Në Shtetet e Bashkuara numri i të infektuarve si pasojë e koronavirusit ka arritur në mbi 5.2 milionë që prej fillimit të pandemisë ndërsa ai i vdekjeve mbi 167 mijë vetë.
Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive Anthony Fauci tha se nuk është i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në vend. Këto komente vijnë ndërsa zyrtarët amerikanë njoftuan ditën me numrin më të lartë të vdekjeve si pasojë e virusit prej muajit maj. Të mërkurën numri i vdekjeve në rang kombëtar arriti në 1500.
Presidenti Donald Trump tha këtë javë ai pret që situata e krijuar nga koronavirusi “të përmirësohet mbrenda një periudhe shumë të shkurtër”, por zoti Fauci tha se numri i infeksioneve do të vazhdojë të rritet nëse qeveria federale dhe shtetet nuk punojnë së bashku.
Deri tani nuk ka pasur ndonjë strategji të koordinuar mes Uashingtonit dhe drejtuesve të shteteve për të luftuar pandeminë. Vetëm disa shtete kanë lëshuar urdhra që detyrojnë vendosjen e maskave dhe vazhdojnë në mbajnë në fuqi kufizimet. Ka shtete ku numri i infeksioneve po rritet ndërsa situata duket se po përmirësohet në pika të nxehta si Arizona, Kalifornia dhe Florida, të cilat siç tha zoti Fauci “kanë aktualisht më pak vdekje, infeksione të reja apo shtrime në spital”.
Në një koment të tij zoti Fauci ka thënë se koronavirusi nuk do të largohet kurrë, por sipas tij zyrtarët shëndetësorë mund të punojnë për ta mbajtur në “nivele të ulëta” përhapjen e tij.