Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se përhapja e koronavirusit Covid-19 “mund të karakterizohet si pandemi”.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për nivelin alarmant të përhapjes dhe ashpërsisë”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Përshkrimi i situatës si pandemi nuk e ndryshon mënyrën se si vlerësohet kërcënimi i këtij koronavirusi”, shtoi ai.
“Nuk do të ndryshojë ajo që ne po bëjmë. U kemi bërë thirrje njerëzve që të marrin masa urgjente dhe agresive që nga dita e parë. I kemi rënë kambanës së alarmit fort dhe qartë”.
Çfarë është pandemia?
Kriteret specifike për një pandemi nuk janë përcaktuar botërisht, por ka 3 kritere të përgjithshme:
1.Një virus që mund të shkaktojë sëmundje ose vdekje.
2.Një virus që përcillet nga kontakti mes njerëzve.
3.Një virus që përhapet në të gjithë botën.