Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme njoftoi për 96 raste të reja të Covid-19 nga gjithsej 724 teste të realizuara për 24 orë. Për të njëjtën periudhë kohore jetë kanë ndërruar 10 persona, katër pacientë nga Shkupi, dy nga Kumanova dhe nga një pacient nga Shtipi, Tetova, Gostivari dhe Kërçova, kurse janë regjistruar 61 pacientë të shëruar.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve më Covid-19 në vend nga fillimi i epidemisë është 9.249, numri i pacientëve të shëruar është 4.871, numri i vde*kjeve është 432, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 3.946.
Nga numri i përgjithshëm i rasteve aktive në Shkup janë 1.880, në Shtip 300, në Tetovë 299, në Kumanovë 226, në Gostivar 196, në Strugë 188, në Shën Nikollë 185, në Ohër 129, në Dibër 111.
Deri më tani janë bërë gjithsej 86.543 teste të Covid-19 në vend.
Në Klinikën Infektive janë pranuar pesë pacientë. Gjithsej të hospitalizuar janë 91 pacientë, prej të cilëve në mbështetje oksigjeni janë 43 pacientë, nuk ka pacientë në makinë respiratore. Në Spitalin në Kozle të hospitalizuar janë 16 pacientë të rritur, pozitivë me Covid-19, gjashtë fëmijë pozitivë në virus, dy fëmijë dhe një nënë për të cilët dyshohet se kanë virus. Në SPQ “8 Shtatori”, janë pranuar 5 pacientë të rinj, gjithsej të hospitalizuar janë 92 pacientë. Në makinë respiratore janë tre pacientë.
Në spitalin e Manastirit të hospitalizuar janë 36, ndërsa në spitalin e Shtipit të hospitalizuar janë 51 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Kumanovë, Veles, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë të hospitalizuar janë 133 pacientë – pozitivë dhe të dyshuar në Kovid-19.
E vetmja rrugëdalje nga kjo krizë shëndetësore, siç theksohet nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, është mbajtja e detyrueshme e maskave dhe ruajtja e distancës fizike.
“Nëse i përmbahemi masave parandaluese, numri i pacientëve do të ulet”, tha Filipçe.
Sipas tij, e vetmja masë shtesë që mund të merret në konsideratë në një moment të caktuar, nëse ka tregues se duhet të vendoset masë shtesë, është kufizimi i lëvizjes, në rast se mbushen kapacitetet spitalore.
“Ne në këtë moment nuk kemi asnjë indikacion për këtë. Ne nuk mund të jetojmë të mbyllur dhe të kufizuar. Epidemia do të vazhdojë pasi të zbulohet vaksina derisa të vaksinohet një përqindje e mjaftueshme e popullatës. E kemi nënshkruar një letër drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të hyrë në planin e shpërndarjes së vaksinës kur do të jetë në dispozicion”, shtoi Filipçe.