Nga Çapajev Gjokutaj
Këto ditë jo pak gazetarë terreni u drejtojnë mikrofonin kalimtarëve dhe i pyesin: A ke frikë nga koronavirusi? Një pjesë përgjigjen me po, por nuk janë të rrallë ata që mohojnë, disa me një lloj fataliteti: ‘Si të jetë e shkruar’, të tjerë me doza të theksuara kapardisjeje: ‘Pse të kem frikë!’, ‘Jemi mësuar ne’, ‘Hiç fare, pi ballë kazani ū, një litër e kam thapsur deri tani’.
Intervistime të tilla komentohen pastaj në emisionet bisedë të mbrëmjes. Si rregull injorohen ata që pohojnë dhe absolutizohen ata që mohojnë frikën. Duket se kjo bëhet për të thënë, theksuar, ritheksuar e stërtheksuar se jemi popull ashtu e kështu, thenë shkurt ‘shqiptarë hesapi’.
Mbase do të ishim më pranë të vërtetës po të thoshnim ‘gazetarë hesapi’. Kur del dhe pyet tjetrin çfarë ndjen, dëshmon o përtaci intelektuale, o fukarallëk profesional. Me rrënjë në këto handikape ka lindur klisheja gazetareske: çfarë ndjeve kur…
Emocionet si frika, gëzimi etj. perjetohen lehtë, natyrshëm e thuajse vetiu, por vështirë se mund të përcillen me fjalë as nga shkrimtarët, pa le më nga njerëzit e thjeshtë të kapur befas në pusinë e kamerës.
Natyrisht pyetja ‘a ke frikë nga koronavirusi’ zgjidhet thjeshtë me një po ose jo. Vetëm se përgjigjiet, në një pjesë të mirë të rasteve i bishtnojnë realitetit.
Arsyeja është se ky lloj sondimi, në vend që të vjelë qendrimin real të njerëzve ndaj epidemisë, priret të pasqyrojë një mentalitet tradicional e të vjetëruar për frikën.
Qysh fëmijë na mësojnë të admirojmë, madje edhe të idealizojmë trimin, dhe të përbuzim atë që frikësohet. Jo vetëm kaq, por na nxisin që këtë të fundit ta shpotisim me damkën ‘frikacak’.
Duke vepruar kështu, një emocion normal si frika e heqim nga rrafshi i psikologjisë dhe e shndërrojmë kryekëput në koncept moral, gjithnjë e domosdo negativ.
Në fakt frika, si të gjitha emocionet është e dobishme, e bën njeriun të reagojë, të tregojë kujdes e të mbrohet. Vërtet që frika e tepruar të çorodit, madje edhe të bllokon, por edhe trimëria e guximi, kur janë me tepri mund të kthehen në veprime të pamatura, që rrezikojnë veten dhe komunitetin.
Kultura jonë tradicionale synon ta demonizojë frikën dhe ta kthejë në tabu, dmth ta bëjë dukuri që ti duhet ta mohosh përpara të tjerëve, pavarësisht se brenda vetes e ndjen. Këtë bën edhe një pjesë e mirë e kalimtarëve të intervistuar si më sipër: paçka se ndjejnë frikë, hiqen si trima.
Që qytetari i rëndomtë mund të shtiret e të bëjë konformistin para kamerës është gati-gati e kuptueshme. Por që gazetari të paraqesë për realitet këto lloj shtirjesh është, më së paku, fukarallëk profesional. Fukarallëk që nxjerr zbuluar këta lloj gazetarësh, por edhe mbulon realitetin e keqorienton opinionin publik.