Disa shtete amerikane po lehtësojnë me kujdes kufizimet, duke hapur dyqanet e shitjeve me pakicë dhe floktoret. Më shumë shtete do të rihapin bizneset e tyre në javët e ardhshme. Zyrtarët vendorë janë duke ndjerë pasojat që bllokimi i pandemisë ka sjellë tek ekonomitë e tyre dhe po i kërkojnë qeverisë federale fonde nëpërmjet një tjetër pakete stimuluese. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee.
Pas disa javësh mbylljeje, niveli i papunësisë po rritet shumë. Po dëmtohen edhe bizneset që kanë mbetur të hapura. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara po përjeton ndikime të përmasave historike, thotë këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, ekonomisti Kevin Hassett.
“Kjo është tronditja më e madhe negative që mendoj se ekonomia jonë ka parë ndonjëherë. Do të shohim një normë papunësie që i afrohet niveleve që pamë gjatë Depresionit të Madh“, thotë zoti Hassett.
Hassett thotë se 8.7 milionë vende pune u humbën në krizën financiare të vitit 2008. Tani, Shtetet e Bashkuara janë duke parë se vende të shumta pune po humbasin pothuajse çdo 10 ditë. Shtetet amerikane janë duke u përballur me vështirësi financiare ndërsa u duhet të ofrojnë pagesat në rritje të papunësisë dhe ndërsa përballen me një rënie të të ardhurave nga taksat për shkak të bizneseve të mbyllura. Shumë guvernatorë po kërkojnë që Kongresi të përfshijë fonde për shtetet në paketën e ardhshme stimuluese.
“Ne jemi në vijat e para. Kemi ndërmarrë të gjitha këto veprime. Kemi për të siguruar shërbimet e nevojshme për t’i ndihmuar njerëzit të rikthehen në këmbë. Është thelbësore për rimëkëmbjen e ekonomisë sonë“, thotë Larry Hogan, Kryetari i Shoqatës së Guvernatorëve Kombëtarë dhe guvernatori i shtetit Maryland.
Por, shumë republikanë si dhe ekonomistë të Shtëpisë së Bardhë paralajmërojnë kundër marrjes së më shumë borxheve federale, pasi tashmë janë siguruar mbi 2 trilion dollarë në fonde stimulimi ekonomik.
“Mendoj se ndërsa kalojmë në fazën tjetër të legjislacionit, duhet të mendojmë për gjëra afatgjata që mund të bëjmë për t’i paraprirë kurbës së borxhit. Padyshim, duhet të vazhdojmë me disa masa afatshkurtra. Por mendoj se duhet të shohim edhe për ndryshime afatgjata me synim përmirësimin e situatës së borxhit “, thotë Kevin Hassett, këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Krahas debatit për paketën e ardhshme stimuluese, ekspertët e shëndetit publik, si dhe guvernatorët dhe ligjvënësit në disa shtete, thonë se duhet të bëhen më shumë testime përpara se ekonomia të rihapet plotësisht.
“Duhet të jemi në gjendje t’i testojmë njerëzit në dyfishin e nivelit, në mënyrë që thertoret tona të mishit dhe fabrikat e përpunimit të ushqimit të jenë në gjendje të rihapen. Do të kemi probleme me zinxhirin e furnizimit me ushqim“, thotë Amy Klobuchar, senatore e shtetit Minesota.
“Duhet të bëjmë gjurmimin në komunitet. Duhet të kemi një plan izolimi për njerëzit që rezultojnë pozitivë me COVID-19 në të ardhmen. Dhe ndërkohë të mendojmë për sektorët e rigjenerimit të ekonomisë sonë, duke analizuar me të vërtetë rrezikun që lidhet me një sektor të caktuar, duke vlerësuar atë rrezik, duke përcaktuar se cilat protokolle duhet të jenë në fuqi ” thotë Gretchen Whitmer, guvernatore e shtetit Michigan.
Guvernatorëve të shteteve dhe ligjvënësve në Kongres u duhet të balancojnë shëndetin dhe sigurinë e njerëzve me dëmin ekonomik të bërë gjatë bllokimit të vazhdueshëm. Atyre u duhet gjithashtu të manovrojnë në luftën politike që po i afrohet Uashingtonit, ndërsa do të diskutohet për paketën e ardhshme të stimulit me sfond zgjedhjet presidenciale vetëm disa muaj larg.