Përleshje të reja u regjistruan mëngjesin e sotëm në kufirin grek, ku kanë vërshuar më mijëra emigrantë nga Turqia. Forcat greke përdorën gazin lotsjellës për të zmbrapsur turmat e njerëzve që po tentonin të hynin në Greqi.
Turqia deklaroi se kufijtë e saj janë të hapur, për emigrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Europian pas sulmeve ajrore në Idlib, ku u vranë dhjetëra ushtarë turq.
Vendi Helen, i cili ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra emigrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet europiane, është zotuar të mos e lejojë një fluks të ri të tyre. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu një ditë më parë mbështetje për përpjekjet e Athinës.
“Situata në kufirin tonë nuk është vetëm çështje e menaxhimit për Greqinë, por është përgjegjësi e Europës në tërësi”, tha ajo një konference për shtyp, pasi vizitoi rajonin së bashku me liderët tjerë të BE-së dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nxori një tjetër pretendim. “Ata nuk i paguan 6 miliardë euro-t e premtuara. Tani, ata thonë se do të ndajnë 1 miliardë euro. Kë po e gënjeni ju?”, u shpreh ai.
Deklaratën, Erdogan e bëri gjatë një konference për shtyp në Ankara me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, por ky i fundit u shpreh se këto para për Turqinë ishin miratuar dhe nuk e kuptonte përse nuk u dhanë.