Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë thirrje për një kontroll më të fortë mbi mediat sociale, pas fyerjeve të pretenduara drejtuar vajzës dhe dhëndrit të tij, kur ata njoftuan lindjen e fëmijës së tyre të katërt në TWitter.
Duke folur para drejtuesve të komiteteve rajonale të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ai kërcënoi të miratojë ligje të reja deri në fund të vitit dhe të forcojë kontrollin mbi mediat sociale “imorale”.
“A e kuptoni pse ne jemi kundër mediave sociale si YouTube, Twitter ose Netflix? Për të zhdukur imoralitetin,” tha Erdogan në një fjalim.
Ai shtoi se qeveria e tij është e vendosur të paraqesë një ligj që do t’i detyrojë kompanitë që drejtojnë rrjete sociale të legalizojnë praninë e tyre në Turqi.
Kjo do të nënkuptonte që në të ardhmen ata mund të mbajnë pasojat financiare dhe të detyrohen që t’u përgjigjen vendimeve të gjykatave turke.
Ministri i Financave Berat Albayrak, i cili u martua me vajzën e Erdoganit Esra, njoftoi lindjen e fëmijës së tij të katërt, Hamza Salih, në Twitter të martën.
Ky njoftim u takua me komente fyese deri në pikën e pyetjes mbi atësinë e fëmijës.
Erdogan tha se po fillonin hetimet për ata që “sulmuan” familjen e tij “duke fyer të porsalindurin”.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë frikacakë që sulmojnë familjen dhe vlerat që ajo ushqen,” tha ai.
Presidenti turk fajësoi mediat sociale globale që vinin nga vendet perëndimore për “mbylljen e syve” të ngjarjeve të tilla në Turqi.
“Ne kemi përjetuar disa sulme të ngjashme në të kaluarën. Mungesa e mbikëqyrjes në këto platforma është një nga arsyet që kjo lloj sjelljeje imorale të ndodhë,” shtoi ai.
“Këto platforma nuk i përshtaten vendit tonë. Ne duam që ato të ndalohen dhe të vihen nën kontroll,” tha Erdogan.
Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu tha se disa përdorues të rrjetit social u arrestuan gjatë natës për gjoja postimin e tweet-ave ofenduese.