Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka treguar se Bashkimi Europian është shumë më tepër sesa një grup vendesh të vogla dhe të mesme që nuk bien dakord kurrë. Evolucioni i treguesve kryesorë ekonomikë dhe epidemiologjik është jashtëzakonisht i ngjashëm në të gjithë vendet e BE-së, për shkak të një sërë perspektivash të ngjashme që mungojnë dukshëm në Shtetet e Bashkuara.
Nga Daniel Gros
Disa muaj më parë, pandemia COVID-19, e shoqëruar me krizën ekonomike dhe financiare që ajo ka shkaktuar, dukej sikur mund ta shpërbënte Bashkimin Europian. Shtetet anëtare kishin mbyllur kufijtë e tyre kombëtar dhe kishin refuzuar të gjithë koordinimin, me disa prej tyre që madje ndaluan edhe eksportin e pajisjeve mjekësore tepër të nevojshme për partnerët e tyre në BE. Megjithatë, sot, kufijtë e brendshëm të BE-së janë rihapur, pajisjet mjekësore po lëvizin lirshëm dhe vendet anëtare kanë rënë dakord për masa të pashembullta për të përballuar ndikimin ekonomik të pandemisë. Por çne ky ndryshim i jashtëzakonshëm?
BE-ja është përshkruar shpesh si një grup vendesh me madhësi të vogël dhe të mesme që nuk janë në gjendje të bien dakord për asgjë. Por evolucioni i treguesve kryesorë ekonomikë dhe epidemiologjikë gjatë krizës së COVID-19 është jashtëzakonisht i ngjashëm në të gjithë vendet, duke sugjeruar se, kur bëhet fjalë për zgjedhje politikash, ata nuk janë dhe aq të ndryshëm, në fund të fundit.
Fillojmë me të dhënat epidemiologjike. Shkalla e infeksionit dhe vdekshmërisë nga COVID-19 ndryshon shumë në vendet e BE-së, me Gjermaninë dhe shumicën e vendeve anëtare të veriut dhe lindjes që po ecin shumë më mirë sesa Italia, Spanja dhe Franca (për të mos përmendur Mbretërinë e Bashkuar). Megjithatë, pothuajse të gjithë kanë stabilizuar shkallët e tyre të infeksionit në një nivel mjaftueshëm të ulës, saqë shpërthimet lokale të mund të mbahen nën kontroll, duke zbatuar rregulla të detyrueshme për distancim social, të cilat u hoqën vetëm pasi virusi u vu nën kontroll.
Një përjashtim është Suedia, ku politikëbërësit vendosën të mbështeteshin te publiku dhe marrja e masave paraprake të nevojshme u la në dorë të këqij të fundit. Deri më tani, kjo qasje ka dhënë rezultate jo impresionuese. Suedia jo vetëm që ka një shkallë fataliteti shumë më të lartë sesa fqinjët e saj nordik, por edhe ekonomia e saj nuk është më e mirë.
Edhe me këtë përjashtim – i cili përbën më pak se 3% të popullsisë së BE-së – rezultatet në të gjithë Europën janë shumë më të qëndrueshme sesa ato në Shtetet e Bashkuara. Disa shtete të Bregut Lindor, të tilla si Nju Jorku dhe Nju Xhersi, kanë ndjekur modelin “europian”: një rritje të mprehtë përsa i takon numrit të infektimeve dhe vdekjeve pasuar nga rregulla të forta distancomi social ose qëndrimi në shtëpi, të cilat kanë stabilizuar normat e infektimit në një nivel të ulët. Por shtetet e tjera – të tilla si Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi – kanë ngurruar të vënë në zbatim (ose mbajnë) rregulla të rrepta distancomi social, madje edhe pasi normat e infektimeve kanë arritur nivele rekord.
Kjo sugjeron se ndryshimet janë çështje preferencash, jo institucionesh. Mbi të gjitha, Shtetetb e Bashkuara kanë një institucion të fortë federal – Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – që mund të ofrojnë udhëzime për të gjithë vendin.
Po, Presidenti Donald Trump nuk pranoi të mbështesë rekomandimet e CDC-së. Në fakt, ai dhe anëtarë të tjerë të administratës së tij, përfshirë zv/presidentin Mike Pence, kanë refuzuar të vendosin maska. Por vendet europiane nuk kishin ndonjë autoritet “federal” që t’i nxiste ata të ndiqnin të njëjtin grup rregullash. Përkundrazi, shumica e liderëve kombëtarë instinktivisht ndoqën një linjë të ngjashme, të udhëhequr nga këshillat më të fundit shkencore. Kjo qasje reflektonte këndvështrime të ngjashme. Guvernatorët në SHBA nuk bënë të njëjtën gjë, për shkak të preferencave dhe perspektivave divergjente politike – të cilat shtrihen te besimi te shkenca dhe ekspertiza.
Të dhënat makroekonomike tregojnë një histori të ngjashme. Para pandemisë, papunësia ishte edhe më e ulët dhe e shpërndarë në mënyrë të barabartë në SHBA. Tani nuk është më kështu. Në maj, niveli i papunësisë në shkallë vendi u rrit mbi 13% – pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së prej 6.7%, e cila është rritur shumë pak gjatë krizës.
Ajo që është më e habitshme është se sa në mënyrë të pabarabartë është shpërndarë tani papunësia në SHBA. Më shumë sesa në BE. Për shembull, shkalla e papunësisë në Nevada tani është në 25% – më e larta në SHBA – ndërsa Nebraska është vetëm rreth 5%. Ky është pothuajse i njëjti ndryshim që ekziston midis Greqisë dhe Gjermanisë.
Megjithatë, edhe pse nievelt e papunësisë në BE janë heterogjene, të gjitha vendet kanë arritur të parandalojnë një rritje të konsiderueshme – përsëri, për arsye perspektive. Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë zgjedhur të prezantojnë ose të zgjasin subvencionet e punës me kohë të reduktuar. Qeveria i paguan firmat që të mbajnë punëtorët në listën e tyre të pagave, edhe nëse prodhimi duhet të ulet.
Qëllimi ishte të mundësonte që ndërmarrjet industriale të mesme dhe të mëdha të mbajnë personelin e specializuar – ose “kapital njerëzor specifik të fortë” – gjatë shokut të përkohshëm. Në këtë mënyrë, firmat mund të rifillonin prodhimin më shpejt, pasi të hiqeshin masat kufizuese dhe të fillonte rimëkëmbja.
Por skema të tilla kanë një disavantazh të rëndësishëm: ato mund të subvencionojnë punë që nuk kanë një të ardhme afatgjatë. Por çështja këtu nuk është nëse kjo ishte apo jo zgjedhja më e mirë politike. Ajo që ka rëndësi është se çdo vend anëtar i BE-së bëri të njëjtën gjë. (Rregullat e tregut të punës mbeten një kompetencë kombëtare e mbrojtur me xhelozi, kështu që BE-ja nuk mund t’i urdhëronte ata të vepronin në këtë mënyrë.)
Masat e marra në nivel BE-je vazhdojnë më tej. Marrëveshja e fundit franko-gjermane për të krijuar një fond rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh (567 miliardë dollarësh) është diçka shumë e rëndësishme, sepse do të lejojë që BE-ja, për herë të parë, të marrë borxh dhe të bëjë transferta për ata vende që kanë më shumë nevojë.
Më vete, kjo marrëveshje do të ishte një hap i madh përpara. Por ajo duhet të kuptohet jo vetëm si një reagim ndaj një situate të dëshpëruar, por si një pasqyrim i vlerave dhe pikëpamjeve gjerësisht të përbashkëta. Pavarësisht se është një tragjedi më vete, kriza e COVID-19 ka zbuluar një të vërtetë të madhe për BE-në. Lidhjet që e bashkojnë atë shtrihen përtej traktateve dhe interesave të vetë shteteve anëtare.
Project Syndicate-Birn