Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se ka arritur në Aeroportin e Tiranës dhe se të dielën do t’i drejtohet opinionit.
Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
“Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, shkroi Thaçi në Facebook.
Më herët, në një postim në Instagram, ai tha se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.