Në Berlin, një këshill vendor po krijon një ‘infrastrukturë biçikletash rezistente ndaj pandemive’. Kjo në praktikë është thjesht një zgjerim i infrastrukturës aktuale të biçikletave, për të lejuar çiklistët të mbajnë një distancë prej 1.5 metrash nga njëri-tjetri. Kjo korsi biçikletash u ndërtua më 27 Mars me nismën e këshillit të Friedrichshain-Kreuzbergut në përgjigje të direkte ndaj krizës së koronavirusit.
Këshilli vendor, pas analizimit të infrastrukturës aktuale të biçikletave, erdhi në përfundimin se është e vështirë të mbahet një distancë prej 1,5 metrash mes çiklistëve, siç e kërkojnë rregullat e distancimit shoqëror në Gjermani.
“Ne nuk kemi shumë korsi biçikletash në rrugët kryesore. Dhe kjo do të thotë që çiklistët nuk mund t’i shfrytëzojnë ato duke respektuar rregullat e distancimit prej 1,5 metrash,” thotë Felix Weisbrich (Vajsbrih), kreu i departamentit të rrugëve dhe parqeve në rrethin e Friedrichshain – Kreuzbergut në Berlin.
Në fazën pilot të projektit, një korsi biçikletash është zgjeruar, dhe është ndërtuar një rrugë e re. Të dyja rrugët po përdorin hapësirën që më parë përdorej nga trafiku i rregullt i makinave.
“Kjo është bërë për të krijuar një trafik të sigurt ndaj virusit për njerëzit që duan të lëvizin me biçikleta. Ne e quajmë atë një “infrastrukturë biçikletash rezistente ndaj pandemive””. Pra kjo po bëhet për të minimizuar rrezikun e infeksioneve”, thotë zoti Weisbrich. Këshilli lokal po planifikon shtrirjen e projektit në rrugë të tjera, pasi ai vlerëson se rrugët aktuale të biçikletave në shumë pjesë të Berlinit janë të ngushta.
Masa është e përkohshme por ajo do të rishqyrtohet pas krizës së koronavirusit. “Ne kemi një ligj të ri të qarkullimit në Berlin që kërkon krijimin e korsive më të sigurta dhe më të gjëra të biçikletave. Pas krizës së koronavirusit politikanët do të duhet të diskutojnë dhe vendosin se cilat nga këto korsi do të qëndrojnë”, thotë zoti Weisbrich. Në një pjesë tjetër të Kreuzbergut, një kompani private ka hapur një stacion të përkohshëm vetë-shërbimi të riparimit të biçikletave. Stacioni ishte në plan të hapej gjatë verës, por për shkak të pandemisë së koronavirusit kompania Signa vendosi ta hapte më herët.
Çiklistët mund t’i riparojnë biçikletat e tyre falas, duke mbajtur distancën prej 1,5 metrash nga njëri-tjetri.
“Kjo është e rëndësishme sepse njerëzit duhet të jenë në gjendje të lëvizin. Infermierët, mjekët, por edhe të gjithë të tjerët me punë të domosdoshme mund të udhëtojnë me biçikleta për të shmangur kontaktet me njerëzit e tjerë në sistemet e transportit publik”, thotë Thibault Chavanat (Tibò Shavanà), drejtues i projektit Karlstadt Hermannplatz.