Sado e pashpirt mund të tingëllojë, impakti ekonomik dhe politik i pandemisë së koronavirusit do të përcaktohet në instancë finale nga të dhënat epidemiologjike dhe klinike. Për fat të mirë, në këtë rast, tendenca statistikore po zhvillohet në një mënyrë shumë më pak alarmuese nga sa sugjerojnë titujt e medias së panikosur.
Nga Anatole Kaletsky
Një vdekje është një tragjedi; një milionë vdekje është një statistikë. Pavarësisht nëse Stalini e ka thënë këtë me të vërtetë apo jo, shprehja përbën një përshkrim shumë të saktë dhe të pamëshirshëm i realitetit ekonomik.
Paniku botëror mbi koronavirusin e ri, COVID-19, është i kuptueshëm, për shkak se çdo vdekje e parakohshme është një tragjedi njerëzore. Por, sado e pashpirt sa mund të ngjajë, impakti ekonomik dhe politik i kësaj pandemie do të përcaktohet në instancë finale nga shifrat. Për fat të mirë, në këtë rast, shifrat përkatëse po zhvillohen në një mënyrë shumë më pak alarmuese nga sa mund të sugjerojnë titujt kryesorë të medias së panikosur.
Këto tituj kryesor mund të bëhen edhe histerikë në javët e ardhshme, për shkak se SHBA vetëm sa ka filluar të kryejë testimin masiv për koronavirus. Është pothuajse e sigurt se numri i amerikanëve që do të identifikohen si të sëmurë dhe që po vdesin nga COVID-19 do të rritet me shpejtësi, ndërsa ndjesia ekonomike do të përgjigjet në mënyrë të pritshme, para se opinioni publik në SHBA dhe nëpër të gjithë botën të fillojë të qetësohet nga fundi i Prillit dhe fillimi i Majit. Por, pavarësisht se koha e saktë nuk dihet, provat statistikore të dy muajve që nga fillimi i shpërthimit sugjeron se COVID-19 në fund do të ketë një efekt të vogël në shëndetësi dhe mortalitetin botëror, me përjashtim të rastit të provincës Hubei në Kinë, vendi ku filloi epidemia.
Grafikët më poshtë flasin vetë për këdo që kupton kombinimin eksponencial të çdo procesi infektues. Të katër grafikët më poshtë tregojnë se si media, politikanët dhe investitorët e shohin kërcënimin nga koronavirusi.
Në çdo vend ku ka filluar një shpërthim i madh i sëmundjes, nivelet e infektimit shpërthejnë pothuajse vertikalisht dhe në dukje duke ndjekur të njëjtin tipar që u dallua në fillim në Hubei, ku numri i viktimave dyfishohet çdo 3-4 ditë.
Por vëreni pabarazinë e stërmadhe në shkallët e këtyre epidemive në dukje të ngjashme (të treguara në të majtë dhe në të djathtë të grafikëve). Në Hubei, 40 mijë njerëz u infektuan në trei javët e para të epidemisë. Shifrat krahasuese për tri javët e para të epidemive në Korenë e Jugut dhe Itali, vendet më të prekura jashtë Kinës, ishin 5 mijë dhe 2,500 respektivisht.
Grafiku tjetër sugjeron një mënyrë të ndryshme dhe më kuptimplotë për të parë përhapjen botërore të koronavirusit. Ai tregon gjithashtu një ngjashmëri shumë të madhe mes epidemisë në Hubei dhe asaj në rajone të tjera, por me një mesazh shumë të ndryshëm.
Në çdo rajon të prekur, përhapja e virusit, e treguar këtu në shkallë logaritmike (siç është e përshtatshme për çdo proces infektimi eksponencial), është duke u ngadalësuar në pothuajse ndalim, afërsisht në të njëjtën mënyrë me eksperiencën në Hubei.
Media në mënyrë të parashikueshme pëlqen historitë lineare që ngjallin sensacione, të cilat ekstrapolojnë eksperiencën e Hubeit në një apokalips botëror me miliona apo miliarda viktima. Më suprizues është që edhe shumë politikanë dhe profesionistë të shëndetësisë janë gjithashtu duke promovuar këtë këndvështrim keqorientues.
Nëse ne pranojmë se infektimi është një proces eksponencial që është proporcional me popullsinë, atëherë provat deri tani tregojnë për diçka që është larg një apokalipsi. Suksesi i Kinës në stabilizimin e shkallës së infektimit brenda 4-6 javëve duket se reflektohet edhe në tre nga katër vendet e tjera të Azisë ku ka një numër mjaftueshëm të lartë rastesh për të nxjerrë konkluzione me kuptim nga një epidemi: Singapori, Japonia dhe Hong Kongu. Ndërsa shpërthimi i rasteve në Kore duket shumë më tepër alarmues, njësoj siç vërehet edhe në rastin e epidemisë në Italinë e Veriut, linjat e tendencës eksponenciale në të dyja vendet kanë filluar sakaq të ulen nga konveks në konklavë.
Nëse lëmë mënjanë Hubein, ku virusi u lejua të lulëzojë i pakontrolluar për një muaj apo më shumë, niveli i infektimit pa simptoma në të cilat të gjitha vijat duket se konvergjojnë është mes 10 raste dhe 100 raste për çdo milionë njerëz – ose mes një të dhjetës dhe një të qindrës së normës së konformuar të infektimit prëj 1,100 për milionë në Hubei. Provat nga të gjitha rajonet e infektuara, edhe nëse përfshijmë provincën e Hubeit, është që përhapja e virusit bie në një nivel të neglizhueshëm, ndoshta për shkak se pacientët e infektuar izolohen se mjekohen, ndërsa infektimi nga mbartësit pa simptoma është në fakt shumë më i kufizuar nga sa mendohej fillimisht.
Kështu, në vend që të përgatitemi për një skenar filmi katastrofe, në të cilin qeveri autoritare nëpër botë arrestojnë miliarda njerëz dhe i burgosin ata në zona të stilit të Hubeit, duket më e arsyeshme të presim diçka si ky skenari këtu. Për çdo milionë njerëz nga popullsia botërore, 10-100 duket se do të infektohen nga virusi në një formë të dallueshme. Me një popullsi botërore prej 7.5 miliardësh, numri i njerëzve me koronavirus nëpër botë, përtej 67 mijë pacientëve sakaq të diagnostikuar në Hubei, do të rritet nga gati 40 mijë sot në 75 mijë deri në 750 mijë.
Këto shifra mund të ngjajnë shumë të përgjithshme dhe me shkallë të lartë paqartësie, por e rëndësishmja është që edhe shifra maksimake është ende goxha e ulët në krahasim me skenarët apokaliptik që dominojnë median. Për më tepër, nëse gjykojmë nga eksperienca klinike e vendeve të Azisë me sisteme dinjitoze shëndetësore dhe administrative, vdekshmëria mes pacienëve është në masën 2-3%. Në Singapor, vendi me normën më të lartë për frymë të infektimeve fillestare pas Kinës, nuk është shënuar asnjë vdekje deri më sot mes pacientëve të koronavirusit.
Është e vërtetë, norma e vdekshmërisë në vendet e varfra me kujdes shëndetësor shumë më të papërshtatshëm ka gjasa do të jetë i lartë. Por edhe nëse vdekshmëria në pjesën tjetër të botës të jetë shumë më e lartë se sa eksperienca në vendet e përparuara të Azisë, le të themi 10% mortalitet dhe jo 203%, kjo do të thotë se mes 7500 dhe 75 mijë vetë mund të vdesin në botë.
Kjo është një tragjedi e madhe njerëzore; por si statistikë me impakt ekonomik apo politik do të jetë pothuajse e padallueshme në krahasim me shifrën e 55 milionë njerëzve që vdesin çdo vit nga kushtet e zakonshme shëndetësore.
Project Syndicate- COVID-19 by the Numbers