Nga Angela Dewan* – Një grua në një supermarket australian godet me thikë mbi një burrë në një përleshje për letrën e tualetit. Një student nga Singapori i përkatësisë etnike kineze rrihet në rrugët e Londrës dhe i thyhen nofullat. Protestuesit në ishullin e Reunion të Oqeanit Indian mirëpresin duke i goditur me gurë udhëtarët e një anijeje.
Koronavirusi rrezikon të sjellë më të keqen te njerëzimi.
Mos harroni asnjëherë se furnizimi me letër higjienike në Australi është i bollshëm, që singaporiani nuk ka asnjë lidhje me virusin dhe se asnjë pasagjer i vetëm në anijen e lundrimit “Princesha” që u fut në Reunion nuk ishte i infektuar.
Incidente irracionale dhe egoiste si këto ka të ngjarë të përbëjnë përjashtimin, jo rregullin, por një mentalitet i “secili për vete-Zoti për të gjithë” duket se po rritet, duke vënë në dyshim aftësinë e botës për t’u bashkuar dhe ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Udhëheqësit e kombeve të prekura po përpiqen të kontrollojnë situatën. Ata vendosin masa kufizuese në vendet e tyre, injektojnë para në ekonomitë e tyre dhe premtojnë se sistemet e tyre shëndetësore do të arrijnë të gjejnë disi shtretërit shtesë, mjekët dhe infermierët për të cilët kanë nevojë në mënyrë të pashmangshme.
Megjithatë, duket se ka pak koordinim midis vendeve për të adresuar atë që natyrisht është një sfidë globale.
Maskat për fytyrën në të gjithë botën po mbarojnë, pasi njerëzit edhe pse nuk u duhen, po i grumbullojnë. SHBA po i grumbullon ato, ndërsa Koreja e Jugut, Gjermania dhe Rusia, ndër të tjera, kanë ndaluar eksportin e tyre, për të siguruar që popullata e tyre të ketë mjaftueshëm.
India, e cila përbën 20% të volumit të ilaçeve në botë, ka ndaluar disa medikamente të eksportohen. Po, është e vërtetë që nuk mund të marrë mjaftueshëm përbërës nga Kina dhe të arrijë prodhimin e vet të zakonshëm, por gjithsesi i mban aq sa ka për vet.
Populistët drejtojnë gishtin
Kjo pandemi tani ka marrë më shumë se 5,000 jetë, infektoi mbi 150,000 njerëz dhe preku çdo kontinent, përveç Antarktikut, pasi kalon kufijtë gjeografikë që janë mbyllur politikisht.
Liderët evropianë janë takuar disa herë dhe vetëm të martën njoftuan përfundimisht disa veprime të koordinuara. Vendimi kishte për qëllim kryesisht stimulimin ekonomik, në vend që të krijonte një plan shumë të nevojshëm për të ngadalësuar përhapjen e virusit në të gjithë rajonin.
Ekziston dyshimi serioz se mjetet e zakonshme ekonomike madje mund të funksionojnë apo jo. Gjatë një krize shëndetësore, injektimi i parave në ekonomi jo domosdoshmërisht i bën njerëzit të shpenzojnë. Konsumatorët udhëtojnë dhe blenë më pak, dhe përsa i përket furnizimit, fabrikat dhe bizneset po mbyllen në vende si Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Italia.
Italia, vendi më shumë i prekur pas Kinës, u ankua se BE-ja kishte qenë shumë e ngadaltë për të dhënë ndihmën e vet, pasi ajo kishte nevojë në mënyrë të dëshpëruar për më shumë maska kirurgjikale dhe ventilatorë për pacientët, të cilat tani ka besim se do t’i sigurojë në Kinë.
Udhëheqësit e BE kanë kritikuar vendet anëtare për kërkesat e tyre për më shumë mjete mbrojtëse të tilla si maskat, pasi blloku 27-vendësh supozohet të jetë i bashkuar dhe të shijojë tregtinë e lirë.
Pandemia vjen në një kohë kur bota tashmë po vinte në pikëpyetje globalizimin, nën morinë e argumenteve antiglobalizëm dhe me partitë populiste që kërkonin izolim më të madh.
Lideri i opozitës së djathtë ekstreme italiane, Matteo Salvini bëri thirrje kohët e fundit që vendi të mbyllë kufirin e tij.
“Infeksioni po përhapet. Dua të di nga qeveria kush ka hyrë brenda dhe kush ka dalë. Ne duhet të vulosim kufijtë tanë tani,” tha ai në një video në Facebook në fund të shkurtit.
Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën e inkuadroi shpërthimin si një “virus të huaj”, duke fajësuar Evropën që nuk veproi shpejt, ndërsa njoftoi kufizime të ashpra për udhëtimet nga më shumë se dy duzina vendesh evropiane. Të shtunën ndalimi i udhëtimeve u shtri edhe për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.
Pse njerëzit mund të jenë egoistë dhe irracionalë
“Pjesa më e madhe e kësaj sjelljeje të vetvetishme vjen nga tendenca e njerëzve për t’u besuar ndjenjave të tyre mbi faktet, një mënyrë e të menduarit që është “evolucionarisht e lashtë”, thotë Paul Slovic, psikolog në Universitetin e Oregonit (SHBA), i cili studion perceptimin e rrezikut.
Ekzistojnë dy mënyra kryesore të të menduarit, shpjegon ai: një sens intuitiv i bazuar në ndjenja dhe tjetri më racional i bazuar në arsyetimin shkencor, provat dhe arsyen. Por është mënyra intuitive që mbizotëron, sipas Slovic.
“Në periudhën më të hershme kur po evoluonim, kishte shumë rreziqe përreth, dhe ato rreziqe u përjetuan direkt, ishin kërcënime me të cilat u përballëm drejtpërdrejt nga krijesa kërcënuese ose fiset e tjera; të gjitha ishin shumë direkte dhe konkrete. Kështu që këto reagime të bazuara mbi ndjenjat ishin shumë të dobishme për të na ndihmuar të vepronim shpejt dhe të njihnim mikun nga armiku. Ishim ne kundër atyre”, thotë Sloviç.
“Është njësoj si të dëgjosh një tingull pas shkurreve të pyllit që mund të ishte një kafshë e rrezikshme. Ju nuk ndaleni të arsyetoni se çfarë po shkakton tingullin – a është me të vërtetë një kafshë e rrezikshme? Thjesht pranoni faktin që zhurma është e frikshme dhe largoheni prej andej. Lëvizni shpejt. Kështu që mbijetesa jonë varet nga testimi i emocioneve tona, sjellja e shpejtë dhe veprimi sipas këtyre ndjenjave”, thotë ai.
Ndjenjat, sipas Slovic, zakonisht janë një udhëzues i dobishëm që na ndihmon të marrim vendime të mira çdo ditë.
“Është e lehtë, është e natyrshme, e shpejtë – është një aftësi e jashtëzakonshme në trurin tonë modern. Por ka disa gjëra që nuk i bën mirë dhe një nga ato gjëra është se nuk shkon shumë mirë me statistikat ose numrat”, shprehet Slovic.
“Kjo po luhet tani në pandeminë aktuale – thotë ai – pasi shumica e informacioneve të marra përmes mediave dhe zyrtarëve janë disa nga rastet dhe fatalitetet më të këqija. Ne nuk po e llogaritim mirë që pjesa më e madhe e rasteve janë infeksione të lehta, madje asimptomatike”.
“Nuk është befasuese që disa njerëz të mund të ndjehen të kërcënuar nga dikush që vjen nga Ëuhan, ku e pati origjinën virusi, ose Kina, ose një vend tjetër ku ai është përhapur, për shkak të mënyrës sesi funksionon mendja. Është një përgjigje e natyrshme, mbrojtëse, e cila mund të ekzagjerohet dhe të bëhet e dëmshme ndaj njerëzve që paraqesin me të vërtetë një rrezik shumë të ulët”, thotë profesor Slovic.
“Por është një emocion që duhet të joshet nga arsyeja – ne duhet të themi, çfarë dimë në lidhje me probabilitetin që ky grup njerëzish me të vërtetë do të na dëmtojë në një farë mënyre? Cila është ashpërsia e tij? Çfarë tregojnë të dhënat ? Çfarë mund të themi për nivelin e rrezikut? Por ajo që vërejmë është se stigma mund të ndodhë edhe kur rreziku është shumë i ulët”, thotë Slovic.
Në fakt, grumbullimi i rezervave nuk është gjithmonë i paarsyeshëm
Bota nuk është se ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Për të gjithë shembujt e sjelljes antisociale, ka pasur veprim pro-shoqëror.
Ne mund të ndjehemi të prekur nga mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mjekësor që janë ende në punë, shpesh në vijën e parë të frontit, duke rrezikuar shëndetin për të mirën e përbashkët. Punonjësit e pastrimit janë ende duke punuar në zyra, në trena dhe në shkolla e çerdhe, duke bërë pjesën e tyre për të mbajtur njerëzit të sigurtë.
Njerëzit po e marrin seriozisht larjen e duarve dhe dezinfektimin – shitja e xhelave të duarve në të gjithë botën është dëshmia e kësaj – për të parandaluar përhapjen komunitare të virusit.
Dhe grumbullimi i sendeve ushqimore mund të mos jetë diçka aq egoiste siç duket, sipas tekno-sociologut Zeynep Tufekci nga Universiteti i Karolinës së Veriut.
Përgatitja për virusin “është një nga gjërat më pro-sociale, altruiste që mund të bëni si përgjigje ndaj mungesave të mundshme të këtij lloji”, shkroi ajo në “Scientific American”.
Ajo argumenton se të qenit gati me sende ushqimore në shtëpi mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së virusit, nëse kjo do të thotë të mos keni nevojë të dilni në supermarkete dhe nëse ato rezerva mund të ndahen me fqinjët më vulnerabël dhe më pak të organizuar. “Të jesh mbahesh mirë me shëndet dhe të bësh vaksinën antigrip, do të ndihmojë t’u shpëtosh kokëçarjeve nga sistemet e kujdesit shëndetësor”, tha ajo.
Kjo sjellje pro-shoqërore ka ndodhur edhe në të kaluarën. Lufta e Dytë Botërore mund të ketë qenë shfaqja më e keqe e njerëzimit në historinë moderne, por ishte gjithashtu një kohë kur pjesa më e madhe e botës u bashkua për të luftuar për një kauzë të përbashkët.
Ajo përfshinte një korpus të jashtëzakonshëm për përbashkët burimesh dhe shkëmbimi informacioni, si midis individëve ashtu edhe mes vendeve. Ushtarët shpesh dërgoheshin për të luftuar në frontet e huaja për të mbështetur aleatët, madje edhe në rastet kur kombet e tyre nuk ishin drejtpërdrejt nën kërcënim.
Susan Michie, psikologe në Kolegjin Universitar të Londrës, e cila është e specializuar në ndryshimet e sjelljes, thotë se shumica e njerëzve janë të prirur të veprojnë në mënyra pro-sociale kur përballen me një kërcënim, për aq kohë sa besojnë se qeveritë dhe shoqëria do t’i sigurojë dhe trajtojë në mënyrë të barabartë.
“Problemet lindin kur kërkesa për kujdes shëndetësor, ose ushqim, ose ilaçe i tejkalon burimet,” thotë ajo.
“Herën e fundit që Mbretëria e Bashkuar ndjeu këtë lloj kërcënimi, ishte në Luftën e Dytë Botërore. Dhe në fakt, njerëzit ishin më të shëndetshëm sesa kishin qenë prej shumë kohësh – kishte racione të cilat shpërndaheshin në mënyrë shumë më të barabartë. Njerëzit bqënë gjithçka për të ndihmuar të tjerët”, thotë Michie.
“Ky është një shembull shumë i mirë i motos “Jemi të gjithë bashkë në këtë gjë”. Ashtu si atëherë, edhe tani me këtë virus po luftojmë një armik të përbashkët. Duhet ta risjellim nga historia atë ide në mentalitetin aktual kolektiv”./ CNN