Ballina Bota Eksperimenti i Danimarkës me integrimin pasqyron kthesën 180 gradë të Europës

Eksperimenti i Danimarkës me integrimin pasqyron kthesën 180 gradë të Europës

Në dekadën e fundit të shekullit të XX, Europa Perëndimore i hapi dyert njerëzve që i largoheshin shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë. Sot Danimarka thotë se integrimi ka dështuar dhe po ndjek një eksperiment shqetësues për shpërbërjen e “getove” të emigrantëve.

Nga Dimitar Ganev

Avniu i mban mend akoma çarçafët e bardhë natën kur mbërriti në Danimarkë nga Kosova, nëpërmjet një kampi refugjatësh në kodrinat e Maqedonisë së Veriut.

Ishte viti 1999 dhe Europa kishte hapur dyert e saj për shqiptarët e Kosovës që i largoheshin aktit të fundit në shpërbërjen e Jugosllavisë federale.

Qindra mijëra gjetën strehim në Europën Perëndimore në vitet 1990 ndërsa shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë shkaktoi shpërnguljen më të madhe të njerëzve në kontinentin Europian që nga Lufta e Dytë Botërore.

I strehuar në një ish-kazermë ushtarake në qytetin Randers, afër qendrës dhe shumicës së faciliteteve, Avniu, atëherë 10 vjeç, kujton udhëtimet e organizuara me autobus në pishinat më të mira, shkollimin aty pranë në gjuhën angleze, daneze dhe shqipen e tij, këshillimin për traumat dhe futbollin në park me fëmijë danez.

Shumë refugjatë nga lufta e viteve 1992-1995 në ish-Bosnjën jugosllave ishin sistemuar tashmë në lagje, tha ai.

“I mbaj mend ata çarçafët e bardhë, aq të pastër dhe të këndshëm, kur unë vetë vija nga një kamp refugjatësh me pluhur e gjithçka tjetër”, tha Avniu, tani 30 vjeç, i cili foli në kushte anonimati.

“Ishte një vend ku mund të shëroheshe nga lufta dhe të ndiheshe i mirëpritur.”

Jo më.

Në 20 vjet që Avniu ka këtu, ku vend nordik i begatë, i përparuar në aspektin social është shndërruar në një destinacion shumë më pak tërheqës për refugjatët dhe emigrantët dhe ka hartuar një paketë ligjesh që synon të integrojë me forcë ata që tashmë janë sistemuar aty.

Duke lidhur pensionet me frekuentimin në kopsht dhe shkollë, duke dyfishuar dënimet për krime të caktuara të kryera në lagje me emigrantë dhe duke shitur ose shembur banesa sociale, Danimarka është zotuar të shpërbëjë të ashtuquajturat “geto” ku banorët akuzohen se refuzojnë gjuhën dhe vlerat daneze, ndërkohë që korrin përfitimet e këtij shteti.

Edhe pse më radikal sesa të tjerët, qëndrimi i ashpër i Danimarkës ndaj emigracionit pasqyron një zhvendosje në të djathtë në të gjithë kontinentin.

“Ka vazhduar për rreth 20 vjet”, tha Anders Asbjorn i ActionAid Denmark, e cila ndihmon refugjatët. “Por nuk ka qenë kurrë kaq keq sa tani.”

“Ishte tronditëse për mua”

Familja e Avniut ndenji pak më shumë se një vit në Danimarkë, duke hedhur poshtë mundësinë për të qëndruar përgjithmonë në këmbim të kthimit në mes të vitit 2000 në Kosovë, e cila në atë kohë ishte në protektoratin e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, shumë njerëz nga ish-Jugosllavia vendosën të sistemoheshin aty, duke përfituar nga sistemi bujar i strehimit social të Danimarkës dhe duke vendosur rrënjë në zona të tilla si Taastrupgaard, një rrethinë e kryeqytetit, Kopenhagen.

“Në vitet nëntëdhjetë, njerëzit erdhën nga Bosnja si refugjatë lufte dhe ata u vendosën direkt në lagje si këto. Ata morën një apartament dhe qëndruan këtu”, tha për Taastrupgaardin Claus Bjorton nga Shoqata e Strehimit KAB, e cila administron rreth 70,000 apartamente të banesave sociale në Kopenhagen.

Megjithatë, tani Taastrupgaard është një nga dhjetëra lagje në Danimarkë e deklaruar “geto” sipas ligjeve të reja për të adresuar ato që autoritetet thonë se është një dështim i përpjekjeve për të integruar emigrantët.

Emigrantët dhe pasardhësit e tyre përbëjnë rreth 8.5 për qind të popullsisë prej 5.8 milionë banorësh të Danimarkës, një proporcion që parashikohet të rritet më tej.

Armiqësia ndaj tyre është rritur sidomos pasi një valë refugjatësh dhe emigrantësh nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika – shumë prej tyre sirianë që i largohen luftës – filluan të mbërrinin në brigjet e Europës në 2015.

Ndërkohë që ata si Avniu u sistemuan menjëherë në shoqërinë daneze, refugjatët sirianë që mbërrijnë në Danimarkë sot mund të presin të strehohen në kampe të izoluara, “jo në shoqëritë e rregullta”, tha Bjorton. “Pas një periudhe prej katër ose pesë vitesh, ata mund të marrin një apartament.”

Edhe pse nuk është i informuar për kushtet në Danimarkë sot, Avniu tha se puna e kishte çuar atë në Suedinë fqinje në vitin 2016, ku ai vizitoi një kamp refugjatësh. “Ishte shumë ndryshe”, tha ai. “Ata monitoroheshin vërtet. Ishin në rrethinat e qytetit, mbaheshin të izoluar, kurse me ne nuk ka qenë ashtu”, tha ai.

“Ishte shumë tronditëse për mua, 16 vjet më vonë, të zbuloja ndryshimet në mënyrën se si trajtohen refugjatët.”

Gjatë qëndrimit të tij në Danimarkë, ai tha, “nuk të thoshte njeri ‘je refugjatë, e ke të ndaluar ta bësh këtë gjë…’”.

“Lërini mënjanë vlerat tuaja liberale”

Dhe ndërsa shtronte tapetin e mikpritjes për të ardhurit e rinj, në vitin 2018 Danimarka prezantoi një paketë ligjesh për të cilën qeveria e atëhershme tha se do të trajtonte shtimin e “getove” të emigrantëve, duke synuar 28 enklava me të ardhura të ulëta dhe kryesisht myslimane, ku familjet do të detyroheshin të integrohen me shoqërinë daneze.

Ndër masat e reja është një kërkesë që të gjithë fëmijët mbi një vjeç në të tilla enklava të kalojnë 25 orë në javë në kopshtin e fëmijëve, ku ata do të mësojnë gjuhën dhe traditat daneze. Prindërit që nuk e bëjnë këtë rrezikojnë të humbasin pensionin për fëmijët e tyre.

Një tjetër masë u jep gjykatave të drejtën të dyfishojnë ndëshkimin e tyre për disa krime nëse ato janë kryer në ndonjë lagje të klasifikuar si “geto” bazuar në nivelet e të ardhurave, statusin e punësimit, nivelet e arsimit, rëndësinë e krimit dhe përkatësinë etnike jo-perëndimore.

Një qeveri më liberale që erdhi në pushtet në qershor 2019 i ka qëndruar këtij legjislacioni, pavarësisht ankesave nga grupet e të drejtave të njeriut se këto ligje janë tepër diskriminuese.

“Si një parti liberale, ne nuk besojmë në detyrimin e njerëzve që të bëjnë gjëra të caktuara”, tha Anni Matthiesen, një deputete nga partia e dytë më e madhe e Danimarkës, Venstre, dhe një nga autorët e legjislacionit.

“Por ka disa përjashtime.”

Matthiesen tha se danezët në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik ishin të të njëjtit mendim se masat e integrimit gjatë 30 viteve të fundit nuk kishin funksionuar.

“Për mua personalisht, ishte e rëndë të vendosja se fëmijët duhet tgë shkojnë në çerdhe në moshën një vjeçare. Por besoj se ishte zgjidhja e duhur. Ndonjëherë duhet të lësh mënjanë vlerat e tua liberale, sidomos kur fëmijët po mbesin kaq shumë pas në gjuhë.”

“Personalisht, mendoj se ka disa zona në të cilat e kemi tepruar disi. Por shqetësimi është se nëse ne nuk bëjmë diçka, rinia prapë do të ngelë në vend.”

Zgjedhje e detyruar midis familjes dhe shkollës

Megjithatë, disa danezë janë tepër të shqetësuar për efektin që masat e ndërmarra ndaj “getove” do të kenë për fëmijët, nga frika se në disa raste ata mund të dëmtojnë akoma më shume lidhjet midis familjeve të emigrantëve, ku fëmijët bëhen më të zhytur në shoqërinë e vendit të tyre birësues ndërsa prindërit e tyre mundohen shumë të përshtaten.

“Shumë studime tregojnë se fëmijët në një moshë të caktuar duhet të zgjedhin midis shkollës dhe familjes”, tha profesori i asociuar Signe Hvid Tingstrub, një specialist në pedagogji në Kolegjin Universitar në Kopenhagen.

“Dhe kjo nuk është një zgjedhje e drejtë. Sepse nëse zgjidhni shkollën, atëherë vendosni në mënyrë implicite të shkoni në një drejtim ndryshe nga ai i familjes tuaj.”

Në qershor të vitit 2019, Folkeskoleni danez, i cili raporton për sektorin e arsimit, raportoi se mbi 5,000 nxënës shkollash kishin akumuluar nivele mungesash prej më shumë se 15 për qind, duke rrezikuar pagesat e pensioneve që prindërit marrin për fëmijët e tyre.

Megjithatë, 69 për qind e këtyre nxënësve ishin me origjinë daneze, pjesa tjetër ishin emigrantë ose pasardhës emigrantësh. Disa administratorë shkollash janë rebeluar gjithashtu kundër kërkesës për të raportuar nxënës të tillë.

Mbështetësit e masave thonë se një perceptim i Danimarkës se po detyrohet që një fëmijë një vjeçar të shkojë në çerdhe nuk është aspak i drejtë, duke treguar faktin se rreth 90 për qind e fëmijëve në Danimarkë fillojnë të frekuentojnë kopshtin në moshën tre vjeçare.

Ministrja e arsimit e Danimarkës, Pernille Rosenkrantz-Theil, nuk pranoi të komentojë për këtë artikull, njësoj si edhe UNICEF-Danimarka.

Shembje

Strehimi është shndërruar në një tjetër front në betejën për integrimin e emigrantëve.

Në çdo lagje të caktuar si “geto”, vetëm 40 për qind e apartamenteve mund të vazhdojnë të kenë statusin e strehimit social, një sistem shumë i zhvilluar dhe i përdorur gjerësisht në Danimarkë. Pjesa tjetër duhet të privatizohen, me teorinë se kjo do të tërheqë qiraxhinj me prejardhje të ndryshme.

Në praktikë, rezultati është që shumica e qiraxhinjve ekzistues duhet të dalin nga ato shtëpi dhe meqenëse shumë ndërtesa të vjetra nuk konsiderohen tepër tërheqëse që të blihen apo merren me qira nga investitorë privatë, ato përfundojnë duke u shembur ose duke u rinovuar.

“Problemi është se nuk ka zgjidhje të lehtë. Duhet kohë”, tha Matthiesen e Venstre.

“Ndoshta do të duhen të paktën 10 vjet para se krijohen komunitete më të përziera. Dhe kjo është edhe arsyeja pse disa nga komunat po pyesin nëse është e mundur të mos prishen disa prej ndërtesave.”

Për shembull, rreth 200 apartamente janë shënuar për t’u prishur në Taastrupgaard. Sipas masave të reja, 60 për qind e akomodimit në lagje duhet të privatizohet, duke e hequr këtë përqindje nga sistemi i strehimit social.

Një hap i tillë është i pashembullt që nga shekulli i 16-të, tha Bjorton, nga Shoqata e Strehimit KAB, kur mbreti danez lëvizi 200 familje nga ishulli Amager për të hapur vend për fermerët holandezë.

Gjysmë milion banesa – një e pesta e numrit total në Danimarkë – klasifikohen si banesa sociale, përfshirë apartamentet e kateve të larta në lagjet shumë të kërkuara.

Bjorton spekuloi se masa nuk kishte të bënte vetëm me integrimin e emigrantëve, por kishte të bënte me një zhvendosje ideologjike drejt pronësisë private.

“Praktikisht thotë se të kesh në pronësi shtëpinë tënde është diçka e mirë. Të jesh qiraxhi është diçka e keqe”, tha ai. “Por strehimi social si një lëvizje sociale në Danimarkë është shumë i fortë dhe shumë i vjetër. Mirëqenia e shtetit në një farë mënyrë është e bazuar në këtë, edhe pse jo plotësisht.”

Zyrtarët e strehimit theksojnë se asnjë qiraxhi nuk do të detyrohet të dalë nga shtëpia apo do të mbetet i pastrehë, por do t’ju ofrohet strehim alternative aty pranë.

Duke iu referuar privatizimit të planifikuar të 260 apartamenteve në “geton” e Mjolnerparken, një projektuese strehimi në Kopenhagen, Greta Kerrn Jespersen, drejtuese e planit të strehimit shoqëror Bovita, tha se kjo nuk është ndonjë “katastrofë e madhe”.

Por, tha ajo: “Nuk ,mund t’ia heqësh një shtëpi njerëzve pa shkaktuar antkh, mendime dhe ndjenja shqetësuese.”

Problemi, tha Bjorton, qëndron diku tjetër. “Njerëzit mendojnë se ne gënjejmë, se nuk jemi të ndershëm, jemi racistë dhe se kemi një axhendë të dytë”, tha ai. Banorët nuk janë agresivë, tha ai, por janë të zhgënjyer.

Host, nga ActionAid Danimarkë, tha se rezultati përfundimtar, megjithatë, do të ishte që njerëzit e varfër të nxiten të largohen nga kryeqyteti gjithnjë e më i shtrenjtë.

“Jetesa në Jopenhagen po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë”, tha ai.

“Unë mendoj se kur bën atë që po bën qeveria me strehimin social nëpër geto, atëherë i shtyn njerëzit të largohen nga qyteti. Nuk ka më vend për këta njerëz nëse qytet dhe ata thjesht po qarkullojnë rrotull.”

“Të rinjtë tanë ndihen të ofenduar dhe të stigmatizuar dhe duhet t’u vijë turp nga vendi ku po jetojnë”, tha Host.

“Kur aplikojnë për punë, ata nuk shkruajnë se kur jetojnë, sepse atëherë s’e fitojnë vendin e punës. Nuk janë aspak krenarë nga vendi nga vijnë. Ata po përjetojnë diskriminim në klasë, për shkak të stigmatizimit të vendit ku ata jetojnë. ”

“Kjo mund të kthehet kundër”

Pavarësisht nëse lagje të tilla si Mjolnerparken çlirohen përfundimisht nga përcaktimi si “geto”, kritikët e politikës thonë se banorët e saj do të vazhdojnë të përballen me të njëjtat probleme.

Ata argumentojnë se çështja është më komplekse sesa thjesht integrimi, por flet për çështje pabarazie, racizmi dhe diskriminimi në shoqërinë daneze.

“Shumë fëmijë dalin analfabetë nga shkolla daneze dhe përqindja është aq e lartë, saqë nuk ka asnjë lidhje me getot”, tha Jespersen. “Kjo ka të bëjë me varfërinë dhe trashëgiminë sociale.”

Bjorton tha: “Përshtypja ime është se shumë njerëz e shohin këtë jo si një geto apo si një legjislacion paralel të shoqërisë, por si legjislacion anti-mysliman. Kjo mund t’u kthehet kundër.”

“Ideja është që establishmenti politik dëshiron t’i tregojë publikut se ata janë të ashpër ndaj krimit dhe myslimanëve. Këtë e shihni kudo, që nga Britania në Hungari, në SHBA. Është pjesë e valës populiste të krahut të djathtë.”

Tingstrub, profesori i asociuar, u pajtua me këtë. “Unë mendoj se problemi është më shumë një problem me pabarazinë ekonomike dhe atë të mundësive që u ofrohen, sesa një problem me integrimin”, tha ajo.

“Nëse vini nga një pakicë etnike, mundësia që të arsimoheni dhe të zini punë është më e ulët sesa nëse vini nga një shumicë etnike. Dhe unë mendoj se kjo ka të bëjë me racizmin dhe diskriminimin në një masë të madhe.”

Ky artikull është realizuar i pjesë e Nismës Resonant Voices në BE, e financuar nga Fondi i Sigurisë së Brendshme i Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e BIRN dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të interpretohet sikur reflekton këndvështrimin e Bashkimit Europian.