Prokuroria Speciale në Hagë ngriti dy ditë më parë aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, çka shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe bëri që menjëherë liderët e atjeshëm të anulonin takimin që kishin në Shtëpinë e Bardhë.
Mirëpo, dy ditë pas bërjes publike të aktakuzës mediat në Kosovë aludojnë se dy persona kanë pasur dijeni për të para se ajo të bëhej publike, madje para vetë Presidentit Trump dhe këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare Richard Grenell.
Sipas tyre, më 23 qershor, tre ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për dialogun mes dy vendeve, Presidenti serb Vuçiç ishte në Rusi ku u takua me homologun Vladimir Putin.
Menjëherë pas takimit me Vladimir Putin, Vuçiç tha se gjëra të një rëndësie të veçantë do të ndodhnin në ditët në vazhdim. Sikurse ndodhën në fakt.
“Gjëra të rëndësishme do të ndodhin. I bisedova me Presidentin Putin, por nuk dua t’i bëj publike, sepse janë të rëndësisë së veçantë”, tha Vuçiç para tre ditësh, pas takimit me Vladimir Putin.
Krejt papritur Prokuroria Speciale lajmëroi se se ka dorëzuar para dy muajsh aktakuzë kundër Thaçit dhe Veselit për krime lufte, në datë 24 qershor, në ditën kur presidenti Thaçi ishte nisur drejt SHBA-së për dialogun me Serbinë.
Njoftimi ishte në një gjuhë aspak zyrtare pasi kjo aktakuzë ende nuk është e konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake, i cili i ka edhe rreth katër muaj kohë, prandaj edhe publikimi i këtij njoftimi pa u konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake ishte jashtë çdo etike profesionale.
Në këtë njoftim paragjykohej edhe fajësia e dy ish-udhëheqësve të UÇK-së, që emrat u ishin bërë publik në mënyrë selektive dhe kjo ishte shkelje e të drejtave fondamentale dhe shkelje e Kushtetutës së Kosovës.
Aktorë të shumtë politikë dhe jo vetëm, në Prishtinë dhe në Tiranë reaguan ashpër për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit, duke e cilësuar atë si një tentativë për të njollosur luftën heroike të UÇK.