Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në urimin e tij me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës tha se sovraniteti dhe pavarësia e saj mbeten thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.
Në urimin e tij ai shkruan se “për më shumë se një dekadë të dy vendet tona kanë gëzuar një partneritet të fortë mbështetur në vlera të përbashkëta. Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbeten thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në udhëtimin tuaj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të nxitur përparimin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Sekretari Pompeo shkruan se pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të qeverisë, Kosova ka një mundësi të ripërtërirë për të realizuar mundësitë e saj të plotë si për qytetarët ashtu edhe për marrëdhëniet me vendet fqinje.
“Jemi inkurajuar nga ngjarjet e fundit që sinjalizojnë një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit, dhe lidhjeve tregtare dhe të njerëzve me Serbinë, të cilat paraqesin themelet për përparim të mëtejshëm në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”, shkroi sekretari Pompeo në urimin e tij për përvjetorin e 12-të të pavarësisë së Kosovës.