Republika Çeke do t’i rihapë të gjithë kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë, nga data 26 maj, edhe pse udhëtimi i turistëve të huaj do të mbetet i kufizuar, tha të hënën Ministria e Brendshme e Çekisë.
Kufijtë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë janë mbyllur në mes të marsit, për të frenuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
Ministria e Brendshme çeke tha se udhëtarët, edhe pas 26 majit, do të duhet të kenë dëshmi të testit negativ ndaj koronavirusit dhe se policia do të vazhdojë të kryejë kontrolle të rëndomta në kufij.
Ministri i Brendshëm, Jan Hamacek, tha se vendi i tij ka negociuar marrëveshje dypalëshe me palën gjermane dhe atë austriake.
Të trija vendet i përkasin zonës Schengen, që normalisht nuk ka kontrolle kufitare dhe që përbëhet nga 26 vende të BE-së dhe të tjera evropiane.
Republika Çeke, e cila ka konfirmuar afro 9,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 315 viktima, ka nisur lehtësimin e masave të izolimit qysh në fillim të majit. Ngjashëm edhe Gjermania dhe Austria.