Në SHF “Istikball” në Tetovë është ndërprerë procesi i regjistrimit të nxënësve në klasë të parë për shkak se një nga mësimdhënësit ka dalë pozitiv me koronavirus. Drejtori, Rexhep Alili bashkë me 39 mësimdhënës të tjerë kanë hyrë në vetizolim për shkak të kontaktit që kanë pasur me kolegun e tyre.
Gradualisht do të kërkojmë që të bëhet edhe testimi i personave të cilët mendohet që kanë pasur kontakt me personin në fjalë. Do të njoftohen edhe prindërit përmes adresave dhe numrit të kontakteve dhe e-mail të tyre. Më 15 qershor do të vazhdojmë me regjistrimin e nxënësvë të klasave të para. Komisioni për pranimin e nxënësve dhe personi në fjalë nuk ka pas asnjëfarë kontakti me prindërit që kanë ardhur për ti regjistruar fëmijët e tyre- dejklaroi Rexhep Alili, Drejtor i Shkollës Fillore “Istikball” Tetovë.
Alili njoftoi se prindërit që tashmë kanë regjistruar fëmijë nuk kanë mundur të kenë kontakte me personin e infektuar sepse hapësira për pranimin e filloristëve ka qenë e posaçme. Rifillimi i regjistrimit do të nis pas një dezinfektimi të objektit shkollor. Në shkollat e tjera fillore regjistrimi në klasë të parë po realizohet sipas rekomandimeve shëndetësore. Në disa prej tyre janë improvizuar zyra edhe në hapësirat e jashtme të shkollës me qëllim të mbrojtjes nga koronavirusi.