Tregjet e aksioneve vazhdojnë të jenë të tronditura nga përhapja e virusit COVID-19 dhe ndikimi i kësaj pandemie në ekonomi.
Bursa në Nju Jork u pezullua për 15 minuta për shkak se treguesi S&P 500 ra më shumë se 7 përqind në hapje.
Po shtohet frika se përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara do të bllokojë rritjen ekonomike dhe do ta çojë vendin drejt recesionit, një periudhë e tkurrjes ekonomike.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton një sërë masash afatshkurtëra për të zbutur tendosjen financiare për bizneset dhe punonjësit e prekur.
Indeksi Nikkei i Japonisë u mbyll me humbje prej 4.4% ndësa indeksi Hang Seng i Hong Kongut ra me 3.7% kurse indeksi Shanghai i Kinës pësoi një rënie të vlerës prej 1.5%.Kurse tregjet australiane ranë më shumë se 7% të enjten.
Tregjet evropiane u goditën rëndë në orët e para të ditës ndërsa tregjet e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë shënuan një rënie prej 6%.
Rënia e kërkesave për të udhëtuar, si rezultat i virusit të ri, po ashtu ka ndikuar në rënien e çmimit të naftës në tregjet botërore. (voa)