Qeveria shqiptare këmbëngul se shqiptarët nuk kanë arsye të kenë frikë për sa kohë vendi ynë mbetet zyrtarisht i paprekur nga virusi i frikshëm nga Kina. Ndërkohë, prokuroria e Tiranës njoftoi hapje hetimesh për “përhapje paniku” ndërsa opozita sulmoi qeverinë si të papërgatitur për një situatë pandemie.
Një pjesë e shqiptarëve duket se u mbërthyen nga paniku i përhapjes së mundshme të koronavirusit në vendin tonë, duke sulmuar farmacitë për maska dhe supermarketet për dizinfektues duarsh ndërsa virusi i frikshëm me origjinë nga krahina Vuhan e Kinës mbërriti në Itali.
Njohur zyrtarisht me emrin COVID-19, virusi ka prekur deri më 23 Shkurt 78,811 persona në të gjithë botën duke shkaktuar 2,462 të vdekur. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziku i prekjes nga virusi vlerësohet “Shumë i Lartë” për Kinën dhe “I Lartë” për pjesën tjetër të botës.
Deri tani, dhjetë vende europiane kanë raportuar së bashku 121 raste të këtij virusi por 76 nga këto janë në Itali, vendi me të cilin Shqipëria ka lidhje të shumëfishta.
Në Tiranë, si pasojë e frikës ndaj virusit, shkolla private Udha e Shkronjave njoftoi ndërprerjen e procesit mësimor për dy javë mëngjesin e së hënës. Por vetëm një orë më pas, Ministrja e Arsimit Besa Shahini kërcënoi shkollën me heqje të licencës dhe rekomandoi që drejtuesit e saj të hetoheshin nga sistemi i drejtësisë për përhapje paniku.
Për kërë shkak, shkolla tërhoqi vendimin e saj duke shkruar në faqen e vet në Facebook: “Për shkak të dhunimit tepër të rëndë të Ministrisë së Arsimit që, në debat për masat e arsyeshme në dobi të shëndetit të nxënësve, të marrë nga ana jonë në konsultim me prindërit, me 100% të prindërve, në përputhje me çfarë udhëzon OBSH-ja, përdor si mjet kërcënimin mbylljen e shkollës, jemi të detyruar të ANULLOJMË VENDIMIN TONË dhe nesër TË FILLOJMË PËRSËRI mësimin në shkollë. Zoti na ruajtë.”
“Midis SHËNDETIT dhe ANTIPANIKUT ministria zgjodhi fushatën antipanik,” shtuan drejtuesit e shkollës në deklaratë.
Prokuroria e Tiranës duket se nuk priti gjatë për të reflektuar mbi këtë situatë. Ajo njoftoi menjëherë hapjen e hetimeve për “përhapje paniku”.
“Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme”, deklaroi ajo pa iu referuar ndonjë rasti konkret të dyshuar.
Opozita ndërkohë kritikoi qeverinë për mungesë përgatitjeje ndërsa ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shfaq në Aeroportin e Rinasit duke parë kontrollet e temperaturës që po u bëhen një pjesë të udhëtarëve që vijnë nga Italia. Edhe ajo argumenton se aktualisht në vend po qarkullojnë informacione të rreme, por pa thënë se cilit informacion i referohet konkretisht.
“Ftoj qytetarët që të shmangin informacionet e rreme që qarkullojnë duke marrë në konsideratë vetëm informacionet zyrtare,” deklaroi ajo.
Ndërkohë në Itali koronavirusi ka shkaktuar bllokim të jetës normale në shumë qytete të vendit. Pasditen e së Hënës në këtë vend u shënua viktima e pestë. Një i moshuar 88 vjeç humbi jetën nga virusi në qytezën Caselle Landi, 70 kilometra larg Milanos.
Qeveria e Italisë miratoi një dekret-ligj, ekuivalenti në shqip i Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, me anë të së cilit urdhërohet ndalimi i manifestimeve, protestave apo aktiviteteve kulturore masive në qytezat e prekura nga virusi. [Link] Autoritetet thonë se kanë përgatitur 3 mijë shtretër në baza ushtarake në rast se do të nevojiten për të mjekuar të prekurit.
Bursat në të gjithë botën kanë pësuar rënie të ndjeshme si pasojë e bindjes mes investitorëve se koronavirusi do të shkaktojë probleme të konsiderueshme ekonnomike nga ngadalësimi apo mbyllja e aktivitetit ekonomik në shumë qytete.
(BIRN)