Austria lëshoi një paralajmërim udhëtimi për disa vende të Ballkanit, pasi disa njerëz që mbërritën nga rajoni, dolën pozitivë në testet për koronavirus.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të mërkurën në një konferencë për media se paralajmërimet janë për Bullgarinë, Rumaninë dhe Moldavinë.
Në bazë të paralajmërimeve, kushdo që hyn në Austri nga njëri prej këtyre vendeve duhet të tregojë testin negativ për koronavirus ose të izolohet për 14 ditë.
https://youtu.be/UXzr8P-1zh0
Qeveria austriake tha se do të rrisë kontrollet edhe në vendkalimet kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë.
Njoftimi vjen një ditë pasi Ministria e Jashtme e Rumanisë tha se 99 shtetas rumunë dolën pozitivë në testet për koronavirus në qytetin austriak të Lincit.
Shumica e atyre me teste pozitive ishin punëtorë migrantë.
Më 1 korrik, Austria ka lëshuar një paralajmërim të ngjashëm udhëtimi edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.
Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, Austria ka konfirmuar mbi 18,000 raste me koronavirus.
Prej tyre, 706 kanë ndërruar jetë dhe mbi 16,700 janë shëruar.