Ashtu si Bashkimi Sovjetik në vitet e tij të fundit, Shtetet e Bashkuara po rrethohen nga dështimet katastrofike në lidership dhe tensione socio-ekonomike. Për pjesën tjetër të botës, zhvillimi më i rëndësishëm është se hegjemonia e dollarit amerikan më në fund mund të përfundojë.
Nga Harold James
Bashkimi Sovjetik ishte terren pjellor për shaka politike, siç po ndodh tani edhe në Shtetet e Bashkuara. Sipas një historie popullore, një djalë i ri që bërtiti në Sheshin e Kuq se udhëheqësi i dekretuar sovjetik Leonid Brezhnev ishte një idiot, përfundoi duke u dënuar me 25.5 vjet burg – gjashtë muaj për fyerjen e Kryetarit të Presidiumit të Sovjetit Suprem, dhe 25 vite burg për zbulim të sekreteve shtetërore.
Reagimi i zemëruar i administratës Trump ndaj një libri të ri nga ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton ka ndjekur një skenar të ngjashëm. Libri konsiderohet i rrezikshëm jo vetëm sepse fyen Donald Trump, por sepse zbulon se presidenti është shumë i paaftë dhe “totalisht i painformuar”. Nëse kjo nuk ishte e dukshme tashmë, tani e gjithë bota e di se SHBA-së i mungon ndonjë orientim strategjik ose një lidership ekzekutiv koherent.
Në fakt, shumë aspekte të gjendjes aktuale të Amerikës të sjellin në mendje vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, duke filluar me intensifikimin e konfliktit shoqëror dhe politik. Në rastin e Bashkimit Sovjetik, dolën në pah shpejt rivalitete etnike, duke e shtyrë të gjithë vendin drejt dhunës, shkëputjes dhe shpërbërjes. Në SHBA, përgjigjja e Trump ndaj protestave mbarëkombëtare kundër racizmit, brutalitetit të policisë dhe pabarazisë ka qenë që të nxisë më tej ndarjen historike racore të vendit. Dhe, ashtu siç ndodhi me statujat e Leninit gjatë rënies së perandorisë sovjetike, statujat e liderëve të Konfederatës po rrëzohen ngado.
Një paralel tjetër ka të bëjë me ekonominë. Bashkimi Sovjetik kishte një aparat të madh planifikimi dhe shpërndarjeje të burimeve që tërhiqte njerëzit më të arsimuar të shoqërisë, për t’i dërguar ata më pas në detyra joproduktive dhe të dëmshme. SHBA-ja ka Uoll Stritin. Në fakt, sektori i gjerë i shërbimeve financiare të Amerikës nuk është ekuivalent i Gosplan (Komisioni i Planifikimit Shtetëror Sovjetik), por shpesh nxjerr vlera në vend që t’i krijojë ato dhe, për pasojë, në mënyrë të pashmangshme do të jetë pjesë e çdo debati rreth ndarjes së burimeve.
Deri në momentin kur sistemi sovjetik ra, shumë pak menduan se kjo mund të ndodhte vërtet. Në vlerësimin e gjendjes së sistemit amerikan, është e rëndësishme kini parasysh se ekonomistët nuk janë shumë të zotët për parashikime. E gjithë disiplina mbështetet në ekstrapolimin nga kushtet bashkëkohore në supozimin se bazat themelore të asaj që analizohet nuk do të ndryshojnë. Duke e ditur plotësisht se ky është një supozim jorealist dhe absurd, ekonomistët shpesh imitojnë teologët mesjetarë duke i shoqëruar prognozat e tyre me një gjuhë misterioze dhe zhargon.
Duke pasur parasysh këtë praktikë standarde, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe parashikimeve afatgjata. Në fund të viteve 1960, ekonomisti Robert A. Mundell bëri tre parashikime: Bashkimi Sovjetik do të shpërbëhej; Europa do të adoptonte një monedhë të vetme; dhe se dollari do të ruante statusin e tij si monedhë mbizotëruese ndërkombëtare. Duke marrë parasysh që sistemi sovjetik u rrëzua shpejt pas kësaj, duke shkaktuar një zhvlerësim të dollarit, këto ngjanin si parashikime të egra. Por Mundell doli se kishte të drejtë në të tria pikat.
Por rrethanat tani për dollarin po ndryshojnë. Pandemia e COVID-19 tani po shkon drejt një forme më të digjitalizuar globalizmi. Ndërkohë që lëvizja ndërkufitare e njerëzve dhe mallrave bie, informacioni po vërshon si kurrë më parë, duke shënuar një ekonomi gjithnjë e më të prekur.
Për më tepër, në këto tri vite e gjysmë të fundit, administrata Trump ka pasur një reagim të ashpër kundër përdorimit të saj të dollarit për qëllime politike. Sanksionet financiare dhe sekondare ishin mjaft të efektshme në formën e tyre origjinale, kur ato drejtoheshin kundër aktorëve të këqij të izoluar si Koreja e Veriut. Por vendosja e tyre më e gjerë kundër Iranit, Rusisë dhe kompanive kineze ka qenë kundërproduktive. Jo vetëm Rusia dhe Kina, por edhe Europa ka ndërmarrë shpejt hapa për të zhvilluar mekanizma alternative për pagesa dhe zgjidhje ndërkombëtare.
Sistemet e pagesave digjitale joshtetërore po përjetojnë gjithashtu një zhvillim të shpejtë, sidomos në vende ku shteti është i dobët, nuk i zihet ose mungon besueshmëria. Revolucioni i pagesave ka të ngjarë të ndodhë më shpejt në vendet e varfra, siç është Afrika ose disa ish-republika sovjetike. Teknologjitë e reja digjitale tashmë u ofrojnë këtyre shoqërive mjetet për të kaluar nga varfëria dhe mungesa e zhvillimit institucional në kompleksitetin institucional dhe mundësinë e inovacionit dhe prosperitetit.
Qendërsia e gjatë e dollarit pasqyronte kërkesën globale për një aset të thellë, të lëngshëm të sigurt. Por kjo gjendje do të zhduket kur të shfaqen asete alternative të sigurta, sidomos nëse ato mbështeten nga ofrues jo-shtetërorë. Për më tepër, mbretërimi i gjatë i dollarit mbi sistemin financiar ndërkombëtar varej nga një SHBA që do të vazhdonte të mbetej e qëndrueshme ekonomikisht, e besueshme në aspektin financiar dhe e hapur në aspektin kulturor. Tani që mosfunksionimet e sistemit amerikan po dalin sheshit, pjesa tjetër e botës mund të fillojë të vërë në dyshim aftësinë e tij bazike dhe efikasitetin e shtetit.
Kriza e COVID-19 është një shembull i mirë. Për sa i përket numrit të infektimeve dhe vdekjeve, dhe efikasitetit për të frenuar përhapjen e virusit, Shtetet e Bashkuar kanë bërë një punë shumë të dobët krahasuar me shumicën e vendeve të tjera dhe krahasuar me të gjitha vendet e tjera të zhvilluara. Nën drejtimin e presidentit Donald Trump, Amerika është bërë një turp ndërkombëtar.
Në këto kushte, dollari nuk do të jetë në gjendje të blejë aq shumë në nivel ndërkombëtar sa blinte dikur dhe, madje, mund të fillojë edhe të ngjajë me rublën e vjetër sovjetike, edhe nëse ka një ndryshim dramatik në lidership dhe strategji. Mbi të gjitha, Mikhail Gorbachev nuk e pasoi menjëherë Brezhnevin dhe në kohën kur ai erdhi në pushtet dhe prezantoi perestroikën, tashmë ishte tepër vonë. Sëmundja tashme ishte në fazën e fundit.
Project Syndicate-Birn