Ballina Bota Sfidat e rihapjes së shkollave, pasiguri në Itali, autoritetet bëhen gati për...

Sfidat e rihapjes së shkollave, pasiguri në Itali, autoritetet bëhen gati për klasat alternative

Kur duhen vetëm dy javë që shkolla të rinisë në Itali, distanca fizike është e vetmja masë e konfirmuar ndërsa shumë shkolla duket se janë në garë me kohën, pa udhëzime të qarta për rihapjen.

Kjo shkollë në qendër të Romës po bëhet gati të mirëpres nxënësit. Një pjesë muri është shembur në mënyrë që libraria të kthehet në një klasë të madhe. Banka për një person në distancë me njëra-tjetrën janë vendosur për një total prej 20 nxënësish. Mësuesja përgjegjëse për shkollën tregon për përgatitjet.

“Prej muajsh unë dhe të tjerë kolegë po përjetojmë këtë mungesë sigurie, kur mendojmë se kemi gjetur zgjidhje për një problem, një tjetër çështje del në pah. Mbi të gjitha duhet të përballemi edhe me ankthin dhe panikun që në shumë raste vjen nga familjet dhe studentët që vijojnë bëjnë pyetje”, thotë Cristina Costarelli, mësuese në shkollën e mesme “Newton”.

Presidenti i shoqatës Kombëtare të mësuesve shprehet se ka pasur shume vonesa.

“Jam i vetëdijshëm se ka pasur vonesa. Pjesërisht për shkak të faktit se disa vendime janë marrë me shumë vonesë, jo vetëm për shkak të frikës se po gabojmë, por edhe sepse ka vonesa që janë akumuluar ndër vite”, shprehet Antonello Giannelli, president i “Shoqatës Kombëtare të Mësuesve”.

Mbi të gjitha janë familjet ato më të shqetësuarat për dërgimin e fëmijëve në shkolla. Paola Misino ka dy fëmijë dhe në rolin e përfaqësuese të prindërve shpreh pasiguri.

“Ne frikësohemi se kur të diplomohen ata mund të kenë vështirësi kur të hyjnë në tregun e punës. Sikur cilësia e studimit të tyre të ishte ndikuar nga pandemia kjo do të linte përgjithmonë pasoja negative”, thotë ajo.

Ndryshe nga shumë shtete, më shumë se gjysma e shkollave në Itali janë ndërtuar para viteve ’70, duke e bërë të vështirë respektimin e distancës fizike. Pjesa më e madhe e shkollave në shkallë kombëtare janë ende duke pritur për rreth 2 milionë banka teke.

“Nuk mund t’ju them sa do të zgjasë. Bankat për një person nuk mund të mbërrijnë para tetorit.  Do të varet nga autoritetet lokale për të gjetur hapësira të reja. Mendoj se do të arrijmë të kemi çdo gjë gati në kohë, do të jetë e vështirë, por do ta menaxhojmë”, shprehet Antonello Giannelli, president i “Shoqatës Kombëtare të Mësuesve”.

Autoritetet lokale në çdo rajon duhet të sigurojnë rreth 20.000 klasa alternative për të zëvendësuar ato klasa ku distancimi fizik nuk mund të sigurohet. Disa nga propozimet përfshijnë edhe përdorimin e tendave të mëdha, e madje edhe kishat.