Ballina Shëndeti Koronavirusi “Mos e digj shtëpinë ku jeton”, epidemiologu “hedh dritë” mbi mutacionet e...

“Mos e digj shtëpinë ku jeton”, epidemiologu “hedh dritë” mbi mutacionet e COVID-19

Djalli ndodhet në detaje, por po aty ndodhet edhe shpëtimi, kështu është shprehur epidemiologu Ilir Alimehmeti referuar një shprehje të Hyman G. Rickover.

Alimehmeti në rrjetin social “Facebook” publikon vazhdimisht studime të COVID-19, ndërsa sqaron mutacionet që ka pësuar virusi.

Edhe në statusin e sotëm epidemiologu analizonn me detaje mutacionet që ka pësuar COVID-19, duke e konsideruar një element pozitiv.

Gjithashtu ai shton se natyra mbetet aleati më i mirë në luftë me koronavirusin dhe bën apel që të respektohen masat, përkujdesjet individuale dhe sociale.

“Përzgjedhja natyrore ka favorizuar një strategji të tipit “Mos e digj shtëpinë ku jeton”, shprehet ai.

Statusi i plotë:

Djalli ndodhet në detaje, por po aty ndodhet edhe shpëtimi!”

Cit.: Hyman G. Rickover

Të tjera mutacione/lajme të mira të virusit miqtë e mi!

-Një tjetër superpunim hedh dritë mbi mutacionet e mundshme “zbutëse” të SARS-CoV-2.

-Kujtoj që virusi u bë i aftë të infektojë njerëzit përmes një mutacioni në zonën që kodon proteinën S (spike), ku potencialisht u shtua (insercion) një sekuencë P-R-R-A (prolinë-argininë-argininë-alaninë).

Punuar nga grupi kërkimor i Qendrës Spitalore Universitare Vall d’Hebron – Barcelonë, artikulli është publikuar më 5 gusht 2020 në revistën prestigjioze Emerging Microbes & Infections.

“Naturally occurring SARS-CoV-2 gene deletions close to the spike S1/S2 cleavage site in the viral quasispecies of COVID19 patients”

(linku në fund të postimit)

Në studimin e tyre shumë teknik, autorët kanë hulumtuar speciet e virusit në 18 pacientë me COVID-19:

-10 me COVID-19 të lehtë

-8 me COVID-19 të rëndë.

Në total janë kryer:

-48.746.647 lexime (81.202 – 597.558 lexime për çdo amplikon)

-3.749.742 gjene të plota S

-208.319 lexime për çdo pacient, mesatarisht

REZULTATE:

-Fshirjet (delecionet) nuk kanë ndodhur në mënyrë rastësore përgjatë gjenit S, por janë grumbulluar në rajone specifike.

-Ndër mutacionet e ndryshme, një rezultat shumë mbresëlënës kishte grumbullimi i fshirjeve (“hot-spot”) në amplikonin N07 në 14 pacientë ndër 18 (78%).

-Ndër këta 14 pacientë ndodheshin 100% e pacientëve me COVID-19 të lehtë dhe vetëm gjysma e atyre me COVID-19 të rëndë.

-Variantet virale me këto fshirje (delecione) ishin në mënyrë sinjifikante më të shpeshta te pacientët me COVID-19 të lehtë. (Fisher test: OR: 95%CI 0.0 – 0.9605; p=0.023)

KONKLUZIONE:

-Këto gjetje sugjerojnë se delecionet nuk janë evente sporadike edhe pse vërehen në një përqindje relativisht të vogël të kuazispecieve virale.

-Prezenca e këtyre mutacioneve dhe krijimi i një kodoni “stop” sugjerojnë se nënnjësia S1 e proteinës S (spike) mund të prodhohet si “proteinë e lirë” (free S1) hidrofilike.

-Si rrjedhojë, kjo “free S1” mund të lidhet me receptorët ACE2 në mënyrë konkuruese, duke bllokuar receptorët dhe duke penguar lidhjen e viruseve të plota funksionale.

-Ky mekanizëm bën të mundur infektimin e një numri më të vogël qelizash humane dhe me një ritëm më të ngadaltë, duke sjellë si rrjedhojë edhe një infeksion më të lehtë, por pa humbur aftësinë e transmetueshmërisë.

Autorët dalin në konkluzion se:

-PËRZGJEDHJA NATYRORE KA FAVORIZUAR NJË STRATEGJI TË TIPIT “MOS E DIGJ SHTËPINË KU JETON”.

Pas çdo specie të sotme, ndodhen miliona vite evolucioni natyror!

Natyra ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aleati ynë më i mirë!

Ndërkohë të fitojmë kohë duke respektuar masat dhe përkujdesjet individuale dhe sociale.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT