Koalicioni më i madh parazgjedhor deri më tani “Mundemi” njeh rëndësinë që shteti të vazhdojë rrugës së vërtetë, kjo edhe do të ndodhë. Nuk ka kthim prapa. Me ofertë dhe program të këtillë, të plotësuar me zgjidhje cilësore personale, secili e ka të qartë se jemi fitimtarë më 12 prill. Pas fitores vazhdojmë në rrugë të vërtetë sepse mundemi edhe më shumë, mundemi edhe më mirë.
Këtë e theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pas nënshkrimit të marrëveshjes për paraqitje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill me liderët e partive nga Koalicioni “Mundemi”, kryesuar nga LSDM.
“U bashkuam në koalicion të madh fitimtar ‘Mundemi’ të përbërë nga përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike: maqedonas, shqiptarë, romë, serbë, turq, vllahë, boshnjakë dhe egjiptianë që paraqet përparim të ri, standard më të lartë të rinë pluralizmin politik në atdheun tonë të përbashkët, Jemi të bashkuar në koalicionin më të madh politik rreth asaj që është me rëndësi për qytetarët dhe të ardhmen e shtetit – anëtarësimi në NATO dhe BE, rritje më të madhe ekonomike, rroga dhe pensione më të mëdha, kujdes për të gjithë, drejtësi dhe shtet juridik me mjedis të shëndoshë dhe të pastër”, tha lideri i LSDM-së Zaev.
Të gjithë, potencoi, jemi të kahëzuar drejt realizimit të këtyre çështjeve.
“Mundemi edhe më mirë edhe më shumë. Këtë e konstatuam përmes programit i cili ofron zgjidhje reale të realizueshme dhe cilësore. Shtylla jonë e parë është ekonomia ku parashohim hapje të 100 mijë vendeve të reja të punës dhe papunësia të shënojë rënie nën tetë për qind deri në fund të mandatit në vitin 2024. Dëshmuam se rrogat në të gjithë sektorët mund të rriten vazhdimisht, por munden më shumë dhe më shpejtë. Në zgjedhje ofrojmë 300 euro rrogë minimale dhe 600 euro rrogë mesatare, rritje të pensioneve prej 21 për qind, pension minimal prej 10.800 denarëve. E tërë kjo është e realizueshme dhe reale, sepse edhe deri më tani treguam se rrogat dhe pensionet mund të rriten, ndërsa papunësia të shënojë rënie”, theksoi Zaev.
Hymë në NATO, shtoi, ndërkaq mundemi edhe në BE.
“Me anëtarësimin në NATO kemi treg të vlefshëm katër miliardë euro në vit. Me hyrjen në BE janë të kapshme dy miliardë euro nga fondet. Ato janë para evropiane me të cilat do të sigurojmë standard evropian këtu, në shtëpi. Së shpejti fillojmë negociata me BE-në, e evropianizojmë Maqedoninë e Veriut dhe e transformojmë shoqërinë. Obligohemi që deri në vitin 2024 të hapim 80 për qind të kapitujve për në BE”, theksoi Zaev.
Duke u përgjigjur në pyetje tha se nuk sheh mundësi që të shtyhen zgjedhjet dhe se kjo nuk është mirë. Qëllimi i takimit të nesërm të liderëve tek kryeministri Spasovski, siç tha, është që liderët e partive më të mëdha të bisedojnë rreth modaliteteve të fushatës, çfarë lloj fushate është e lejuar dhe çka rekomandohet që partitë të mund t’i promovojnë programet e tyre, kandidatë dhe vizionet e tyre, e me atë rast të respektohen të gjitha detyrimet dhe rekomandimet shtetërore për mbrojtje nga koronavirusi.
“Ndoshta koronavirusi do të na vendosë në pozitë të shfrytëzojmë një lloj tjetër të fushatës. Mediumet elektronike dhe mundësitë e internetit janë në disponim, Besoj se do të prekim tek qytetarët. Me rëndësi është të na dëgjojnë që të votojnë. Me rëndësi është që qytetarët të dalin dhe të votojnë, sepse suksesi i zgjedhjeve nuk është i njejtë nëse do të votojnë 45 për qind apo 75 për qind e qytetarëve”, theksoi Zaev.(koha.mk)