Përdorimi i desifektuesve në masë për parandalimin nga koronavirusi është kthyer thuajse në një rregull të shenjtë nga qytetarët. Dhe më të drejtë, sa kohë që një gjë të tillë e rekomandon zyrtarisht edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Por a na shpëton pastrimi i duarve me desifektues nga mundësia për ta marrë virusin COVID-19? Studimet e fundit, por edhe mjekë infeksionistë të njohur i mëshojnë faktit se ajo është parandaluese, por nuk na shpëton nga virusi. Virusi qëndron thjesht aty, dhe ruhet. Nëse nuk lahen duart me ujë dhe me sapun nuk e kemi hequr atë. Këtë fakt e ka nënvizuar edhe mjeku infeksionist shqiptar, Pëllumb Pipero, kur është pyetur për këtë gjë.
Edhe studimet e fundit shkencore fokusohen më së shumti tek desifektimi dhe pastrimi i ambientit, aty ku ti prek. Një artikull i një dite më parë publikuar në sitin www.sciencemag.org nënvizon ndër radhë se bazuar në disa raporte të fundit virusi mund të qëndrojë në ajër deri në tre orë, në sipërfaqe kryesish plastike deri në tre ditë, ndërsa në celik deri në 2 ditë.
Artikulli fokusohet më së shumti tek përdorimi i zbardhuesve apo desifektuesve për sipërfaqet dhe ambientin ku jetojmë duke arritur në konkluzionin se bazuar në studime të ndryshme mbetet ende i paqartë fakti nëse ato e shkatërrojnë përfundimisht koronavirusin. Shkëncëtari Juan Leon i pyetur gjerësisht nga revista shkencore për këtë cështje, jo më kot lë qartë të kuptojë se, higjena që nuk gabon në këtë situatë është; “Qëndroni në shtëpi, nëse jeni të sëmurë reduktoni kontaktet e ngushta me të tjerët, sigurohuni të mbuloni gojën nëse tështini apo kolliteni dhe lani rregullisht duart për të paktën 20 sekonda”.
Në këtë pikë shkencëtarët janë të gjithë dakord. Edhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë se, “larja e duarve me sapun dhe ujë është akoma mënyra më e mirë për të parandaluar transmetimin e virusit”.