I ashtuquajturi “Imunitet i tufës” është një mekanizëm sipas të cilit, kur shumica e një popullate është imune ndaj një infeksioni (sepse është prekur ose është vaksinuar), patogjeni nuk gjen njerëz që të infektohen, duke bërë të mbrojtur në mënyrë indirekte, edhe ata pak njerëz që janë ende të prekshëm.
Imuniteti i tufës nuk mund të shkaktohet vullnetarisht duke lënë të infektohen numrin më të madh të njerëzve, është më tepër një objektiv që arrihet përmes fushatave të vaksinimit. Këto fushata, duke nisur nga një bazë popullsie imune, e konsoliduar pas valës së parë të një epidemie, pas prodhimit të vaksinës kryhen për të gjithë njerëzit nga personeli shëndetësor, duke filluar nga personat më në rrezik apo më të dobëtit. (Tani po flitet shumë për të, për shkak se në Britaninë e Madhe, një këshilltar shkencor i qeverisë, Sir Patrick Vallance, shpjegoi se tani për tani strategjia për frenimin e virusit, është të zhvillohet një imunitet i caktuar i popullatës. Dhe për ta bërë këtë, sipas tij, duhet që të preket nga Covid-19, 60% e popullsisë. Vendi duhet të përgatitet të “humbasë para kohe të dashurit “, tha Kryeministri Boris Johnson).
Me sa sukses është përdorur mekanizmi?
“Suksesi më i rëndësishëm ka qenë ai kundër lisë – përgjigjet Paolo Bonanni, profesor i Higjienës në Departamentin e Shkencave Shëndetësore të Universitetit të Firences. Ne e kemi bërë, duke arritur rreth 85% të mbulimit të vaksinimit në në të gjithë botën, përfshirë zonat më të largëta të globit. Nuk është e lehtë të arrish imunitetin e tufës, edhe kur ekziston një vaksinë, madje është edhe më e vështirë të shkosh në zhdukjen totale të një sëmundjeje. Mbulimi i vaksinimit duhet të jetë i lartë kudo në botë, dhe nëse viruset me të cilët përballemi (siç është koronavirusi) vijnë nga bota e kafshëve, eliminimi i plotë është pothuajse i pamundur. Lija ishte një virus vetëm njerëzor. Edhe poliomieliti i tillë është, në të vërtetë ai është zhdukur pothuajse plotësisht”.
A është me risk të synosh imunitetin “spontan” të tufës?
“Do të nënkuptonte të lejoje që virusi të qarkullojë pa masa kontrolli, dhe të ketë një numër të patolerueshëm të vdekurish, për të mos përmendur situatën në spitale. Ne para së gjithash mbrojmë jetën e njeriut me armët që kemi në dispozicion, dhe tani për tani kemi në dispozicion vetëm izolimin dhe distancimin shoqëror. Me një virus të ri hyjnë në lojë edhe variablat e panjohura: nuk e dimë nëse imuniteti do të jetë i përhershëm. Por edhe sikur të ishte, ne duhet të vlerësojmë nëse patogjeni ndryshon, siç bën edhe gripi sezonal (për të cilin duhet të vaksinohemi çdo vit)”.
Sa njerëz duhet të sëmuren (apo më mirë të vaksinohen) për të mbërritur tek imuniteti i tufës?
“Numri varet nga patogjenët dhe vlera e Ro, aftësia përhapëse ose “shkalla e riprodhimit”, d.m.th se sa njerëz është në gjendje të infektojë çdo person i prekur. Me fruthin, i cili ka një vlerë të Ro prej rreth 15, duhet të arrini mbulesa shumë të larta, sepse nevojiten pak njerëz për të vazhduar transmetimin”.
Po me koronavirusin?
“Ro duhet të jetë më pak se 1, pikërisht sepse ky prag do të thotë që një person infekton më pak se një person dhe virusi po shuhet. Në rastin e koronavirusit, vendosja e një Ro prej 3, formula (1-1 / R3) çon tek dy të tretat e popullsisë, 66 përqind”.
Si i bëhet të kuptohet që 66% e popullsisë është bërë imune?
“Nuk mund ta kuptohet në këtë fazë, ajo bëhet në fund të epidemisë: nevojiten hetime serioze epidemiologjike. Merret gjaku nga një numër njerëzish (me mijëra) dhe kontrollohet numri i antitrupave të zhvilluara. Ky kampion na jep një ide të përqindjes së përhapjes së patogjenit”.
A do të jetë imuniteti i përhershëm?
“Pas infeksioneve më të zakonshme nga viruset, zakonisht zhvillohet imunitet i përhershëm: fruthi merret një herë në jetë, madje edhe rubeola, gripi ndërkohë pëson mutacion. Tani për tani, koronavirusi nuk duket aq i ndryshueshëm, por është herët të kuptohet”.
Kur të kemi një shkallë të ulët infeksioni dhe të heqim masat kufizuese, a do të infektohemi përsëri?
“Ne duhet të ruajmë një nivel mbikëqyrjeje që mund të monitorojë ato pak infeksione që mund të ndodhin përsëri, në mënyrë që të izolohen menjëherë. Vigjilenca nuk duhet të ulet menjëherë pasi të kalojë kulmi, por duhet të ruhet për kohë relativisht të gjata”.
Nëse nuk kemi zhvilluar imunitet të tufës, a do të na prekë virusi përsëri në vjeshtë?
“Ne kemi përvojën e virusit H1N1 dhjetë vjet më parë, e cila ishte një pandemi, megjithëse me pasoja modeste: prisnim një valë masive në dimër / pranverë (ai ishte zhvilluar në nëntor), por nuk ndodhi. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me koronavirusin. Por ndërkohë është thelbësore të fitohet kohë, t’u mundësohet studiuesve të zhvillojnë një vaksinë, e cila do të jetë përgjigjja përfundimtare”. / Corriere della Sera – Bota.al