Ka shkuar në nëntë numri i personave të infektuar me koronavirus në Greqi. Mediet fqinje raportojnë se është konfirmuar sot rasti i nëntë, në Patra.
Bëhet fjalë për një 66-vjeçar grek, i cili kishte shkuar në një ekskursion në Izrael dhe Egjipt, ndërsa tashmë është izoluar në një spital grek. 66-vjeçari ishte shtruar në spital pasditen e së hënës me probleme frymëmarrjeje, ndërsa mjekët kanë dhënë alarmin, pasi kanë konfirmuar se ai ishte prekur nga virusi vdekjeprurës.
Ndërkohë, po sot paradite është konfirmuar një tjetër rast i prekur me koronavirus. Mediet raportuan se ishte infektuar bashkëshorti i një mësueseje, e cila ishte infektuar më herët, pasi ishte shoqe me 38-vjeçaren greke, që ishte personi i parë i konstatuar me koronavirus në Greqi.