Nga Enver Robelli
Para zgjedhjeve në Mal të Zi gazeta ultranacionaliste dhe kriminale e Beogradit “Informer” alarmoi: “Gjukanoviq ka premtuar: Një shqiptar (Šiptar) do të jetë kryeministër i Malit të Zi?!”
Pas zgjedhjeve shkrimtari ultranacionalist serb Matija Beçkoviq tha se po të vinte (deputeti me origjinë shqiptare) Dritan Abazoviqi në Beograd, “rinia serbe do ta bartte atë në duar”. Dhe kjo, sipas Beçkoviqit, “është mesazh për të gjithë shqiptarët (Albancima), për të cilët Mark Milani ka shkruar faqet më të mira”.
Gjuha që përdorin nacionalistët serbë është demaskuese për ta: një shqiptar që mbështet Gjukanoviqin etiketohet me termin pezhorativ-nënçmues “Šiptar”. E një shqiptar si Dritan Abazoviqi – nga votat e të cilit varet krijimi i qeverisë së re (të opozitës proserbe e proruse) – befas nuk është “Šiptar”, por “Albanac”. Madje i traditës së Mark Milanit.
Dritan Abazoviqi duket se refuzon të kuptojë këto deklarata mbi shqiptarët e lloj-llojshëm (“Šiptar” dhe “Albanac” sipas nevojës së nacionalistëve serbë). Nga mediat e Beogradit Abazoviq u citua me këto fjalë: “Mali i Zi nuk do të jetë as Spartë Serbe, as Shqipëri e Madhe”. Si ajo deklarata për “Skënderbeun serb” (për të cilën ka thënë se është lapsus) edhe kjo deklarata për Spartën Serbe dhe Shqipërinë e Madhe është nonsens. Për dallim nga turmat nacionaliste serbe në Serbi dhe Mali të Zi, për dallim nga falangat klerofashiste serbe që veprojnë në Mal të Zi, Republika e Shqipërisë nuk e ka vënë kurrë në dyshim shtetësinë e Malit të Zi, madje Shqipëria e ka përkrahur edhe hyrjen e Malit të Zi në NATO. Andaj t’i barazosh qëndrimet serbe me ato shqiptare ndaj Malit të Zi është shtrembërim qëllimkeq i fakteve.
Duket se Abazoviq të qenmit shqiptar dhe gjuhën shqipe më shumë e konsideron si ngarkesë. Në postimet e tij në Facebook gjuha shqipe është pothuaj joekzistente, përveç në trajtë të ndonjë parulle elektorale. Me gjasë Abazoviq mendon se duke u identifikuar kryesisht me gjuhën e shumicës në Mal të Zi do të pranohet më mirë nga kjo shumicë dhe do të duket më europian. Por thelbi i integrimeve europiane është uniteti në diversitet.
E vërteta e hidhur është se edhe nën Gjukanoviqin gjendja e shqiptarëve nuk është përmirësuar, sepse në vend të investimeve e krijimit të vendeve të punës në treva shqiptare, Podgorica u ka bërë shqiptarëve oferta simbolike (Tuzin e keni komunë dhe mund të valoni sa të doni flamurin kombëtar).
Por krahas këtyre të arriturave mungon diçka esenciale: perspektiva për shqiptarët e Malit të Zi, andaj ata emigrojnë në shumë drejtime – në Perëndim dhe në drejtim të Kosovës.