Nje punonjës me koronavirus ka qenë i pranishëm në zyrën ku mbahej mbledhja e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian në Bruksel.
Lajmin e bën me dije televizioni grek “ANT1” që raporton se mbledhja është mbajtur ditën e mërkurë në Bruksel ku kanë marrë pjesë edhe tre ministra grekë, ministri grek i Shtetit, ai i Migracionit dhe ai i Politikave të Mbrojtjes së Qytetarëve.
Të gjithë të pranishmit në mbledhje janë informuar më pas se një prej punonjësve që ka qenë në të njëjtat ambiente ishte i infektuar me koronavirus, raporton newsbomb.al.
Ky është rasti i tretë i zyrtarëve të BE-së të infektuar me koronavirus. Po ashtu, takimi i Ambasadorëve të Bashkimit Europian që ishte parashikuar të mbahej këtë të premte, është anuluar për shkak se përfaqësuesja kroate është vetë-karantinuar pas dyshimeve se mund të jetë prekur nga koronavirusi.
Përfaqësues të misionit të përhershëm të BE-së në Kroaci thanë për “Politico.eu” se ambasadorja kroate Irena Andrassy është karantinuar pasi ishte takuar me një kolege të Këshillit të Europës që rezultoi pozitive në testin për koronavirusin. /Newsbomb.al