Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë viktima nga COVID-19.
Numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur bet*ejën me sëmundjen ka arritur në 158. Një ditë më herët ishte njoftuar për 150 viktima. Sipas Institutit viktimat kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.
Në bazë të raportit ditor, IKSHPK njofton se ka testuar edhe 420 pacientë të dyshuar me koronavirus, dhe prej tyre 181 kanë dalë pozitivë.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë – që nga mesi i muajit mars – ka arritur në 6.467.
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 136 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.505 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.804”, thuhet në njoftimin e Institutit.