Numri i të infektuarëve asimptomatikë, ku nuk shfaqen fare simptoma, mbetet në diskutim. Disa njerëz që dalin pozitivë për COVID-19, por nuk kanë probleme, mund të shfaqin simptoma më vonë. Njerëzit mund të jenë ende infektues para se të shfaqin simptoma dhe të dhënat sugjerojnë se infektimet ndodhin pikërisht në fazat e hershme të virusit.
Nga Charlotte Edmond
Para se të mund të gjendet një vaksinë, shpresa jonë më e mirë për të luftuar koronavirusin qëndron në parandalimin e përhapjes së saj. Por si ta bëjmë këtë kur njerëzit mund të mos jenë të vetëdijshëm që janë të infektuar? Dhe cili është ndryshimi midis rasteve asimptomatike, para-simptomatike dhe simptomatike? Këtu keni një shpjegim i shkurtër.
Rastet asimptomatike
Njerëzit janë “asimptomatikë” kur ata rezultojnë pozitivë për COVID-19 pa shfaqur ndonjë simptomë.
OBSH-ja thotë se nuk është e qartë se sa transmetime ndodhin nga këto raste asimptomatike. Studime të mëtejshme për të kuptuar transmetimin e virusit nga mbartësit asimptomatikë janë të vështira për t’u kryer, pasi ato do të kërkonin testime të gjera dhe më shumë të dhëna nga sa janë aktualisht në dispozicion.
Për më tepër, në vend që të konsiderohen si asimptomatikë, mendohet se në shumë raste të COVID-19, personi i infektuar ka një formë shumë të butë të sëmundjes. Simptomat e zakonshme – të tilla si kollë, ethe ose lodhje – mund të mos zhvillohen në një masë të dukshme, ose simptomat që ekzistojnë mund të jenë atipike dhe të ngjajnë si format më të zakonshme të sëmundjes.
Rastet para-simptomatike
Duke pasur parasysh se periudha e inkubacionit për COVID-19 – koha midis ekspozimit ndaj virusit dhe fillimit të simptomave – mund të jetë deri në 14 ditë, ka edhe rrethana kur njerëzit mund ta kenë marrë sëmundjen, por nuk janë ende të vetëdijshëm për këtë, kështu që vazhdojnë jetën normalisht.
Disa nga rastet me koronavirus që janë zbuluar në mes të përpjekjeve për gjurmim të rasteve bien në këtë kategori dhe njerëzit i shfaqin simptomat e virusit më pas. Kjo mbështetet nga të dhënat që sugjerojnë se disa njerëz mund të rezultojnë pozitivë për virusin 1-3 ditë para se të zhvillojnë simptoma.
Në këtë fazë para-simptomatike, disa njerëz janë ende infektues, kështu që në vazhdim transmetimi i virusit është ende i mundur, pavarësisht se nuk shfaqen shenja të jashtme të sëmundjes. Kjo është një nga arsyet pse qeveritë kërkojnë që familje të tëra të izolohen kur një anëtar i tyre rezulton i prekur nga COVID-19.
Rastet asimptomatike dhe para-simptomatike janë etiketuar edhe si “përhapës të heshtur” dhe theksojnë akoma më shumë rëndësinë e distancimit të vazhdueshëm social, larjes së rregullt të duarve dhe mbajtjes së higjienës në aktivitetet e përditshme.
Transmetimi i sëmundjes nga një rast simptomatik te një person tjetër është forma më e lehtë për të gjurmuar. Virusi përhapet kryesisht te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me spërklat e infektuara që dalin nga aparati respirator, kontakti direkt me personat e infektuar ose nëpërmjet kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.
Edhe pse sëmundja mund të variojë përsa i takon simptomave nga një person te një tjetër, shumica e njerëzve që e marrin atë do të kenë një formë të butë dhe do të shfaqin simptoma. Simptomat e zakonshme përfshijnë ethe, kollë të thatë dhe lodhje. Më rrallë, ato mund të përfshijnë dhimbje, kongjestion të hundës, dhimbje koke, konjunktivit, dhimbje fytit dhe skuqje, ndër të tjera.
Të dhënat e deritanishme sugjerojnë se njerëzit e përhapin më shumë virusin gjatë tre ditëve të para nga fillimi i simptomave. Kjo sugjeron që njerëzit janë më infektues gjatë pjesës së hershme të sëmundjes, kur simptomat sapo kanë filluar.
Raste për të cilat nuk jemi në dijeni
Krahas çdo rreziku të krijuar nga përhapësit e heshtur, ka edhe raste që lindin si rezultat i infektimeve jo të dokumentuara – njerëz që kanë simptoma, por që nuk testohen për një arsye ose një tjetër. Siç e tregon edhe vetë përshkrimi, është shumë më i vështirë të dihet sasia e rasteve të pa dokumentuara, sesa ajo e rasteve të dokumentuara, në të cilat njerëzit identifikohen si mbartës të sëmundjes sepse kanë kërkuar kujdes shëndetësor ose janë testuar gjatë gjurmimit të kontakteve.
Një studim i publikuar në mars sugjeron se, bazuar në modelet statistikore, 86% e të gjitha infektimeve në Kinë ishin të pa dokumente para fundit të janarit kur autoritetet e futën Wuhan-in në karantinë. Autorët thonë se kjo do të ndihmonte në shpjegimin e transmetimit të shpejtë të sëmundjes në të gjithë botën.
Gjurmimi efikas i të gjitha infektimeve dhe kontaktimi i njerëzve që mund ta kenë marrë sëmundjen nga raste të konfirmuara është tani një fokus për shumë vende. Ndërkohë që masat e izolimeve po fillojnë të lehtësohen në Europë dhe pjesë të SHBA-së, skema të tilla gjurmimi ka të ngjarë të rezultojnë thelbësore në përpjekjet për të parandaluar një rritje të shifrave të të infektuarve.
Weforum.org Asymptomatic, pre-symptomatic, symptomatic: what is the difference?