12 viktima janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që dita e sotme të mbajë rekordin për numrin e jetëve të humbura nga virusi korona në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë. Duke përfshirë të dhënat e sotme, numri i viktimave arriti në 298.
Sipas raportit të Ministrisë, pesë të vdekur janë regjistruar në Shkup, dy në Tetovë, dy në Strugë dhe nga një në Gostivar, Veles dhe Gostivar.
Por vendi sot ka shënuar edhe një tjetër rekord, fatmirësisht ky është pozitivë, pasi numri i personave që i janë shtuar listës së të shëruarve është 112, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 2,427. Institucionet shëndetësore në nivel vendorë dhe botërorë ende nuk e dinë nëse personat e shëruar tashmë nga virusi korona, mund të infektohen sërish. Një rast i tillë është shfaqur në Kumanovë.
“Ka një rast në Kumanovë që, i cili duhet të verifikohet. Megjithatë nëpër botë ka pasur raste të verifikuara. Se përse ndodh kjo, shkenca ende nuk mund ta shpjegojë. Ka disa informacione jo zyrtare se bëhet fjalë për njëfarë mutacioni të virusit. Çfarë forme mutacioni është, më i rëndë apo më i lehtë, ende nuk dihet”, tha Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.
132 persona janë infektuar me COVID-19 tregojnë të dhënat e fundit. Numër dyshifrorë i të infektuarve ka në Shkup 57, Tetovë 19, Shtip 13 dhe Kumanovë 10. Duke përfshirë rastet e reja, numri i të infektuarve në venditn tonë arriti në 6209, nga të cilat 3484 janë raste aktive.
Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se vendi për momentin ka kapacitete të spitalore në rast se numri i pacientëve rritet. Në klinikën në Kozle janë të shtrirë 20 pacientë, ndërsa gjithsej ka 60 shtretër. Vende të lira ka në Klinikën Infektive, në Spitalin në Kozle dhe në “8 Shtatori”, ndërsa në spitalin e Manastirit ka vetëm 4, 5 shtretër të lirë.