Ballina Aktualitet Zaev dhe Mickoski kanë arritur marrëveshje, zgjedhjet do të mbahen më 15...

Zaev dhe Mickoski kanë arritur marrëveshje, zgjedhjet do të mbahen më 15 korrik

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar sot Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik, njofton Portalb.mk.

Zaev tha se, mbajtja e zgjedhjeve është e domosdoshme, pasi vendit i duhet Kuvend funksional dhe Qeveri funksionale.

“Që të mos vuaj populli dhe t’iu mundësohet Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që të tregojnë përgjegjësinë e tyre në vepër, e rrumbullakësojmë 15 korrikun si datë të përfundimtare dhe të vetme të zgjedhjeve në të cilin do të merr pjesë opozita. E informoj opinionin se sot përsëri kam biseduar me Mickoskin dhe ai më konfirmoi se pajtohet që të merr pjesë në zgjedhje më 15 korrik. Kërkuan mesin e korrikt, ja mesi i korrikut. 15 korrik, e mërkurë, ditë jopune për të gjithë qytetarët, dita e zgjedhjeve”, deklaroi Zaev.

Ai hapi i ardhshëm do të jetë të kërkojnë nga presidenti, Stevo Pendarovski, që të shpallë edhe një gjendje të jashtëzakonshme, që të ndryshohet dita e zgjedhjeve.

“Kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme do të jetë vetëm që të vendoset 15 korriku si datë përfundimtare. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është e nevojshme për masa ekonomike, ato veç më po realizohen. Jemi dakorduar me Mickoskin që ta njoftojmë Pendarovskin për marrëveshjen e arritur, ndërsa Pendarovski do t’i njoftojë partitë e tjera politike. Po ashtu, u dakorduam që unë t’i informojë anëtarët e tonë në KSHZ, Mickoski të informojë anëtarët e tyre në KSHZ, që të mund të ulen dhe të harmonizojnë protokollet për organizimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Zaev.

Edhe lideri opozitar, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar nëpërmjet një postimi në Facebook se VMRO – DPMNE do të merr pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut.

“Dy kushtet që kërkuar janë pranuar, e para protokolle për mbrojtjen e qytetarëve, e dyta misioni i OSBE/ODIHR për mbrojtje të vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar ndër tjera Mickoski.

Nga kabineti i presidentit, kanë konfirmuar dje se, Pendarovski është i gatshëm të sjell vendim të ri për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e shtetit, vetëm nëse paraprakisht arrihet marrëveshje ndërpartiake e të gjitha subjekteve politike për datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit.