitetet publike dhe faljen e borxhit të studentëve.
Si Warren ashtu edhe Sanders janë në telashe me sigurimin shëndetësor universal “Medicare for All”. Askush nuk ka treguar sesi zëvendësimi i “Obamacare” me sistemin e një paguesi të vetëm nuk do të rrisë taksat për klasën e mesme, dhe ndërkohë disa sindikata e kundërshtojnë atë pasi do të zëvendësonte planet më të mira të kujdesit shëndetësor të cilat ata negociuan, duke hequr dorë nga përfitimet e tjera. (Warren më vonë e ndreqi propozimin e saj, por jo në mënyrë bindëse.)
Sanders, një “socialist demokratik” i vetëshpallur, është një figurë shqetësuese në një kohë kur uniteti i partisë shihet si vendimtar për të mposhtur Trumpin. Ngurtësia ideologjike e Sanders e kufizon jo pak vijimësinë e tij në garë. Për këtë arsye, ai ka dështuar të rrisë elektoratin e tij. Edhe pse fitoi në Nju Hempshajër, një shtet në kufi me shtetin e tij të lindjes, Vermontin, ai fitoi 50 për qind më pak vota sesa në vitin 2016. Por tani, ai nuk mund të përjashtohet si një mundësi e fortë për nominimin zyrtar.
E ndihmuar nga një shtyp politik që po kërkon lajme të reja dhe nga një debat i mirë katër net para garës së Nju Hempshajërit, senatorja Amy Klobuchar doli e treta atje (ishte e pesta në Ajoua) në një “kthesë të madhe”. Por debatet janë një tregues i dobët i një presidence: ato testojnë pëlqyeshmërinë, zgjuarsinë dhe një vizion, por tregojnë shumë pak për temperamentin, gjykimin, kuriozitetin, mençurinë dhe aftësinë diplomatike të kandidatëve.
Për momentin, spektakolariteti i Klobuchar ka lënë në hije reputacionin e saj për mënyrën e keqe sesi e trajton stafin, gjë e cila ka shkaktuar vështirësi në joshjen dhe ruajtjen e ndihmësave të nivelit të lartë. Por asaj i mungon gjithashtu edhe një vizion. Ajo mburret me një rekord mbresëlënës të zgjedhjeve të fituara në Minesota, ku ajo nuk ka pasur një rival të fortë, dhe e thekson shpesh origjinën e saj modeste (gjyshi i saj ishte minator në një minierë qymyri). Gjëja që ajo nuk vë në dukje është mbështetja që i japin saj korporatat, përfshirë nga gjigandi i agrobiznesit “Cargill”, një nga kompanitë private më të mëdha dhe më të diskutueshme në Amerikë.
Pete Buttigieg, 38 vjeç, ka qenë fenomeni më befasues në këtë garë, falë intelektit të tij të mprehtë dhe vetëpërmbajtjes së tij të pazakontë. Rivalët e tij tallen me përvojën e tij politike modeste si krybashkiak i një qyteti të vogël (Sauth Bend, Indiana), por që e ka familjarizuar atë me mënyrën se si funksionojnë programet federale. Ai hyri me dëshirë në Ushtrinë Amerikane dhe shërbeu në Afganistan dhe ka mendime shumë më të pjekura mbi politikën e jashtme sesa kanë bërë shumica e rivalëve të tij (përveç Biden). Ai e përballon me shumë siguri faktin që është një homoseksual i martuar. Ka një sens humori të lindur dhe mund ta sjellë rrotull një kundërshtar në një mënyrë që të kujton Obamën.
Por a mjafton kjo për të fituar? Bill Clinton ishte empatik. Amerikanët e panë Obamën të qante pas masakrës në shkollën fillore “Sandy Hook” në vitin 2012. Është e vështirë të imagjinohet Buttigieg duke qarë. Ai mund të dalë si planifikuesi i rezervuar McKinsey që dikur ishte. Kjo, çp aq sa edhe vendimet e tij kontroverse që mori si kryetar bashkie, mund të theksojnë vështirësinë e tij deri më tani në tërheqjen e mbështetjes nga votuesit e pakicave. Dhe ndërsa dikush mund të imagjinojë intelektin e mprehtë të Buttigieg dhe sensin e shpejtë të humorit që demoralizojnë Trumpin, nuk dihet nëse elektorati në tërësi do ta pranonte një kandidat homoseksual aq sa po e pranojnë votuesit demokratë.
Pasi Mike Bloomberg, kryetar i bashkisë së Nju Jorkut për 3 mandate, u rrit në sondazhe, figura e tij filloi të analizohej deri në detaj, gjë e cila e ka futur atë në ujëra të turbullta. Për shembull, ai është akuzuar për racizëm, kryesisht për shkak të programit të tij “ndalo dhe kontrollo” gjatë kohës që ishte kryebashkiak, dhe për mizogjini në praktikat e tij të biznesit. Deklaratat vulgare që ka bërë para se të zgjidhej kryebashkiak tani po qarkullojnë gjithandej. Por Bloomberg e ka përdorur pasurinë e tij të madhe për të vetë-financuar fushatën e tij, për të ndërtuar aleanca të rëndësishme dhe duke iu ofruar grante trajnimi kryebashkiakëve, shumica e tyre me ngjyrë, dhe për të ndihmuar gratë të ecin përpara.
Për më tepër, përvoja qeverisëse e Bloomberg dhe qetësia e tij e bëjnë tërheqës për shumë njerëz. Por avantazhi i tij më i madhe është se ai shihet si më i përshtatshmi për të mposhtur Trumpin, që duket i mërzitur nga ideja se mund të përballet me një konkurrent që është shymë më i pasur sesa si (dhe që nuk përdor praktikat e tij të pazakonta të biznesit në Nju York).
Të jesh në gjendje të blesh avantazh politik mund të jetë e padrejtë ose e gabuar, por Trump është një figurë aq alarmante saqë shumë votues, deri më tani, duken të gatshëm të anashkalojnë diçka që në të tjera kushte sdo t’ia kishin falur kurrë vetes. Kjo për shkak se zgjedhjet e vitit 2020 po zhvillohen në një kohë krize për demokracinë amerikane.
Project Syndicate