Zv.presidenti amerikan Mike Pence ka akuzuar mediat se shkaktojnë panik mbi valën e dytë të koronavirusit, të cilin ai e quan “të tepruar “.
“Eshtë e vërtetë që, sido që të shkruajnë media, arritja jonë amerikane pati sukses”, shkroi ai në një tekst të një autori në Wall Street Journal, raporton BBC.
“Ne ngadalësuam përhapjen, u kujdesëm për më të rrezikuarit. Ne shpëtuam jetë dhe krijuam një themel të fortë,” pretendon Pence.
Sipas tij, kjo është arsyeja e festimit, dhe jo që media të nxisë frikën.
Kritikët thonë se Presidenti Trump është përqendruar në ndikimin e pandemisë në ekonominë e SHBA – që shihet si vendimtare për rizgjedhjen e tij – sesa në parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas BBC, shumica e ekspertëve pretendojnë se SHBA ende po kalon valën e parë të epidemisë.
Të shtunën, Trump dhe Pence do të udhëtojnë për në Tulsa, Oklahoma, ku numri i rasteve është në rritje, për tubimin e tyre të parë parazgjedhor që nga shpërthimi i pandemisë.