Tregtarët në Tetovë duhet të nxjerrin bukën e gojës në kushte të mjera, me treg të improvizuar dhe nuk kanë hapësira të mjaftueshme ku do të mund t’i kryejnë shërbimet ndaj klientëve. Kështu është shprehur kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami gjatë konferencës për shtyp, mesazhi i së cilës ishte se do të përkrahen tregtarët dhe me qeverisjen e koalicionit ”Mundemi”, tregtarët do të kenë hapësira tregu me kushte evropiane, njofton Albanews24.
”Jemi në këtë treg të improvizuar të qytetit të Tetovës dhe ne sot edhe njëherë u njoftuam me kushtet mizerable, me të cilët qytetarët tanë tregtojnë dhe nxjerrin bukën e gojës. Prandaj, përkushtimi i Lëvizjes Besa dhe i koalicionit ”Mundemi” do të jetë, që të kemi një treg me kushte evropiane, ku do të mund qytetarët tanë të kryejnë obligimet e tyre dhe të nxjerrin bukën e gojës”, ka theksuar Kasami.
Duke pasur parasysh periudhën me pandeminë Covid-19, Kasami garantoi investime vjetore prej më shumë se 200 milionë euro, me të vetmin qëllim që të mund të ketë një sistem të shëndetësisë i cili do të minimizojë rreziqet dhe do të jetë në funksion të plotë të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.