Bullgaria ka njoftuar se do të ndalojë përkohësisht hyrjen e të gjithë shtetasve në të gjithë pikat e kalimit kufitar të transportit tokësor, ajror, detar dhe hekurudhor, duke filluar nga data 1 qershor 2020. Ky vendim nga autoritet bullgare vjen në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë globale Covid-19.
Ambasada Shqiptare në Sofje informon se nga kjo masë përjashtohen qytetarët bullgarë, qytetarët europianë, të Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës së Veriut, vendeve të zonës Shengen ( duke përfshirë, San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin), si dhe qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, anëtarët e familjeve bullgare si dhe bashkëjetuesit e tyre, të cilët kanë lejeqëndrimi afatgjatë ose të përhershme në Bullgari.
Profesionistëve, studiuesve mjekësorë si dhe punonjësit socialë, punëtorëve që merren me furnizimin e produkteve mjekësore, por edhe që janë të angazhuar në sektorin e transportit, u lejohet gjithashtu hyrja në të gjithat pikat e kalimit kufitar në Bullgari. Ashtu sikurse edhe zyrtarëve të huaj, punonjësve humanitarë, përfaqësuesve tregtarë dhe investitorëve ekonomikë dhe punëtorëve sezonalë të punësuar në bujqësi dhe turizëm.
Çdo shtetas, që hyn në Bullgari nga shtete si: Mbretëria e Bashkuar, Irlanda e Veriut, Suedia, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Malta si dhe vendet e treta, me përjashtim të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të vendoset në karantinë 14 ditore në vendbanimin e tij ose në vendin e akomodimit të përcaktuar. Përjashtimisht, nuk i nënshtrohen karantinës shtetasit e vendeve të tjera, si edhe ata që gëzojnë profesionet e sipërpërmendura.
Ambasada Shqiptare sqaron se për të njëjtët shtetas lejohet edhe kalimi tranzit në territorin e Bullgarisë, por vetëm kur garantohet largimi i menjëhershëm prej saj.