Nafta sot shënon 32.63 dollarë për fuçi naftën bruto Brent dhe 26.46 dollarë për barrelë për WTI. Në 2019-n çmimi mesatar i Brent ka qenë $64 për fuçi dhe ai i WTI $55 për barrelë.
Kjo rënie drastike e naftës e cila në fund të marsit që prej rreth 17 vitesh e gjer më sot ka pasur çmimin më të ulët në tregjet botërore vjen si rezultat i disa faktorëve.
Fillimisht, bisedat midis OPEC-ut (e udhëhequr nga Arabia Saudite) dhe Rusisë nuk mundën dot të gjenin një koncensus që të mundësonin uljen e prodhimit të naftës në botë.
Rusia ishte kundër kësaj ideje e Arabia Saudite, sipas analistëve, për ta shtyrë Rusinë që ta rimendonte këtë veprim, vendosi të ulte çmimet në nivele të paprecedenta për blerësit e huaj si SHBA-ja, Azia e Europa nga $14 barrela e naftës në $8 barrela.
Së dyti, krahas luftës së çmimeve midis Arabisë Saudite dhe Rusisë, prodhimi i naftës nga SHBA-ja ka vazhduar të jetë në trend rritës prej disa vitesh. Madje në 2018-n SHBA-ja u bë vendi i parë në botë përsa i përket prodhimit të naftës e në shtator të 2019-s kapi rekordin e saj historik të prodhimit me 12.4 milionë fuçi nafte në ditë.
Faktori i tretë ka të bëjë me kërkesën e naftës. Kjo e fundit ka pësuar një rënie drastike e kryesisht këtu ka ndikuar së fundmi paralizimi i një pjese të mirë i transportit botëror dhe jetës ekonomike në shumë vende të botës si rezultat i koronavirusit. Gjithashtu iniciativat e shteteve të ndryshme për të mbrojtur planetin nga ngrohja globale kanë dhënë një goditje të konsiderueshme në kërkesën e këtij produkti.
Është i vështirë të parashikohet çmimi i naftës për 2020-n duke marrë parasysh luhatjet e mëdha që ka pasur në fillim të këtij viti. Por, duke gjykuar nga trendi rënës i fillimit të këtij viti dhe gjithë këtyre faktorëve që e kanë çuar çmimin e naftës në nivele historike të ulta, parashikohet që mesatarja e naftës të jetë rreth $43.30 për 2020-n, sipas parashikimit afatshkurtër nga Departamenti i Energjisë në SHBA.
Po kush janë përfituesit e humbësit e kësaj renieje historike të çmimit të naftës? Sigurisht që të gjitha industritë, bizneset e individët që blejnë naftë e nënproduktet e saj do të dalin me shumë përfitime. Ndërsa humbës do të jenë të gjithë prodhuesit e naftës dhe ata që varen nga produktet zëvëndësues të naftës.
Linjat e transportit qofshin ato ajrore, detare apo tokësore varen shumë nga nafta. Kështu që mund të presim pas hapjes së masave izoluese çmime më të ulta të biletave të avionëve e gjithë produkteve e mallrave që porosisim nga jashtë. Po kështu avantazhe krahas industrisë së transportit do të ndjehen dhe për ata që përdorin sisteme ngrohjeje të bazuara te djegia e naftës dhe nënprodukteve të saj.
Kjo rënie e çmimeve të naftës do të shërbejë si një shtytje pozitive për ringritjen e ekonomisë, pas gjithë kësaj kohe të gjunjëzuar, nga asfiksimi që i është bërë prej masave izoluese të vëna si rrjedhojë e shpërthimit të Covid-19.
Ndërsa humbësit, këtu do të jenë të tërë vendet e kompanitë që e prodhojnë dhe e shesin këtë produkt. Arabia Saudite është një nga këta humbës e përfitimeve të marra nga shitja e naftës. Ky shtet ndërmori hapin e reduktimit të çmimeve të naftës, por ndryshe nga Rusia e vendet e tjera të OPEC-ut e ka pasurinë e fuqinë e akumuluar prej kohësh që të mund t’i bëjë ballë këtij tërmeti që ajo i ka shkaktuar vetes e tregut të prodhuesve të naftës.
Gjithashtu, gjithë njësitë ekonomike që varen nga produktet zëvëndësuese të naftës pritet të pësojnë një goditje në të ardhurat e tyre. Përshembull me këto çmime të ulta të naftës mund të presim që kërkesa për makina elektrike të qëndrojë në nivelet e njëjta apo të mos pësojë ndonjë ngritje në periudhë afatshkurtër.