Kryeministri Rama ka dy arsye të forta që vendosi të bllokojë totalisht lëvizjen që prej të shtunës në mesditë deri të hënën: Të gjithë, izolim në shtëpi.
Arsyeja e parë dhe dukshme është se gjatë orareve të lira të lëvizjes në mëngjes 8-10 dhe pasdite 16-18, në kryeqytet një pjesë e qytetarëve kanë qenë indiferentë ndaj rregullave. Me sy të lirë dalloje grumbullime me më shumë se dy vetë; nëpër lagje gjysmë fshehurazi shërbehej kafe; popullimi i rrugëve nuk ishte i vogël në kushtet e izolimit, duke e zhbërë kështu karantinën gjatë orëve të tjera të ditës.
Polica e pati të pamundur të kontrollojë të gjitha automjetet dhe ato që kishin motiv punën dhe kudo, edhe në sheshet kryesore gjeje që lëviznin lirshëm qytetarë nga të gjitha moshat. Dukej si një nga ato fundjavat e verës në kryeqytet. Praktikisht, kjo situatë sjellje e rrit me probabilitet më të lartë shpëndarjen e virusit duke ia zvogëluar efektin izolimit.
Në Shqipëri numri i të prekurve me Covid-19 ka shkuar në 70, ka dy të vdekur dhe harta e shpërndarjes është zgjeruar me vatra të tjera të reja. Kjo rritje dhe liria e orëve të lëvizjes e kanë shtuar edhe më shumë rrezikun.
Por një arsye tjetër është edhe më e fortë. Që kur nis karantina dhe në Shqipëri u zbulua pacienti i parë i infektuar, më 8 mars, gazeta “Si” ndërtoi një grafik të bazuar në të dhënat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për të treguar trendin e përhapjes së virusit në Shqipëri të krahasuar edhe me Kinën dhe Italinë si dy vendet më të prekura.
Për të kuptuar në çfarë përmasash do të jetë infektimi nga Covid-19, që në fillim, të dhënat na treguan se kjo javë do të jetë vendimtare për Shqipërinë. Ditët e para trendi i përhapjes së Shqipërisë ishte gati njësoj si në Kinë ashtu edhe në Itali.
Institucionet shkencore ndërkombëtare dhe ato të shëndetit kanë gjetur se periudha e inkubimit të virusit, dmth sa ai qëndron në trupin e njeriut të infektuar pa shfaqur simptomat, është 14 ditë. Pra, potencialisht, jemi vetëm një ditë larg kur pritet që virusi të dalë nga inkubimi.
Fundi i ditës së shtunë, nëse do të ecet sipas modelit të Kinës dhe Italisë, është dita ku virusi shpërthen. Siç treguan ditët në vijim në Kinë dhe Itali kurba e përhapjes pësoi kulme të tjera, por ne po marrim në shqyrtim vetmë momentin e parë kur numri i të prekurve del jashtë mesatares së këtyre ditëve duke qenë më i lartë.
Më 8 mars në Shqipëri u gjet personi i parë i infektuar. Autoritet thanë se është pacienti zero, por siç treguan ditët, djali nga Puka ishte i pari i zbuluar zyrtarisht, por ndoshta jo pacienti zero. Ato ditë bashkë me të kanë ardhur edhe shqiptarë të tjerë nga Italia.
Gjithsesi, duke qenë se kjo është data e parë, përllogaritet që fundi i perudhës së inkubimit të jetë diku rreth datës 21- 22 mars, ku mund të jetë kulmi i parë i shpërthimit për një numër njerëzish të infektuar. Numri 1 në Grafikun e ndërtuar nga gazeta “Si” tregon ditën kur në secilin shtet u shfaq pacienti i parë. Në Shqipëri është data 8 mars ose 13 ditë më parë.
Ne kemi vënë re se në ditën e 19 ka një kapërcim të theksuar të rasteve me Covid-19, si në Kinë ashtu dhe në Itali. Në Kinë numri i të infektuarëve nga dita e 7 në atë të 14 është gati dyfishuar e po kjo situatë e ngjashme shumëfishimi është vënë re edhe në Itali ku numri është gati dhjetëfishuar.
Ajo që i përbashkon Kinën dhe Italinë është se në të dyja vendet virusi i ka prekur qytetarët me pothuajse të njëtin trend. Shqipëria – siç duket nga grafiku që kemi ndërtuar – ka luhatje nga trendi këto ditët e fundit, duke qenë me shpejtësi më të vogël të infektimit, ndoshta për shkak të karantinës më të shpejtë, por pse jo edhe për shkak të numrit të testeve.
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero megjithëse e shikon rritjen e numrit të të infektuarve në mënyrë të moderuar në Shqipëri, i “trembet kësaj qetësie”. Të dhënat tregojnë së ndoshta data 27 mars do të jetë një tjetër kulm shpërthimi.
Duke qenë se po i afrohemi pikës së shpërthimit, vetëm një ditë larg, kjo mbetet një arsye e denjë për të shpjeguar urdhërin e fundit të Kryeministrit që në fundjavë të mbyllemi në shtëpi me patjetër. Ndonëse radikal, është një veprim i mirëpritur. Mos harroni, Covid-19 nuk diskriminon askënd. Mos i merni gjërat lehtë, rrini në shtëpi dhe ndiqni këshillat për higjienën, pasi kjo është gjëja më e mirë që duhet bërë tani!
Si ta sfidojmë korovirusin:
Trego shembullin tënd
Promovo qëndrimin në shtëpi kur je i sëmurë
Administro burimet me mençuri (ushqimet, detergjentet, etj.)
Kujdesu për më të rrezikuarit
Kujdesu për fëmijët dhe ushqimin e tyre
(Gazeta SI)