Ballina Bota Nju Jork, numri më i madh i vdekjeve brenda një dite (VIDEO)

Nju Jork, numri më i madh i vdekjeve brenda një dite (VIDEO)

Shteti i Nju Jorkut përjetoi të martën numrin më të madh të vdekjeve brenda një dite nga koronavirusi, megjithëse numri i të shtruarve të rinj në spitale filloi të stabilizohet.

Guvernatori Andrew Cuomo u tha gazetarëve se 731 banorë kishin humbur jetën nga virusi në 24 orët e kaluara, duke e rritur numrin e vdekjeve në të gjithë shtetin Nju Jork në 5.489.

“Ne flasim për numra, por këta janë 731 njerëz që i humbëm”, tha guvernatori. “Pas secilit prej atyre numrave është një individ, është një familje – është një nënë, është një baba, është një motër, është një vëlla. Pra, shumë dhimbje përsëri sot për shumë njujorkezë dhe ata gjendet në mendimet dhe lutjet tona”.

https://youtu.be/1s-_YJ7-g1w

Për ta vendosur në kontekstin e duhur, Britania, e cila ka një popullsi tre herë më shumë se ajo e shtetit Nju Jork – ka pësuar një numër pak më të ulët të vdekjeve.

Zoti Cuomo tha se ai është akoma duke parashikuar që shteti – i cili ka regjistruar gati 140,000 raste të konfirmuara me virusin – po arrin një nivelim të rasteve në spitale. Numri i pacientëve që iu duhen tuba për të marrë frymë dhe trajtim në pavionin e kujdesit intensiv, gjithashtu ka filluar të ngadalësohet.

“Përsëri, ky (është) një parashikim, ende varet nga ajo që ne bëjmë, dhe ajo që bëjmë do të ndikojë në këta numra,” paralajmëroi ai, duke kujtuar njerëzit të vazhdojnë të jenë vigjilentë duke qëndruar në shtëpi dhe duke ruajtur distancimin shoqëror.

Guvernatori tha gjithashtu se departamenti i shëndetësisë i shtetit ka aprovuar një test të antitrupave për të përcaktuar personat që kanë kontraktuar virusin dhe janë shëruar, dhe që ka të ngjarë të jenë imunë ndaj tij. Ai u bëri thirrje kompanive të sektorit privat që të punojnë me shtetin për të prodhuar testet, sepse ato do të nevojiten në një shkallë masive për të testuar njerëz të mjaftueshëm për t’i rikthyer bizneset vendase dhe shkollat.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së qytetit Nju Jork tha se qyteti po humbet betejën ekonomike të shkaktuar nga virusi.

“Numri është befasues – parashikimi fillestar është se të paktën gjysmë milioni njujorkezë ose janë tashmë pa punë, ose së shpejti do të jenë,” tha Bill de Blasio. “I vetmi krahasim që mund të bësh për këtë është me periudhën e Depresionit të Madh, që më frikëson për vdekje vetëm kur e përmend”.

https://youtu.be/cwDhSPx5-ZI

Rruga pothuajse e boshatisur përpara bursës së Nju Jorkut
Rruga pothuajse e boshatisur përpara bursës së Nju Jorkut
Ai tha se në tre javët e fundit, qyteti ka shërbyer 2.6 milionë vakte ushqimesh për njujorkezët.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë njujorkez të uritur”, tha kryebashkiaku. “Ne kemi planifikuar që nga fillimi i kësaj krize të adresojmë problemin e urisë, sepse e kuptuam se kjo do të ishte një pjesë themelore e asaj me të cilën do të përballemi”.

Qyteti ka mbi 400 vendndodhje ku studentët dhe personat në moshë madhore mund të marrin ushqim, si dhe ka programe për të ofruar ushqim për të moshuarit dhe personat që nuk lëvizin dot.

https://youtu.be/D0GXLM8Xn_M