Ankthi nga koronavirusi në Rumani – ku rasti i parë u shënua të Mërkurën – shtyu partinë kryesore në opozitë të shtyjë kongresin e saj të planifikuar për në fundjavë ndërsa Kisha Orthodokse i rekomandoi besimtarëve të mos puthin ikonat, me shpresë shmangien e infektimeve të mëtejshme.
Nga Marcel Gascón Barberá
Partia Social Demokrate e Rumanisë. PSD, vendosi të Enjten të shtyjë kongresin e vet të jashtëzakonshëm të thirrur për këtë fundjavë, kongres që duhej të zgjidhte një kryetar të ri, për shkak të frikës nga koronavirusi, virusi gripal që ka shtyrë botën të përgatitet për një pandemi të gjerë. Në Rumani rasti i parë i këtij virusi u identifikua të Mërkurën.
Udhëheqja e komanduar e partisë publikoi një deklaratë ku thuhej se si një “tregues i përgjegjësisë dhe shembull për t’u ndjekur nga e gjithë klasa politike,” partia po anulonte kongresin. PSD mbeti pa kryetar kur nëntorin e kaluar, kryetari i mëparshëm Viorica Dancila dha dorëheqjen për shkak se humbi zgjedhjet presidenciale.
“Prioriteti duhet të jenë njerëzit, jo aktivitetet politike dhe konfliktet,” shkruhet në deklaratë. Rumania pritet të mbajë zgjedhje vendore në qershor dhe parlamentare në fund të këtij viti. PSD duhej të shpallte në fundjavë edhe kandidatin e vet për kryeministër.
Sipas partisë, ajo vendosi të dëgjojë këshillat e specialistëve që sugjerojnë se takimet masive nuk janë të këshillueshme në këtë kohë.
Edhe Kisha Orthodokse e Rumanisë, të cilës i përkasin 85 për qind e rumunëve, hodhi një hap të pazakontë të Enjten kur i këshilloi besimtarët të heqin dorë për momentin nga praktika shekullore e puthjes së ikonave të shenjtorëve nëpër kisha pasi kjo gjë mund të shkaktojë përhapje të virusit.
Prania e qindramijërave emigrantëve rumunë në Itali, vendi që është bërë epiqendra e shpërndarjes së koronavirusit në Europë, është një burim madhor shqetësimi në Rumani.
Një numër dioqezash katolike në Itali kanë vendosur të ndalojnë meshat publike deri në një njoftim të dytë ndërsa në Iran është anuluar lutja tradicionale e së premtes nëpër xhami.
Në të gjithë botën mbi 80 mijë njerëz në 40 vente janë prekur nga virusi gripal nga i cili, 2,700 vetë kanë vdekur. Italia ka raportuar 14 vdekje deri tani, shifra më e lartë në Europë. Shumica e rasteve në Itali janë në zonën e Milanos në veri.