Ballina Top Lajm Mesazhi i mjekut shqiptar për “neglizhentët”: Nëse e merrni me të lehtë,...

Mesazhi i mjekut shqiptar për “neglizhentët”: Nëse e merrni me të lehtë, do të mbushen korridoret e spitaleve

Mjeku epidemiolog, Fabian Cenko, u shpreh në studion e A2 se “popullata duhet të kuptojë se më shumë sesa sëmundja, më i frikshëm është fakti që mund të sëmuremi të gjithë në një periudhë kohe të shkurtër”.

“Një virus që qarkullon në popullatë, pa i krijuar këto barriera që kemi vendosur këto ditë, e vështirëson situatën shumë”, tha Cenko, i cili pati një mesazh edhe për të gjithë ata që e “neglizhojnë” virusin e ri.

“Nëse ne do të sëmuremi me shumicë, një numër i madh i personave të moshës së tretë do të prekeshin, ata do të paraqiteshin në spitale dhe dyndja do të bënte që mjekët të zgjidhnin se kush do të mjekohej dhe kush jo. Do të mbusheshin korridoret e spitaleve. Që kjo të mos ndodhë, ata që e marrin me të lehtë, nuk duhet ta marrin me të lehtë”, tha mjeku.

Sipas Cenkos, “mobilizimi social, por edhe pjesa e strukturave shëndetësore ka qenë i lartë”.

“Transmetueshmëria dhe rezistenca e madhe në ambient janë karakteristika të koronavirusit. Por, fatmirësisht kufizohet në përqindje të vogël të popullatës që rrezikohet, rreth 10%. Masat synojnë pikërisht zvogëlimin e këtij 10 përqindëshi. Nuk është skenar apokaliptik, por duhet ta kufizojmë sa më shumë. Eksperienca e të tjerëve mund dhe duhet të na ndihmojë. Duke qenë pas të tjerëve kemi pasur favorin të mos improvizojmë”, theksoi mjeku epidemiolog.

Cenko nënvizoi se “do të duhet të presim mesin e javës tjetër për të parë nëse kufizimi i lëvizjes sonë është shoqëruar me pakësim të transmetimit”.

“Kryesorja është të vonojmë sa më shumë rastet e reja, pasi sistemi shëndetësor do t’i menaxhojë më mirë. Nëse të gjithë do të sëmuren brenda dy javësh, do të rritet vdekshmëria. Nëse rastet do të shtrihen në disa muaj, do të thotë se ia kemi arritur objektivit”, deklaroi mjeku.

Në fund, Fabian Cenko shprehu optimizmin e tij për krijimin e shpejtë të vaksinës ndaj koronavirusit: “Mendoj se krijimi i vaksinës do të bëhet në kohë shumë më të shkurtër se në rastet e tjera. Për vetë faktin që virusi u identifikua brenda pak ditësh, tregon që sot mjekësia ka instrumenta më të sofistikuar dhe deri nga fundi i vitit do të kemi më shumë instrumenta. Sot t’i qëndrojmë larg njëri-tjetrit sepse nesër do të kemi më shumë mundësi për të luftuar”.