Ballina Bota Analiza ANALIZA: Virusi i kapitalizmit

ANALIZA: Virusi i kapitalizmit

Nga Slavoj Žižek

E parë me sytë e sotëm, periudha e panikut të hershëm nga covid-19 e muajve të kaluar është pothuajse e ngjyrosur me një dritë nostalgjike: është e vërtetë, ishim në karantinë, por prisnim që ajo të zgjaste më e shumta një muaj ose dy, dhe më pas jeta do të kthehej në një formë të normalitetit. Edhe imunologu Anthony Fauci u kishte thënë amerikanëve që të përgatiteshin për kohën kur do të shijonin pushimet verore. Ne e perceptuam karantinën si një periudhë të jashtëzakonshme: pothuajse një “armëpushim” i mirëpritur me jetën tonë tepër të zënë, ku mund të shijonim pak paqe në familje, të lexonim libra, të dëgjonim muzikë, të kishim kënaqësinë të gatuanim ushqimet tona, duke e ditur që do të përfundonte së shpejti.

Tani jemi në atë fazë ku shfaqen me një rregullsi të caktuar vatra personash të infektuar, ndërkohë që në vende si SHBA, Brazil apo Indi, numri i të infektuarve po shpërthen. Vetëm tani jemi të detyruar ta pranojmë se kemi hyrë në një epokë të re, në të cilën duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me virusin.

Situata është e pasigurt, nuk është e qartë se cilin drejtim do të marrë virusi. Siç e përmblodhi virologu gjerman Hendrik Streeck, “nuk ka valë të dytë ose të tretë: ne jemi në një valë të përhershme”. Por ne jemi ende shumë të përqendruar në statistikat mbi covid-19, dhe shumë prej nesh kontrollojmë rregullisht numrin e të infektuarve, të vdekurve dhe të shëruarve. Ky fiksim me të dhënat e pandemisë, na bën të harrojmë se një numër shumë më i lartë njerëzish po vdesin nga kanceri, ataku në zemër, ndotja, uria, për shkak të konflikteve të armatosur ose dhunës në familje. Duket sikur fakti i mbajtjes nën kontroll të infeksioneve covid-19, bën që të gjitha problemet tona të zhduken. Por jeta e njeriut do të mbetet përplot me pakënaqësi: në një kuptim, jeta e njeriut është një gjë e pakënaqur, që përfundon në një mënyrë të dhimbshme, shpesh me vuajtje të pakuptimta.

Për më tepër, lidhja midis pandemisë dhe situatës sonë të vështirë mjedisore po bëhet gjithnjë e më e qartë. Ne mund të jemi në gjendje ta zbusim virusin, por urgjenca klimatike do të imponojë masa shumë më radikale. Greta Thunberg kishte të drejtë kur, kohët e fundit, deklaroi se “klima dhe kriza ekologjike nuk mund të zgjidhen brenda sistemit tonë politik dhe ekonomik”. Përballë ndryshimit të klimës dhe ndotjes, të cilat vrasin miliona njerëz çdo vit, një mobilizim global si ai që kemi arritur të krijojmë për covid-19, do të jetë edhe më i domosdoshëm. Megjithatë ne vazhdojmë të mos veprojmë në këtë drejtim. Siç tha Thunberg në një përmbysje të shkëlqyer të përrallës së Andersenit: “Perandorët janë nudo. Çdo perandor. Me sa duket e gjithë shoqëria është një festë e madhe nudistësh”.

Përmendim vetëm një rast të ndryshimit të klimës që duhet të bindë edhe më skeptikët: vala e nxehtësisë në Siberi, e cila ka shkaktuar një seri zjarresh të pakontrolluara, një humbje serioze të lëndës djegëse dhe një pushtim të molave ​​që hanë pemët. Qytetet ruse në rrethin Arktik kanë provuar temperaturë të jashtëzakonshme: më 9 qershor, në Nižnjaja Peša arriti tridhjetë gradë celsius. Shkrirja e permafrostit është të paktën një nga shkaqet e humbjes së lëndës djegëse, që e shtyu Putinin të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Themelet e një rezervuari depozite janë shembur papritmas për shkak të ngrohjes së tokës. Vetëm mendoni bakteret dhe viruset që, të ngrirë për një kohë të gjatë, nuk presin asgjë më shumë, sesa të kthehen në qarkullim nga shkrirja e permafrostit.

E njëjta gjë vlen edhe për lidhjen midis covid-19 dhe protestave kundër racizmit. E vetmja përgjigje e vërtetë për një debat mbi lëvizjen e Black lives matter (kundërshtimet e atyre që thonë “Të gjitha jetët kanë rëndësi”) është një fotomontazh jashtëzakonisht brutal që qarkullon sot në Shtetet e Bashkuara. Në foto mund të shihni Stalinin duke mbajtur një poster me shkrimin “Asnjë jetë nuk ka rëndësi”. E vërteta e këtij provokimi është se ka gjëra më të rëndësishme sesa thjesht të jesh gjallë: a nuk është ky kuptimi i thellë i protestave kundër dhunës policore ndaj zezakëve? Amerikanët me ngjyrë (dhe ata që i mbështesin ata) nuk kërkojnë thjesht të mbijetojnë, por të trajtohen me dinjitet, si qytetarë të lirë plotësisht të barabartë me të bardhët, dhe për këtë ata janë të gatshëm të rrezikojnë shumë, përfshirë, ndonjëherë, edhe jetën e tyre. Kjo është arsyeja pse mblidhen për të protestuar megjithëse pjesëmarrja në demonstrata rrit rrezikun e infektimit.

Të vjen të pyesësh, mos vallë kishte të drejtë filozofi italian Giorgio Agamben kur kritikonte masat e distancimit social, si dhe izolimin e imponuar nga shteti gjatë bllokimit, si diçka që nënkupton reduktimin tonë në thjeshtë jetë njerëzore. Sikur, teksa respektojmë këto urdhëra, pohojmë se jemi të gatshëm të heqim dorë nga ajo që e bën jetën tonë me vlerë për ta jetuar, në këmbim të mbijetesës së thjeshtë. Por, për të qenë plotësisht njerëzorë, a duhet të rrezikojmë jetën tonë, duke u ekspozuar ndaj një infeksioni të mundshëm? Problemi, në pozicione të këtij lloji, është se sot kundërshtarët kryesorë të masave të izolimit janë në radhët e së djathtës së re populiste, e cila sheh në të gjitha masat kufizuese, nga mbyllja deri tek detyrimi për të mbajtur maskën, një poshtërim për lirinë dhe dinjitetin tonë.

Përballë këtij pretendimi, ne duhet të përgjigjemi me një pyetje thelbësore: çfarë nënkupton në të vërtetë heqja e izolimit për punëtorët? Do të thotë që për të mbijetuar, këta njerëz duhet të futen në një botë të pasigurt, duke rrezikuar të infektohen.

Kjo na çon në pikën qendrore të pyetjes: mënyra kontradiktore, me të cilën epidemia e covid-19 ka ndikuar mbi ekonominë tonë. Nga njëra anë, ajo i detyroi autoritetet të ndërmarrin masa të cilat, në raste të caktuara, kanë tendencë të jenë gati komunizëm: një formë e të ardhurave minimale universale, shëndetit publik etj. Por kjo hapje e papritur ndaj komunizmit është vetëm njëra anë e medaljes. Në të njëjtën kohë, një proces i kundërt vazhdon me dhunë të madhe: shtetet shpëtojnë kompanitë e mëdha dhe këto grumbullojnë pasuri.

Konturet e korona-kapitalizmit po shfaqen gradualisht, dhe bashkë me to edhe forma të reja të luftës së klasave. Për të cituar një artikull nga Joshua Simon, botuar në revistën Social Text: “Qytetet e Shteteve të Bashkuara kanë parë grevën më të madhe të qerave në dekadat e fundit, të paktën 150 greva dhe heqje dorë nga puna (sidomos të punëtorëve të depove të Amazon) dhe greva urie në ambientet e paraburgimit të refugjatëve. Në të njëjtën kohë, studimet tregojnë se miliarderët amerikanë e rritën pasurinë e tyre me 282 miliardë dollarë në vetëm 23 ditë, gjatë javëve fillestare të izolimit nga covid-19. Mund të regjistrojmë kështu, shumëfishimin e pabarazive gjatë pandemisë dhe izolimit, njerëz që humbasin punën, subvencionet e mëdha posaçërisht për kompanitë më të pasura dhe ata që janë tashmë të pasur, si dhe mënyrat në të cilat ai që konsiderohet punëtor i domosdoshëm, është i detyruar të vazhdojë të dalë nga shtëpia”.

Forma kryesore e shfrytëzimit, vazhdon Simon, që karakterizon punën gjatë pandemisë është “transferimi i kostove për punëtorët. Nga njerëzit që nuk kanë leje kur sëmuren, tek mësuesit që përdorin lidhjen e tyre në internet dhe laptopët për të dhënë mësime nga shtëpia, e gjithë puna riprodhuese dhe prodhuese u kalohet familjeve”. Në këto kushte, kapitalisti nuk është më pronari kryesor i mjeteve të prodhimit dhe as ai që punëson punëtorët, në një marrëdhënie profesionale: “Punëtori sjell mjetet e prodhimit me vete. Kjo ndodh direkt me punëtorin e shpërndarjes në Amazon apo shoferin e Uber, të cilët përdorin makinën e tyre për të punuar, duke paguar personalisht benzinën, sigurimet dhe patentën”.

Në artikullin e tij Simon përmend një tabelë të mbajtur nga një protestuese, Sarah Mason, gjatë një proteste kundër masave të mbylljes: “Distancimi shoqëror = komunizëm”. Duke hequr distancimin, ajo që ne marrim është kjo “liri” e punëtorëve, të cilët zotërojnë mjetet e tyre të prodhimit, që shkojnë të fitojnë për kompaninë dhe rrezikojnë të infektohen. Paradoksi është se të dy versionet e korona-kapitalizmit – puna nga shtëpia gjatë izolimit dhe shpërndarja e ushqimit ose pakove për njerëzit e mbyllur në shtëpi – janë shpronësuar nga kapitali dhe shkaktojnë shfrytëzim të mëtejshëm.

Përgjigja jonë për Sarah Mason duhet të jetë: po, distancimi shoqëror është i ngjashëm me komunizmin, kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për të. Por ajo që na duhet edhe më shumë është një rend i ri ekonomik, i cili na lejon të shmangim zgjedhjen rraskapitëse, midis ringjalljes së ekonomisë dhe shpëtimit të jetëve. / Internazionale – Bota.al