Turizmi shqiptar mund të humbasë 3,5 milionë vizitorë të huaj dhe mbi 1,1 miliardë euro nga shpenzimet e munguara të tyre.
Këto shifra mbështeten në skenarin bazë që parashikon për këtë vit Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit.
Industria e turizmit zë një peshë të ndjeshme në ekonominë shqiptare të llogaritur në 21,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Mbi të gjitha, vendi është mbështetur te ky sektor për rritjen ekonomike. Në 5 vitet e fundit, 1 në 4 vende të reja të hapura pune kanë qenë të mbështetura te turizmi.
Ndërsa këtë vit gjysma e tyre mund të qëndrojnë të mbyllura, veçanërisht për stafin sezonal që punësohet gjatë sezonit veror.
Edhe me nismën për të pushuar në Shqipëri, sektori do ta ketë të pamundur të rikuperojë 76% të të ardhurave që deri vjet vileshin nga turistët e huaj.
Këta të fundit, krahas situatës së përgjithshme ekonomike të rënduar për shkak të pandemisë, janë të dekurajuar për shkak të masave kufizuese që shtetet mund të aplikojnë në çdo moment.
Këtë vit tur-operatorët deklarojnë se janë duke u mbështetur thuajse tërësisht në paketat e minutës së fundit, që do të thotë se impakti real në turizmin shqiptar do të shihet vetëm në fillim të muajit gusht.(A2)