Në krahasim me një luftë botërore, epidemia e COVID-19 është një problem tepër i menaxhueshëm, nëse qeveria amerikane tregohet në lartësinë e duhur për këtë sfidë. Por pa një mobilizim masiv për të garantuar furnizime me produktet bazë dhe për të parandaluar panikun, kriza mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit.
Nga James K. Galbraith
Kur japonezët sulmuan Pearl Harbour-in, Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi dhe ishin të papërgatitur, por u iluzionet e saj u shuan shpejt. E njëjta gjë nuk vlen për epideminë COVID-19. Sulmi është në zhvillim e sipër dhe mbrojtja jonë ka rënë, por, deri më tani, iluzionet tona vazhdojnë të mbeten të paprekura.
Kjo do të ndryshojë shumë shpejt ndërsa numri i të infektuarve dhe ai u vdekjeve rritet, ndërsa tregjet e bursës mbyllen. Zinxhirët e furnizimit global janë prishur nga ngjarjet në Kinë dhe India sapo ndaloi eksportin e disa ilaçeve të përgjithshme. Maskat mbrojtëse tashmë janë në mungesë dhe mjetet për përdorim të përditshëm, si dezinfektuesi i duarve, janë bërë të vështira për t’i gjetur. Ekonomia amerikane tepër globalizuar, e drejtuar nga konsumatori dhe financa nuk ishte projektuar për një pandemi.
Sistemi mjekësor i vendit është akoma më keq. Amerika ka një kapacitet të gjerë kujdesi shëndetësor, por miliona njerëz janë të pasiguruar, s’kanë mbulimin e duhur përsa i takon sigurimeve shëndetësore ose thjesht ngurrojnë të shkojnë te mjeku ose në urgjencë, për shkak se duhet të paguajnë plotësisht ose pjesërisht faturat për këtë. Në një pandemi – ku çdo person i infektuar është një kërcënim për të gjithë popullatën – kjo është një formulë për katastrofë. Të gjithë duhet të jenë në gjendje të dalin para, të bëjnë analiza dhe të marrin trajtim falas pa frikë nga pasojat – përfshirë shumë të varfrit, të pastrehët dhe ata që s’janë të pajisur me dokumente.
Personeli mjekësor amerikan nuk është i pajisur dhe pajisjet që ata kanë nuk janë të dizajnuara për të menaxhuar një shpërthim të mundshëm njerëzish që kanë nevojë për izolim dhe kujdes të specializuar. Mund të nevojiten shtretër spitalorë dhe njësi karantine kur niveli i të infektuarve te tejkalojë kapacitetet lokale, dhe lëvizja e njerëzve të sëmurë dhe infektues në distanca është diçka e rrezikshme. Trajnimi efikas për ata që do të kujdesen për zonat e karantinës është kritik. Përndryshe, virusi do të përhapet edhe në mesin e stafit. Pajisjet mjekësore, siç janë kutitë për kryerjen e analizave dhe veshjet mbrojtëse duhet gjithashtu të dërgohen ku dhe kur ato janë të nevojshme.
Edhe fluksi i furnizimeve me gjëra të zakonshme për njerëzit paraqet një rrezik. Fuqia blerëse rezervë e familjeve amerikane është e gjerë. Nëse vendosin papritur të grumbullojnë ushqime të thata dhe të konservuara, peceta, bateri, aspirina dhe gjëra të tjera bazë, këto mund të zgjasin për pak kohë. Dhe nëse fabrikat dhe zinxhirët e shpërndarjes mbyllen, problemi mund të përshkallëzohet pasi çdo mungesë nxit një valë të re paniku. Më e pakta që mund të ndodhë është se çmimet do të rriten dhe këtë do ta vuajnë familjet me të ardhura të ulëta.
Të gjitha këto probleme janë përkeqësuar nga mungesa e besimit të gjerë tek autoritetet amerikane dhe mediat komerciale. Për ta zgjidhur këtë, qeveria duhet të fuqizojë Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave që të mund t’u thotë amerikanëve atë që po ndodh saktësisht dhe që të japin udhëzime të qarta dhe të besueshme. Komunikimi i drejtpërdrejtë, i rregullt masiv nga profesionistë shkencorë kompetent, sesa nga politikanët dhe mediat, mund të ndihmojë për të ruajtur qetësinë, mund të promovojë sjellje me rrezik të ulët dhe mund të shmangë panikun.
Për më tepër, Qendrat për Shërbime Mjekësore dhe Sigurime Shëndetësore duhet të autorizohen që të mbulojnë shpenzimet e plota të kryerjes së analizave dhe trajtimit të rasteve me COVID-19, pa përjashtime dhe pa rreziqe ligjore. Por nuk mjafton që kryerja e analizave dhe trajtimi të bëhen “të përballueshme”. Sëmundja nuk mund të izolohet nga klasa ekonomike. Në një pandemi, nuk ka asnjë alternative tjetër të pranueshme përveçse që kujdesi shëndetësor të bëhet universal dhe pa kosto.
Për të financuar facilitetet e nevojshme, Kongresi duhet të themelojë një Korporatë të Financave të Shëndetit, HPC, sipas modelit të Korporatës së Financave të Rindërtimit, RFC, të periudhës së Depresionit të Madh. Ashtu si RFC, e cila ndërtoi fabrika municionesh dhe spitale gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, HFC duhet të ketë kompetenca të gjera për të krijuar korporata publike, t’u japë hua kompanive private (për të financuar prodhimin e nevojshëm) dhe të mbulojë kostot e tjera emergjente. Edhe më shpejt, Garda Kombëtare mund të futet në punë për t’u marrë me çështje kritike të furnizimit dhe për të krijuar lehtësira emergjente siç janë spitalet në terren dhe qendrat e karantinës.
Rezerva Federale mund të blejë borxhin e spitaleve dhe të ofruesve të tjerë të kujdesit shëndetësor, si edhe të punojë për të stabilizuar tregjet e kredisë, siç bëri në vitet 2008-2009.
Dhe e fundit, qeveria amerikane duhet të ketë autorizimin për të shpërndarë furnizime mjekësore, në mënyrë që të garantojë që i gjithë populli të ketë qasje në pajisjet dhe ilaçet themelore mbrojtëse, bazuar në nevojën dhe pavarësisht nga të ardhurat. Shumica e këtyre artikujve janë të thjeshtë dhe të lirë, kështu që problemet e furnizimit mund të jenë jetëshkurtra. Por nëse ato nuk trajtohen shpejt, qeveria ka fuqinë që sipas Ligjit për Industrinë e Mbrojtjes të vitit 1950 të jap urdhra për sektorin privat, si edhe të kontrollojë çmimet për të parandaluar përfitimet.
Në krahasim me një luftë botërore, COVID-19 është një problem relativisht i vogël që duhet të jetë i menaxhueshëm. Por kontrolli i një pandemie megjithatë kërkon mobilizim: një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin burime, shërbime, financa dhe informacione. Publiku duhet të ndiejë nevojën urgjente për ndryshime rrënjësore në sjellje, prishje të rutinave të përditshme dhe për masa të forta për të parandaluar spekulimet destruktive nga ata që kërkojnë të fitojnë para të lehta.
Përsëri, sulmi në Pearl Harbour ofron një precedent të dobishëm. Brenda dy ditësh, SHBA-ja deklaroi luftë dhe filloi të zhvendosej në një situatë lufte. Ndërsa japonezët përparuan në Malaya, SHBA-ja nxori një urdhër ndalimi mbarëkombëtar për shitjen e gomave, për të shmangur blerjet nga paniku dhe për të mbrojtur përdoruesit thelbësorë, si dhe një kufi shpejtësie prej 56 km/orë për të kursyer gomat dhe karburantin. Këta urdhra qenë të shpejtë, vendimtarë dhe përgjithësisht të pranuara. Ata treguan se publiku amerikan, kur është e nevojshme, mund të bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët.
Me ardhjen e epidemisë COVID-19, amerikanët tani duhet të risjellin në kujtesë historinë e tyre. Ne jemi përballur edhe më parë me kriza më të mëdha. Të njëjtat institucione, praktika dhe ndërgjegjësim i shpirtit publik që i shërbyen prindërve dhe gjyshërve tanë, mund të na shërbejnë edhe neve. Por nuk duhet të humbasim asnjë çast për të vepruar.
Project Syndicate