Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka lexuar kohët e fundit shumë libra të historisë gjermane dhe duket se ka nxjerrë disa mësime. Gjatë një interviste të fundit me gazetën europiane “Politico” në Bruksel, Vuçiç sinjalioi për herë të parë se ishte i gatshëm të bënte një shkëmbim të madh politik në emër të Serbisë: njohjen e Kosovës për anëtarësimin në BE.
Edhe pse është hedhur disa herë poshtë nga Beogradi zyrtar, Vuçiç duket se ka shfryëzuar pandeminë për të reflektuar për të ardhmen e vendit të tij, duke deklaruar se Serbia duhet të behët pjesë e unionit europian në vitin 2026. Por edhe pse nuk ka çuar përpara shumë prej reformave të kërkuara nga BE, përkundrazi, ka bërë hapa pas, Vuçiç duket se ka kuptuar se ka një çelës magjik që mund t’i hapë dyert unionit: Kosovën.
Duke folur nga Brukseli, presidenti serb deklaroi se kishte vendosur të merrte shembull nga Gjermania moderne, e cila është pajtuar me humbjen e territorit që dikur e konsideronte të vetin, dhe në vend të kësaj u përqendrua në ngritjen ekonomike dhe promovimin e kulturës dhe vlerave të saj. Vuçiç, për të cilin Gjermania është një model edhe për Serbinë, sinjalizoi se ishte i gatshëm të pranojë se Kosova nuk është më krahina e saj, nëse i hapej rruga e anëtarësimit në BE.
Ai iu referua dy herë vetes si një “djalë i vogël nga Ballkani përballë superfuqive botërore”, një përshkrim i çuditshëm jo vetëm sepse ai është i gjatë 2 metra, por se gjatë gjithë dekadës së kaluar, presidenti serb duket se ka hapur dyert e vendit të tij për fuqitë si Kina, Rusia, Turqia, Katari
Vuçiç ishte në Bruksel për të takuar zyrtarë të lartë të BE-së javën e kaluar, një ditë pas anulimit të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e Kosovës, për shkak të aktakuzës për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçit. Ky zhvillim sipas Vuçiç ka ndryshuar çdo plan të gatshëm për paqen midis serbëve dhe shqiptarëve, duke e bërë rrugën që do të marrë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës të panjohur.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, do të rinisë më 12 korrik. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb do të takohen për raundin e ri të bisedimeve. Po ashtu, presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel mësohet se do të mbajnë një video-samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Por, pavarësisht asaj që ishte arritur me SHBA-në, Vuçiç është treguar i shpejtë për të vendosur kushtet e “deal-it” të ri me BE-në.
Në Bruksel, bisedimet e Shtëpisë së Bardhë nuk ishin parë me shumë entuziazëm. Diplomatët e BE-së u ankuan se i dërguari i posaçëm i SHBA Richard Grenell i kishte përjashtuar nga procesi. Disa zyrtarë të BE-së gjithashtu kishin frikë se administrata amerikane mund të kryesonte një marrëveshje për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, megjithëse Grenell tha se ai nuk favorizon një shkëmbim të tillë dhe BE nuk ka një qëndrim të përbashkët për këtë skenar.
Vuçic megjithatë, nuk e ka mbyllur derën e takimeve të ardhshme në Uashington: “Kurdo që të më ftojnë do shkoj. Si mundet që një djalë i vogël nga Ballkani të refuzojë të flasë me dikë nga Shtëpia e Bardhë?”, deklaroi Vuçiç. Megjithatë, ai theksoi se bisedimet e sponsorizuara nga BE duhet të rifillojnë përkundër aktakuzave të ngritura kundër Thaçit dhe se pret të takohet me kryeministrin Avdulla Hoti në Bruksel gjatë javëve të ardhshme.
Duke ndalur tek kufijtë dhe teza për ndryshimin e tyre, Vuçic tha se: “Unë jam i gatshëm të diskutoj çdo çështje të vetme, i gatshëm për të diskutuar të gjitha propozimet që mund të vijnë nga kushdo.”
Por ai gjithashtu theksoi se nuk do të pranojë një marrëveshje kur Serbia humbet gjithçka dhe Kosova fiton gjithçka. Sipas presidentit, për Serbinë, çështja e Kosovës është e lidhur pazgjidhshmërisht me anëtarësim në BE. “BE na e ka bërë të qartë se Serbia nuk mund të bashkohet me unionit, derisa të arrihet paqja me shqiptarët”, deklaroi ai.
Por Vuçiç tha që BE do të duhet të ofrojë një garanci për anëtarësim para se Serbia të nënshkruajë në një marrëveshje paqeje: “Ndoshta serbët do të pranojnë të njohin pavarësinë e Kosovës për të marrë ndoshta anëtarësimin në BE në të ardhmen”, deklaroi ai.
Serbia ka nisur bisedimet e anëtarësimit me BE-në që nga viti 2014, dhe Vuçiç tha se qëllimi i tij ishte që të përfundojë negociatat në vitin 2024 dhe të bëhet anëtare e unionit në vitin 2026. “Ne duhet të shpejtojmë procesin tonë të BE”, tha ai.
Ky afat kohor është cilësuar nga shumë zyrtarë të BE-së si shumë ambicioz, për shkak të problemeve serioze me sundimin e ligjit dhe korrupsionit.
Ndërsa ishte ulur për intervistë në bazën diplomatike të Serbisë në Bruksel, Vuçiç qëdronte prapa një me Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të ngjyrosura ne gri, të rrethuara nga anëtarët e BE-së me të verdhë. “Harta, tha Vuçiç, trego jo vetëm që Serbia ka nevojë për BE por edhe se BE ka nevojë për Serbinë.
Por BE-së ende i duhen ende fakte bindëse. Javën e kaluar, gjashtë anëtarë të BE bllokuan hapjen e një kapitulli të ri në bisedimet e anëtarësimit të Serbisë, kryesisht sepse ata ishin të zhgënjyer nga ndecja e reformave.
Një pikë tjetër e fërkimit me BE-në është politika e jashtme. Jo vetëm për shkak të lidhjeve të Serbisë me Rusinë, por edhe për shkak të bashkëpunimit të ngushtë të Vuçic me Kinën.
Gjatë krizës së koronavirusit në Mars, Vuçic shprehu mirënjohjen e tij për Kinën pas dërgimit të furnizimeve mjekësore, duke i shkruar një letër presidentit kinez Xi Jinping dhe duke deklaruar se “vendi i vetëm që mund të na ndihmojë është Kina”. Ai madje puthi një flamur kinez kur përshëndeti ardhjen e mjekëve kinezë dhe hodhi poshtë solidaritetin e BE-së.
Kjo nuk u prit mirë nga asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Megjithatë, Vuçiç nuk u distancua nga komentet e tij: “A gënjeva? A thashë diçka që nuk është e vërtetë. Çfarë ndihme ka ofruar Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, nga italianët, nga Franca, nga Spanja?”, deklaroi ai
50 vjeçari e filloi karrierën e tij politike në Serbi si ultranacionalist. Ai ka punuar si ministër i informacionit në kohën e Slobodan Miloshevic, por krahasohet me Josip Broz Titon, udhëheqësin e ish-Jugosllavisë komuniste, i famshëm për luajtjen me fuqitë e mëdha, duke u hedhur nga njëri krah në tjetrin. Presidenti serb duket se po bën në këto momente të njëjtën gjë me BE-në dhe SHBA-në, duke marrë c’të mundet nga të dyja palët. (Gazeta SI)