Ndërsa ekuilibrat e fuqive në politikën globale kanë ndryshuar thellësisht, klasifikimi i vendeve për sa i përket perspektivës së tyre ndërkombëtare, tani është bërë një detyrë e lodhshme.
Çështja është se si vendet e grumbulluara përreth grupimeve të ndryshme, mund t’i përgjigjen ndryshimeve tronditëse që po ndodhin në strukturën e politikës globale.
Kjo analizë e shkurtër i ndan shtetet në katër kategori të ndryshme, përkatësisht optimistë, pesimistë, të shtypur dhe të pasigurt. Kriteri kryesor i përdorur në këtë drejtim, është nëse vendet mendojnë se e ardhmja është në anën e tyre, si dhe nëse zotërojnë aftësinë për të patur në duar fatet e tyre.
A janë të bindur që mund të ndihmojnë të sjellin në jetë një rend të veçantë vendor, rajonal dhe ndërkombëtar sipas dëshirës së tyre, apo a kanë frikë dhe shqetësohen për të ardhmen, si dhe marrin disa masa për të ndihmuar në ruajtjen e çfarëdolloj privilegjesh dhe përfitimesh që kanë brenda sistemit ekzistues?
Optimistët
Ata që janë optimistë për të ardhmen e tyre, gjenden kryesisht në Azinë Lindore dhe Juglindore. Të udhëhequr nga rritja meteorike e Kinës dhe Indisë, shumë vende aziatike tani janë futur në një trajektore pozitive, në lidhje me udhëtimin e tyre drejt zhvillimit dhe modernitetit. Përkundër faktit se shumë vëzhgues të informuar e krahasojnë Azinë e sotme Lindore me Evropën e djeshme në aspektin e rritjes së garave gjeopolitike, rritjes së nacionalizmit, armatimin e vazhdueshëm dhe përshkallëzimin e rrezikshëm të konfrontimeve territoriale, është gjithashtu kjo pjesë e globit që rrezaton shpresë te shtetet e tjera. Arsyet janë të dyfishta. Së pari, në një periudhë të shkurtër, Azia Lindore dhe Juglindore janë shndërruar në pjesët më dinamike të ekonomisë globale.
Së dyti, paqja, siguria dhe mirëqenia në pjesë të tjera të globit janë bërë gjithnjë e më shumë të varura, nga mënyra se si bëhen gjërat në këtë rajon. Ajo që vëzhgojmë në botën e sotme është se, në vend që vendet në Azinë Lindore dhe Juglindore të përshtaten me politikat e aktorëve jashtë-rajonalë, janë vendet jashtë rajonit që po ripërcaktojnë interesat dhe përparësitë e tyre kombëtare, në dritën e zhvillimeve që ndodhin në këtë rajon. Prandaj ndodhi dhe riorientimi / ribalancimi amerikan në Azinë Lindore, hapja e BE-së drejt Kinës, afrimi i Rusisë me Kinën, vizita e princit të kurorës së Arabisë Saudite Mohamed Bin Salman në Kinë, dhe nxitimi i shumë vendeve të tjera për të marrë pjesë në nismën e Kinës, “Një rrip, një rrugë” – Italia ishte shembulli i fundit. Seria e aktiviteteve politike, ekonomike dhe ushtarake globale nuk është më Evropë apo zonat tradicionale trans-Atlantike.
Duke u ndjerë të acaruar me institucionet ekzistuese ndërkombëtare të qeverisjes globale, shumë prej të cilave erdhën në jetë në epokën e hershme të pasluftës, fuqitë optimiste në rritje të Azisë, tani po ndërmarrin nisma të guximshme për të ndihmuar në krijimin e institucioneve alternative globale që pasqyrojnë më mirë aftësitë e tyre materiale dhe vetëbesimin në rritje.
Miliona njerëz tashmë janë nxjerrë nga varfëria në Kinë, Indi dhe shumë vende të tjera të Azisë. Programet shtetërore të zhvillimit të orientuara nga eksporti, si dhe fuqia punëtore, në të gjithë Azinë, veçanërisht në Kinë, tashmë kanë filluar t’u hapin rrugë më shumë programeve të zhvillimit bazuar në konsumin e brendshëm, të mbështetura në teknologji dhe të orientuara nga tregu. Ideja se mund të arrihet zhvillimi ekonomik dhe moderniteti me fytyra të shumta, ka gjetur një shprehje të fortë në Azi. Ai që i bën shumicën e njerëzve në Azinë Lindore dhe Juglindore të ndjehen optimistë, është besimi i tyre i përhapur se mund të përparonin materialisht dhe të ruanin një ndikim të madh në politikën globale, duke qëndruar besnikë ndaj kulturave dhe vlerave të tyre tradicionale.
Ata që përpiqen t’u japin kuptim “ëndrrës kineze”, “ëndrrës koreane” ose “rrugës aziatike” argumentojnë se asnjë prej këtyre vendeve nuk e paraqet modelin e vet si rrugën universale, që të tjerët duhet ta imitojnë. Duke ardhur në jetë nga procesi i dekolonizimit, duke mbajtur barrën e poshtërimit në duart e fuqive koloniale perëndimore, duke patur mbi vete një trashëgimi të pasur qytetërimi dhe kulturore, duke i dhënë përparësi vlerave shoqërore mbi individualizmin, dhe duke preferuar ta përkufizojnë veten si më të zhvilluara sesa shtetet e zhvilluara, shumë vende në Azinë Lindore dhe Juglindore demonstrojnë njëkohësisht modesti dhe guxim.
Pesimistët
Nga ana tjetër, vendet që mund të konsiderohen si pesimiste janë më të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe gjenden kryesisht në Perëndim. Shumica e njerëzve që jetojnë në vendet perëndimore mendojnë se ata gjithnjë e më shumë po ekspozohen ndaj sfidave të ndryshme pasi shikojnë të tjerët / jo-perëndimorë të ngjiten shpejt në shkallën e hierarkisë së fuqive, si dhe të trondisin terrenin mbi të cilin perëndimorët kanë ndërtuar përparësinë, sigurinë, mirëqenien dhe begatinë. Nuk bëhet fjalë vetëm që vendet perëndimore do të duhet të akomodojnë të porsaardhurit, por gjithashtu shoqëritë perëndimore duhet të përditësohen me realitetin që tashmë ekzistojnë shumë modernitete. Pretendimet perëndimore ndaj vetëdijes, moralit dhe vlerave universale nuk janë më reale, në botën e sotme policentrike.
Edhe Shtetet e Bashkuara, edhe anëtarët e BE tani janë të zhytur në vështirësi ekonomike në rritje, legjitimitet në rënie të demokracisë liberale dhe një fluks në rritje të migrantëve jo-perëndimorë, lëre më rritjen e anarkive në rajonet e tyre fqinje. Me botën që tkurret, perëndimorët do të bënin mirë të kuptonin dhe të bashkoheshin me jo-perëndimorët. Agonia e tyre qëndron në faktin që, sa më ngushtë të kontaktojnë me jo-perëndimorët, aq më shumë ndiejnë dhimbjen e të kuptuarit se kush janë dhe çfarë duan. Kjo është diçka mjaft sfiduese për perëndimorët, jo vetëm sepse ata duhet të ndajnë “fuqinë” me të tjerët, por gjithashtu sepse duhet të reflektojnë mbi identitetet dhe interesat e tyre, më shumë se kurrë. Kjo duket se ka shkaktuar frikë dhe pesimizëm tek perëndimorët.
Megjithë presidencën frikëndjellëse të Donald Trumpit, polarizimin e lëvizjeve politike dhe izolacionizmin, Shtetet e Bashkuara duket se janë në një pozitë shumë më të mirë se anëtarët e BE-së në përballimin e sfidave ekonomike, shoqërore dhe politike të rendit botëror. SHBA është ende fuqia numër një mbi tokë, duke patur më shumë se një të tretën e shpenzimeve globale ushtarake. Megjithë luftërat tregtare të Trumpit dhe masat ekonomike proteksioniste, ekonomia amerikane gjithashtu duket se është shëruar nga kriza financiare e fund viteve 2000, me shtim të rritjes ekonomike dhe ulje të niveleve të papunësisë.
Megjithë supremacizmin e bardhë të Trumpit, Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu shumë përpara Bashkimit Evropian në lidhje me akomodimin e bashkësive të ndryshme etnike, fetare dhe gjuhësore në ambiente multikulturore. Afërsia gjeografike e Evropës me Rusinë dhe Lindjen e Mesme më të madhe nga njëra anë, dhe traditat e saj të forta të nacionalizmit, Darvinizmit shoqëror dhe superioritetit kulturor nga ana tjetër, duket se i vendos evropianët në një humor më pesimist sesa amerikanët. Në krahasim me amerikanët, evropianët ndjehen më të kërcënuar nga procesi i globalizmit dhe rritja e qendrave jo-perëndimore të energjisë. Nuk është rastësi që ndjenjat anti-globaliste, antintegruese, antislamiste dhe anti-imigrim janë rritur në mesin e subjekteve “të frikësuara” të Evropës.
Të shtypurit
Diku në mes të rrugës është grupi i vendeve të shtypura, anëtarët e të cilit janë jashtëzakonisht të preokupuar me problemet e brendshme, ndjehen të poshtëruar nga të tjerët dhe nuk kanë një pozicion të fortë, për të zotëruar të ardhmen e tyre. Shumë vende në Lindjen e Mesme më të madhe, Afrika dhe rajoni post-Sovjetik mund të përfshihen brenda këtij grupi, jo vetëm sepse ata kanë dështuar në krijimin e rrugëve të tyre që nga fundi i Luftës së Ftohtë, por edhe sepse problemet brenda “familjes” i kanë mbajtur mjaft të izoluar për një kohë të gjatë, nga bota globalizuese / integruese. Në krahasim me pesimistët dhe optimistët, të shtypurit nuk janë të lidhur me rendin botëror në një shkallë të kënaqshme, që do t’u mundësonte të luanin një rol zotërimi të procesit në rendin botëror në zhvillim. Shumë vende të prapambetura, ose kanë qenë të shoqëruar me probleme të brendshme të rënda, ose kanë evoluar tashmë në terrenin e lojtarëve të tjerë.
Këto vende nuk kanë përjetuar as dividendët e paqes të epokës së pas Luftës së Ftohtë, as kanë demonstruar histori suksesi, në kuptimin e shndërrimit në vende të qeverisura mirë, në të cilat qytetarët e tyre gëzojnë prosperitet ekonomik, siguri fizike dhe kohezion shoqëror. Vite të tëra kolonizimi dhe poshtërimi në duart e fuqive perandorake perëndimore, si dhe dështimi i udhëheqësve të tyre autoritarë për të vendosur në lëvizje proceset e zhvillimit të qëndrueshëm / modernizimit, duket se kanë futur një shkallë të fortë fatalizmi dhe mungese besimi nga ana e të shtypurve. Nuk është thjesht rastësi që zërat radikalë gjejnë hapëpsirë në këto vende. Ajo që ka spikatur në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut që nga fillimi i të ashtuquajturit procesi i Pranverës Arabe, është një dëshmi e skenarëve katastrofikë, që po shndërrohen në realitet çdo ditë që kalon.
Të pasigurtët
Në mos krijojnë një grup të katërt shtetesh, Rusia, japonia, Izraeli, Brazili dhe shumë vende të tjera me përmasa të mesme mund të përcaktohen si pjesëtarë të një kategorie të katërt, të pasigurtësh të paqartë. Të pasigurtët e gjejnë veten mes optimistëve dhe pesimistëve. Ata kanë potencial të madh të fuqisë së fortë dhe të butë, sa i përket luajtjes së roleve vendimtare në rajonet e tyre të ngushtë, megjithatë e kanë shumë të vështirë që të kenë një vizion global, të ngjashëm me atë të optimistëve, apo të jenë mbi pesimistët.
Ata vuajnë nga një krizë e thellë identiteti për sa i përket marrëdhënieve që kanë me botën e jashtme. Ata nuk janë as nga Perëndimi pesimist dhe as nga Lindja optimiste. Lidhjet e tyre të ngushta me fuqitë pesimiste perëndimore dhe historia e tyre e gjatë e proceseve të modernizimit, të përcaktuara në terma perëndimorë, duket se i vendosin në një kategori të ndryshme nga shumë fuqi optimiste të Azisë Lindore dhe Juglindore. Ata janë njohur mirë me vlerat dhe normat perëndimore / evropiane, por njëkohësisht ndjehen të përjashtuar nga Perëndimi. Për shembull, ndjenja e tyre e përbashkët si të përjashtuar nga Perëndimi duket se shpjegon pjesërisht, pse Turqia dhe Rusia kanë rritur bashkëpunimin dypalësh në vitet e fundit. Ata ndjehen të mahnitur nga rritja spektakolare e optimistëve, megjithatë ndjehen të pasigurt nëse gjeopolitikisht, duhet të bëhen aleatë me optimistët. Shumë aleatë tradicionalë amerikanë në Azinë Lindore dhe Juglindore kanë frikë se diku në të ardhmen, ata mund të duhet të zgjedhin ose Shtetet e Bashkuara, ose Kinën.
Ato janë të vendosura kryesisht në afërsi të të shtypurve dhe kjo nxit pasiguritë dhe dobësitë e tyre. Ata nuk kanë luksin e ngritjes së sistemeve mbrojtëse midis tyre dhe të shtypurve. Zhvillimet që nga shpërthimi i pranverës arabe, padyshim e kanë demonstruar qartë këtë.
Ata nuk janë aq pesimistë sa fuqitë tradicionale perëndimore, sepse ata mendojnë se rendi botëror në zhvillim do të ndihmojë në krijimin e më shumë hapësirave për ta. Ata ndajnë optimizmin e shumë vendeve të Azisë Lindore dhe Juglindore, se po zhvillohet një botë e re dhe të gjithë meritojnë “një vend nën diell”. Ata të gjithë duan të zhvillojnë ekonomi të forta dhe oreksi i tyre për zhvillim duket të jetë i pangopshëm.
Ngjashëm me shumë optimistë, shumë prej të pasigurtëve duket se kanë prirje të forta realpolitike dhe janë të orientuar nga sovraniteti në politikën e jashtme. Megjithatë, bashkëpunimi i tyre strukturor dhe afatgjatë me fuqitë perëndimore duket se ua ka zbutur thellësisht tendencat revizioniste. Ata janë më evolucionarë sesa revolucionarë në politikën globale, dhe ende dëshirojnë njohjen nga Perëndimi.
Procesi i vazhdueshëm i globalizimit do të sigurojë që kufijtë midis këtyre grupimeve nuk do të jenë aq të qëndrueshëm, sa shfaqen në diskutime konceptuale abstrakte. Vendosja e vendeve në grupime specifike na ndihmon të kuptojmë shumë më mirë kompleksitetet e ndryshimit të rendit global, megjithatë ky ushtrim akademik nuk duhet të na çojë kurrë në përfundimin se të gjithë jetojmë në “botë” të ndryshme, disi larg njëri-tjetrit.
* Profesor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Antalya Bilim / Daily Sabah – Bota.al