Festa e Bajramit mund të kalojë në karantinë. Komisioni për sëmundje infektive ka kërkuar ndalimin e lëvizjes nga dita e shtunë në orën 19 deri të martën në 5 të mëngjesit. Por akoma nuk ka një vendim të Qeverisë për këtë kërkesë. Filipçe e arsyeton kërkesën për orë policore.
Të gjitha këto raste që i kemi ditëve të fundit në përqindje të madhe janë si pasojë e tubimeve familjare në ditët që lamë pas. Për shkak të mos respektimit të masave kemi raste të reja, kështu që vlerësojmë se vetëm një masë rigoroze do të ketë efekt të vërtetë.” -tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Shifrat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në 24 orët e fundit katër persona kanë vdekur dhe se janë regjistruar 19 raste të reja. Ndërkohë 16 persona janë shëruar.
Instituti i Shëndetit Publik:
“Gjatë 24 orëve janë bërë 512 testime, duke regjistruar 19 raste të reja me CoVid-19. Shkup 11, Kumanovë 2, Tetovë 1, Gostivar 1, Prilep 1, Veles 1, Strumicë 1 dhe Vinicë 1.Sot ndërruan jetë 4 pacientë, 41 vjeçari nga Prilepi, 73 vjeçari nga Tetova, 71 vjeçari dhe 64 vjeçarja të dy nga Shkupi.”
Numri i të vdekurve nga koronavirusi, 110, e rendit Maqedoninë në vendin e parë në rajon me 5.2 të vdekur në 100 mijë banorë. Sllovenia është e dyta me 105 të vdekur apo 5,1; Serbia me 234 të vdekur apo 3,3 në 100 mijë banorë. Shqipëria me 31 të vdekur dhe Kosova me 29 të vdekur.