Romancierja kineze, 64 vjeçe, banuese në Wuhan, boton çdo ditë në Weibo, (twitteri kinez), një kronikë të jetës së saj nga qyteti nën karantinë. Më poshtë sjellim një përmbledhje të postimit të saj, bërë më 16 shkurt, në të cilin ajo denoncon sulmet që i vijnë nga Pekini ngaqë flet e shkruan të vërtetat për epideminë e koronavirusit.
Vështirë të mbash mend se prej sa ditësh jetojmë kështu të mbyllur në Wuhan. Sot dielli lajmëron një ditë të bukur pranvere, dhe nga dëbora e djeshme nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Nga dritarja e katit të parë të banesës sime, unë shoh gjethet e pemëve që shkëlqejnë në diell. Megjithëse situata nuk ka ndryshuar që prej ditës së djeshme, unë ndihem pak më e sigurt. Sidoqoftë, sulmet nga Pekini vazhdojnë, edhe pse nuk e kuptoj se cili është motivi që i shtyn ata njerëz atje të transmetojnë kaq shumë urrejtje. Dje, Xiang Ligang, pronar i faqes Feixiang, menjëherë e hoqi komentin e tij të rremë nga faqja e tij në Weibo pas ndërhyrjes së avokatit tim, por më pas vendosi këtë: “Ku e shihni ju atë gjendje që publikoni? Për shkak se jeni e mbyllur në shtëpi, nuk duhet që të krijoni panik shoqëror dhe të pretendoni se një numër i madh njerëzish kanë vdekur pa u kujdesur askush për to. A keni ju ndërgjegje?”.
“Qyteti nën rrethim”
Komenti i tij është të qash. Si mund të bëjë ai vërejtje të tilla fëminore? Në një kohë kur dronët mund të shikojnë në lartësi të mëdha, a nuk do të isha në gjendje të kuptoja se çfarë po ndodh në qytetin ku unë jetoj? Të gjithë ata që lexojnë çdo ditë postimet e mia në blog, nuk kanë panik, ai është i vetmi që ka frikë. Unë jetoj në Wuhan, qendra e epidemisë, në arrest shtëpiak dhe komunikoj vetëm me miqtë dhe kolegët e mi përmes Internetit. Unë shkruaj çdo ditë ato që shoh, ato që dëgjoj dhe pres që kjo gjendje të ketë një pikë fundore. Ai është në Pekin, i lirë për të lëvizur, por harxhon energjinë e tij duke më fyer çdo ditë. Dhe ai më thotë se a kam vetëdije? Njoftojeni se gjithnjë e më shumë njerëz po lexojnë blogun tim dhe e gjejnë atë qetësues. Një përdorues tha që dhënia e emrave të atyre që vdesin, ose postimi i fotove të tyre në internet, shton panikun e përgjithshëm. Këtë e them për atë që ai e quan “miku im mjek”. A e keni parë listën zyrtare të të vdekurve në internet? Vetëm lista e qytetit të Wuhanit është mbi një mijë. Çfarë numri dhashë në shkrimin tim? Vetëm një pjesë! Për të qenë shumë e qartë, nuk kam zbuluar emrat e personave të vdekur që nuk janë bërë të ditur nga media zyrtare.
Chang Kai, i cili punonte në studion e filmit Hubei, vdiq në mënyrë tragjike nga Covid19. Shoku i tij i klasës publikoi një artikull në kujtim të tij, i cili shfaqet në ballinën kryesore të të gjitha faqeve të internetit. Mesazhi i tij para se të vdiste ishte zemërues. Nuk e di nëse ata që shikojnë vetëm lajmet nga CCTV [Televizioni Qendror i Kinës] dhe Daily People do të mendojnë se kjo po krijon përsëri panik? Pardje, unë shkrova një postim për një mikun tim piktor që dhuroi 100,000 renminbi (emri zyrtar i monedhës kineze). Sot, vëllai i tij ka vdekur nga Covid19.
Xiang Ligang & Co gjithmonë do të thotë se ky është thashethem? Sa për “mikun tim doktor”, siç e quan ai veten, ta dijë se unë nuk kam vetëm një mik doktor. Xiang Ligang & Co duhet të dinë që ata janë profesionistë të shkëlqyer, specialistë të nivelit të lartë dhe natyrisht që nuk do t’i jap emrat e tyre për arsyen se nuk dua t’i ekspozoj te njerëzit e llojit të tyre. Këtë pasdite, një tjetër mik i mjekut (natyrisht, më i miri në specialitetin e tij, emrin e të cilit nuk mund ta zbuloj) më telefonoi; nuk kishim biseduar për një kohë të gjatë. Ai përmendi rubrikën “Qytetin nën Rrethim” që unë e vijoi për ditë në Weibo dhe më tha që kur njerëzit e pyetën për situatën e epidemisë në Wuhan, ai i këshilloi ata që ta lexojnë atë për të ditur realitetin e gjërave. Pastaj folëm për epideminë e koronavirusit. Miku im doktor, tha që epidemia tani duhej të ishte vënë nën kontroll. Por toksiciteti i tij po shtohet dhe ai po bëhet gjithnjë e më ngjitës.
Telefonat e kujtesës
Wuhan sot po përjeton një katastrofë. Nuk e kam fjalën për kërkesën për të vënë maska apo për të qëndruar të mbyllur në shtëpi, por bëhet fjalë për listën e vdekjeve që vazhdon të zgjatet. Deri më tani, kur një person vdiste, kufoma futej në dhe e më pas dërgohej në krematorium. Tani ne i transportojmë kufomat në çanta, të vendosura në karroca. Nuk është thjesht një vdekje në një familje, por qindra e qindra në pak javë. Ajo që është katastrofike është të përballesh me erën, të ftohtin dhe shiun, të përpiqesh të gjesh një shtrat në spital. Ajo që është katastrofike janë radhët e pafundme që duhet të prisni nëpër spitale për t’u regjistruar, radhë që mund të zgjasin dy ditë, dhe, ndonjëherë edhe pa ia arritur njerëzit rrëzohen në tokë. Ajo që është katastrofike është të presësh në shtëpi për njoftimin e një vendi në spital, dhe koha kur mbërrin përfundimisht ai lajm është tepër vonë. Gjëja më e keqe janë pacientët e sëmurë në spital, të cilët, kur hyjnë, u thonë lamtumirë të dashurve të tyre, sepse nuk do t’i takojnë kurrë.
A mendoni se të ndjerët mund të jenë të rrethuar nga familja në këtë kohë? A ka mundësi që këta sëmurë të vdesin me dinjitet? Pa dinjitet, ato janë kufoma të thjeshta që zvarriten për në krematorium dhe digjen menjëherë. Në fillim të epidemisë, spitalet nuk kishin fuqi punëtore, shtretër dhe mbrojtje për personelin mjekësor. Sepse zona e infeksionit ishte e pamasë, fuqia punëtore ishte e pamjaftueshme edhe në krematorium, kamionët për të transportuar kufomat dhe inceneratorët ishin shumë pak. Por trupat e vdekur të kontaminuar me virusin duhet të digjen sa më shpejt që të jetë e mundur. A i dinit të gjitha këto? Nuk është se njerëzit nuk kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë, që nga nisja e epidemisë, të gjithë po bëjnë çmos, por është e pamundur të mbrohen. Kaosi fillestar duket se do të marrë fund. Me sa di unë, ekspertët kanë shkruar raporte për një kujdes më njerëzor dhe respekt për pacientët dhe familjet e tyre. Janë bërë përpjekje për të mbajtur sendet e të vdekurve, veçanërisht telefonat celularë. Këto do të ruhen, do të dezinfektohen, dhe departamenti i telekomunikacionit do të përpiqet të gjejë çfarë informacioni sjellin telefonat. Këto pajisje do të përfaqësojnë një kujtim për të dashurit. Ata që nuk kanë një pronar do të ruhen dhe do të shërbejnë si dëshmi historike.
Fang Fang është një shkrimtare kineze. Që nga 2007, ajo kryeson Shoqatën e Shkrimtarëve të Hubeit. Libri i saj i fundit, “Funeralet e buta” (botuar në Kinë në 2016), që flet për fatin tragjik të një familje pronare tokash gjatë revolucionit agrar, mori çmimin “Lu Yao 2017”, por njëkohësisht e ka bërë atë të jetë shënjestra e sulmeve nga neo-maoistët. Sepse “funeralet e buta” janë trupat e “armiqve të klasës” të varrosur në tokë, pa arkivol.