Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, u është drejtuar të gjithë britanikëve të dielën duke u thënë prerë se nëse nuk mbajnë distancë 2 metra nga njëri-tjetri kur janë jashtë, do të mbyllë parqet dhe të kufizojë lëvizjen e tyre.
Në vetëm 24 orë, bilanci i viktimave në Britani shkoi nga 48 në 281, me më shumë se 5600 persona të prekur nga koronavirusi.
Paraditen e sotme britanikët e shijuan nëpër plazhe e parqe, pavarësisht se u është thënë që duhet të distancohen nga njëri-tjetri për shkak të pandemisë.
Johnson kërcënoi se do të kopjojë disa nga masat më drastike që kanë marrë shtete të tjera evropiane si Italia apo Franca, nëse britanikët do të vazhdojnë të sillen njësoj.
“Do e mendojmë thellë këtë gjë në 24 orët e ardhshme. Do të mendojmë për masat që duhet të marrim, që i kemi parë edhe në vendet e tjera, të cilat kanë kufizuar krejtësisht lëvizjen e njerëzve. Nuk dua ta bëjë këtë.
Edhe nëse mendoni se nuk prekeni nga virusi, ka shumë njerëz të tjerë që mund të infektoni. Nëse nuk i përdorni dot parqet në mënyrë të përgjegjshme, nëse nuk respektoni rregullin e 2 metrave, do të marrim masa edhe më shtrënguese”, tha Johnson.